“Gara” e Shqipërisë për Kozmosin

Hënë, 02 July 2018 18:23
Urdhri pas lajmit për Apollo 11:  Të mos botohet asgjë për fluturimet në Hënë dhe ato  kozmike, përndryshe “ ne glorifikojmë imperializmin amerikan” Urdhri pas lajmit për Apollo 11: Të mos botohet asgjë për fluturimet në Hënë dhe ato kozmike, përndryshe “ ne glorifikojmë imperializmin amerikan”

Nga Qemal SAKAJEVA

Janë të pakta ato vdekje që, si në emërues të parbashkët, prekin zemrat e të gjithëve.  Astronauti amerikan Neil Armstrong, ky Njeri i Hënës, që Hëna edhe mund të ishte bërë varr i tij, por që ndërroi jetë  në moshën 82-vjeçare, më 25 korrik 2012, padyshim mbetet fytyra që na shpërfaqet sa herë çojmë kryet kah kupa  qiellore dhe vështrimi rrok satelitin tonë. Ne, tokësorët e tjerë, kush me  tepri  e kush më i përmbajtur, ndodh edhe të vetëlavdërohemi, për ku kemi shkuar e për çfarë kemi parë. Kurse, Armstrong,  heroi i madh i shkencës, legjendë e guximit njerëzor, pas kthimit në Tokë e deri në fund të jetës, mbeti  aq  modest sa që, misionin e jashtëzakonshëm e shndërroi në thjeshtësi të  qytetarit  gati të padukshëm, çka shpesh na ka shtyrë të pyesnim:  Ku gjëndet Armstrong? Pse rri larg ekraneve, të cilat mbushen edhe mërzitshëm nga të tjerë, që nuk thonë gjë por duan të duken, për të treguar se janë?

Pas lëshimit në hapësirë të Sputnik 1, dhe fluturimit të kozmonautit  Juri Gagarin, Bashkim Sovjetik u vendos një hap përpara amerikanëve. Kjo, në Shqipëri, u interpretua thekshëm si  epërsi e ideologjisë  marksiste- leniniste dhe sistemit  socialist  mbi ideologjinë borgjeze dhe kapitalizmin. Ato minuta, kur Gagarin rrotullohej përreth Tokës, në shkolla shqiptare nxënësit u nxorrën përjashta, të vështronin qiellin, a thua se, me këtë,  kishte ngjarë si nëpër dollitë e marksistëve fanatikë shqiptarë: ”Komunizëm gjithë Bota!” Por, gjatë Luftës së Ftohtë, gara e nxehtë e armatimeve mes SHBA dhe BRSS, formën më paqësore e shprehu  në fluturimet kozmike.  Satelitët e ndritshëm  shquheshin qiellit, sidomos netëve të verës diku në fshatra të terrtë, ashtu përzjerë me prushin e  yjeve, dhe në dallim me ta, duke lëvizur në ngutje përreth Tokës. Kjo i pati rrëmbyer mendjet e kureshtarëve dhe të atyre që dëgjonin në fshehtësi radiot e huaja, që kundrimin e lirë të Gjithësisë ta shndërronin në zakon, edhe pse nuk dinin rreth përparimit  gjigant të shkencës, me  raketa e astronautë,  teknologji të lartë e aftësitë të pazakonta, thuajse përtej njerëzores. Por, 20 korriku i vitit 1969, kur Neil Armstrong,  i pari njeri që vuri këmbën në truallin e Hënës, kur Buzz Aldrin e pasoi vetëm 18 minuta më vonë, ndërsa Michael Collins sillej i vetmuar përqark trupit qiellor, domosdo edhe nga ana e padukshme e Hënës, në pritje për t’i marrë të dy kolegët e së bashku të ktheheshin në Tokë, amerikanët e përmbysën në mënyrë spektakolare përparësinë sovjetike, dolën në krye asisoj sa  bota mbajti frymën. 

Nuk pati një porosi të dytë për shkollat  shqiptare, që t’i nxirrnin nxënësit e studentët përjashta, të vështronin kah Hëna, ku shkonin e ktheheshin astronautë amerikanë. Por  pati diçka të padëgjuar: Shqipëria komuniste u përfshi “në garën e kozmosit” në mënyrën më të marrë pas Apollo 11, pas vajtjes së njeriut të parë në Hënë, pas lajmit gojor se Armstrong  me të zbritur në Tokë kishte kërkuar së pari të shkonte në Kishë. Nëse amerikanët e sovjetikët lëshonin raketa e nisnin njerëz në hapësirë, komunizmi shqiptar që kishte dy armiq - Amerikën dhe Fenë - ndërmorri diçka të atillë sa brezave të  mëpasëm nuk do t’ua rrokë truri: ndërsa bota e përjetoi zbritjen në Hënë si  habinë më madhështore  njerëzore, Shqipëria kreu ndalimin për informim si një marrëzi  ideologjike e pashoqe. Pas Apollo 11, kryeredaktorët e gazetave dhe revistave, qenë thirrur  në ndërtesën  hijerëndë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, sidomos ato që botonin lajme dhe shkrime nga fusha e shkencës. Ata, me t’u kthyer nëpër zyra, i mblodhën përgjegjësit dhe gazetarët, që të përcillnin urdhrin. Ashtu pati bërë dhe kryeredaktori i gazetës “Zëri i rinisë”, me prirje kurajoze brenda politikës së botimit, për të dhënë  diçka të re. Atë ditë ai  komunikoi shkurt  për gazetarët: ”Me porosi të drejtpërdrejt të shokut Enver, nuk do të botohen më lajme për fluturimet kozmike dhe për arritje të tjera të shkencës, sepse duke i propaganduar ato, ne glorifikojmë imperializmin amerikan”. Komunikimi i urdhërit të prerë qe kaq i shkurtër, madje duke përdorur fjalën e shprehur nga vetë Diktatori- glorifikojmë -  dhe jo fjalët shqipe, mburrim apo lavdërojmë.

Asnjë lajm nuk pipëtiu më për Apollo-t që pasuan, kush ishin zbritësit e tjerë në Hënë, përveç  shurdhimit  me zhurmën e revolucionit tekniko-shkencor shqiptar,  prodhimit të karrocerisë së autobuzit,  sajimit të  një pajisjeje që kursente benzinë te kamionët, a thua se inxhinierët dhe konstruktorët e makinave moderne ishin të pazotë, se plugoheshin lartësitë e mëdha për të mbjellë patate dhe gjëma e luftës së klasave, të zezën e së cilës ideologjia e zbardhte me propagandë  si të qe paqë. Shqipëria ishte e vetmja që ndaloi informimin për fluturimet kozmike,  siç qe  e vetme në botë për ndalimin e fesë me kushtetutë. Apollo-t shkonin në Hënë e ktheheshin në Tokë, por lajmet për to as nuk ceknin në Planetin Shqipëri, veç rrëshqisnin tërthorazi, përmes radiove të huaja. Kloni kufitar tokësor kapte dhe i përdhoste viktimat që përpiqeshin të arratiseshin, kloni  i censurës qe po aq i pranishëm dhe me pasoja dramatike.

Apollo 11 në Hënë, më 20 korrik 1969, dhe vdekja e Armstrong më 25 korrik 2012, gjithmonë duhet t’ua kujtojnë shqiptarëve  edhe urdhrin e  ndalimit të informacionit, që i nxiti fanatikët deri sa të përcillnin lajmin-thashethem: Armstrong  nuk ka zbritur në Hënë, ajo që shohim është sorollatje e tij nëpër  laboratoret e amerikane.

Hiri i eshtrave të Neil Armstrong, këtij Heroi të Njerëzimit, është shpërndarë në Oqeanin Atlantik. 

Login to post comments

Lajmet e fundit

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Media

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Flet Era Xhabafti, zv.menaxhere e përgjithshme e kompanisë “Mini Invest Albania”   Ndonëse pandemia ka ndikuar në kërkesën për më shumë komoditet, kërkesat janë që edhe rehatia të jetë me marka. Kështu shprehet...