Dashuria ndaj Atdheut nuk tregohet me përralla

E Enjte, 28 June 2018 16:42

Nga Delvina KËRLUKU

Në udhëtimin e fundit në Kosovë, këto ditë, vizitova universitetin, pastaj Akademinë e Shkencave dhe Arteve dhe fare në fund i rashë bulevardit. Si përherë ndalem dhe e shoh bustin e Ibrahim Rugovës, pastaj shtatoren e Skënderbeut dhe kur i shkoj deri në fund bulevardit e shkrepi një foto, në të cilën futet edhe fotografia me simbolin e Pavarësisë së Kosovës, e varur në një ndërtesë shumëkatëshe. Gjatë kësaj ecejakeve të shkurtër të vi fluturimthi ndërmend gjithë historia e këtij vendi. Librat e strukur në vitrinë, përgjatë shëtitores, joshin lexuesit me padjallëzinë e tyre .

Në këtë ‘përhumbje’ kthjellesh nga zërat e kalimtarëve. Pëshpëritje publikepër papunësinë, për mungesën e vizionit të pushtetmbajtësve, që kanë lënë ekonominë në stagnim, për BE-në që nuk është fajtore për dështimet e qeverisë, të shantazhuarit në pushtet, të rrezikshëm për Kosovën, për ata që refuzojnë Evropën e duan një shtet tribal, për largimin e të rinjve etj. Pas shumë problemeve që ka Kosova, i vetmi gëzim momental i atëditshëm ishte shqiptari që nuk e shpalli hero pushtuesin. Bëhej fjalë për futbollistin shqiptar Xherdan Shaqirin (duke mos përjashtuar edhe futbollistin Granit Xhaka), pjesë e kombëtares së Zvicrës. Futbolli botëror 2018, na risjell ndërmend emigrantët shqiptar që kanë ikur nga vendi, për një jetë më të mirë, për të mbijetuar, për të pasur përparim më të madh brezat e rinj. Dhe pikërisht sot këta të rinj shqiptar i gjejmë në majat e sportit, kulturës, artit, shkencës. Krenaria që na sjellin pas fitores në aktivitet e tyre, na bën të vetëdijesohemi se largimi i shqiptarit jashtë vendit është i dobishëm për Atdheun. Por, frika për t’u asimiluar shqiptarët nëpër vendet e botës, ekziston. Pikërisht, kjo dilemë u rrënjos me mospjesëmarrjen në kombëtaren e Shqipërisë a të Kosovës, nga futbollistët shqiptar që luajnë në kombëtaren e Zvicrës, Gjermanisë, Belgjikës, etj. Ata u quajtën ‘tradhtarë’, ‘të shitur për para’, ‘njerëz pa ndjenja kombëtare’. Këta zëra lëshues nuk kanë dëgjuar rrëfimet interesante dhe prekëse të këtyre djemve dhe në përgjithësi të familjeve shqiptare, të emigruar. Për shtëpinë e vjetër të Shaqirit në një fermë në Basel, për varfërinë e tij, për mallin e Kosovës etj. Ndonëse, edhe mund të thuhet se Kosova ka qenë larg syve të këtyre djemve, po kurrë larg zemrës. Fitorja e lojës së futbollit të Zvicrës ndaj Serbisë është historike, sepse pikërisht djemtë shqiptar të Kosovës i sollën fitore spektakolare kombëtares së Zvicrës, dëshmuan fuqinë, heshtën Beogradin, Serbinë e Kalingradin. Ndërsa, ua mbyllën gojën zërave të ligë e i krenuan shqiptarët, duke triumfuar ndaj Serbisë, pushtuesit të kosovarëve dhe duke u identifikuar si shqiptar e jo zviceran, duke përdor simbolin e shqiptarëve, shqiponjën. Dhe fill pas kësaj fitore të lojës së futbollit, shqiptarët e Kosovës u kthehen punëve të tyre më me vullnet. Dhe nga gjithë ky gëzim, kuptova se sporti nuk është politikë, por ndjenjë atdhedashurie. Pikërisht në këpucët e Shaqirit, janë të vendosura flamujt e Shqipërisë, Kosovës dhe në këpucën e majtë atë të Zvicrës, jo për shkak të politikës, por për të treguar historinë e jetës së tij. Për shumë kosovarë, futbolli botëror 2018 kishte përfunduar me humbjen e Serbisë dhe fitoren e djemve shqiptar në kombëtaren e Zvicrës. Ndërsa, tek të gjithë shqiptarët anë e mbanë botës, kthejnë kokën nga simboli shqiptar, ndjejnë krenari dhe forcë, që këta djem janë luftëtar, heronj dhe të gjithë i bëjnë që Kosovën e Shqipërinë ta kenë aty, mjafton të zgjatim dorën dhe ta fusim në gji. Këta djem na treguan se dashuria ndaj Atdheut nuk tregohet me përralla,që nuk i beson njeri, por me fakte.

Modifikuar më E Enjte, 28 June 2018 16:46
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...