Arsimi peng i improvizimeve dhe sloganeve

Tuesday, 11 September 2018 16:35

Nga Shezai Rrokaj

Është i njohur fakti se shoqëritë e zhvilluara e konsiderojnë investimin në arsim si mjetin më dobiprurës për rritjen ekonomike dhe sociale të tyre. Por përkundër këtij fakti të mirënjohur dhe të gjithpranuar, politikat qeverisëse shqiptare vazhdojnë të jenë indiferente, për të investuar pikërisht aty ku shqiptarët dhe qeveritë e vendeve të zhvilluara kanë pritshmëritë më të mëdha. Vendin e reformave serioze dhe me impakt afatgjatë e kanë zënë improvizime, eksperimente dhe slogane që dalin si “shpikje”, risi a imitime të shëmtuara kinse prej vendeve të Unionit.

Po ndalemi në disa syresh për të treguar atë që pohuam më lart:

Së pari, vendet e BE-së shpenzojnë mesatarisht 4.9 % të PBB-së për arsimin nga fondet publike, kurse tek ne këtë vit subvencionimi i arsimit është rreth 3% i PBB-së.

Përkundrejt deklaratave se arsimi është prioritar, Qeveria nuk ka zbatuar as edhe Strategjinë e Zhvillimit të Arsimit Parauniversitar (SAPU) , të hartuar prej saj për vitet 2014-2020, e cila është pjesë përbërëse e Planit Strategjik të Arsimit 2014-2020.

Në këtë Strategji synohen objektiva si: a. përqindja e PBB për Arsimin Parauniversitar të jetë masën në 3%, ndërsa për sistemin në tërësi 5%

b. të zbatohen mekanizmat për mbulimin e kostos për tekstet. Mospërputhja mes shifrave të synuara dhe atyre reale është një prej arsyeve përse nuk ka subvencion të plotë të teksteve për sistemin parauniversitar si gjithë vendet e Evropës, por edhe edhe përse kemi pagat më të ulëta dhe nivele nën minimale të kërkimit shkencor. Edhe subvencionimi i sivjetshëm deri në klasën e katërt u bë falë këmbënguljes së opozitës, por mazhoranca po përpiqet në kundërshtim me ligjin e miratuar t’ua japë tekstet nxënësve jo falas, por në përdorim. Tekstet në përdorim dhe tekstet falas janë dy koncepte ligjore krejt të ndryshme. Ligji Arsimit Parauniversitar, neni 5, pika 2 thuhet se në shkollat publike arsimi i detyrueshëm dhe arsimi i mesëm i lartë janë falas.

Dhe falas kupton mësimdhënien, ndërtesat me pajisjet përkatëse (bibliotekat, palestrat, laboratorët) dhe tekstet.

Prindërit nuk kanë asnjë detyrim ligjor që t’i kthejnë tekstet dhe nuk ka asnjë ligj që t’i penalizojë, siç po përflitet. Cilësia fizike e librave nuk është e tillë, që ato të mund të përdoren për më tepër se një vit. Shembujt që sillen nga Franca, Suedia apo ndonjë vend tjetër nuk janë të ngjashëm, sepse kostoja e librave në këto vende është e tillë që garanton cilësinë për një jetëgjatësi më të madhe të tekstit, kurse tek ne kostoja, cilësia dhe garancia e tyre me shtëpitë botuese është për një vit shkollor.

Nga ana tjetër, me gjithë reformën për kufizimin e alternativave të tyre për klasë deri në tre, tekstet vijojnë të jenë produkte të programeve të ngjeshura me informacion të vjetëruar dhe me përsëritje të shumta nga njëri vit te tjetri.

Mbingarkesa e panevojshme ka bërë që nxënësit të jenë nën trysninë e të mësuarit mekanik, ende larg metodës së të mësuarit kritik, sepse nuk u del koha fizike për të menduar në mënyrë krikike. Një tregues i kësaj gjendjeje janë të dhënat e Pisa-s, Tims dhe Unicef-it për nivelin e nxënësve tregojnë se nxënësit tanë janë të fundit në Evropë në lexim dhe matematikë. Po sipas Unicef-it mbi 15 mijë fëmijë e kanë braktisur shkollën. Në mënyrë të veçantë theksohet analfabetizmi funksional, i cili kap shifrën e 65 mijë nxënësve, gati 15% e numrit total të nxënësve.

Së dyti, në problem serioz që po shfaqet edhe në arsimin është fakti drithërues i Shqipërisë që po zbrazet. Popullsia aktive po largohet për shkak të mungesës së shpresës për një jetesë normale në vend. Në këto vite edhe shkollat po zbrazen masivisht. Për 4 vite janë larguar nga vendi mbi 140 mijë nxënës. Vetëm për vitin shkollor 2017-18 u regjistruan 22 mijë nxënës më pak në sistemin parauniversitar, gati 2 mijë nxënës më pak për çdo vit shkollor (1-12, nga 536 mijë nxënës në 514 mijë nxënës). Në zonat rurale po kthehen masivisht klasat kolektive, gjë që ul cilësinë e mësimdhënies. Në vijim po mbyllen edhe këto klasa kolektive, gjë që ka shpënë në mbyllje ose në prag mbylljeje të mbi 125 shkollave, kryesisht në klasat 1-9. Ky është një problem shumë shqetësues që duhet adresuar dhe nuk mund të kapërcehet me zgjidhje të çastit duke mbyllur shkollat e duke larguar mësuesit. Kërkohen politika të menduara mirë dhe duke pasur parasysh kushtet e terrenit sidomos në zonat rurale.

Së treti, arsimi është kthyer në improvizim dhe mësuesit e nxënësit në kavje eksperimentale. Reforma me vend e pa vend, kaos e amulli gjithandej, politizimi dhe korrupsioni janë të pranishëm. Ende pa u tharë boja e një akti për qeverisje për shkollën del një tjetër. Arsimi është pushtuar nga parrullat dhe propaganda, madje deri edhe në ligj, ku së fundmi Portali i mësuesit në sistemin parauniversitar u emërtua si Portali “Mësues për Shqipërinë” a thua se duhej dalluar nga ndonjë shtet tjetër. Ky portal, i cili gjoja do të mënjanonte ndërhyrjet politike, është kthyer thjesht në një slogan sepse në fakt, për fat të keq, nuk arriti të mbante larg emërimeve politikën ashtu si dhe në qeverisjet e mëparshme. Mësuesi emërohet nga një komision, ku numri i specialistëve është më i vogël se numri i anëtarëve jashtë specialitetit dhe është i pambrojtur prej largimit të tij nga puna apo trysnisë vertikale. Për largimin e tij nga puna mjafton një “thyrje” disipline apo edhe një “ankesë” prindi për të nisur procedurën, pa pritur që për këtë “arsye” të shprehet, bie fjala, gjykata.

Në vijim të këtyre improvizimeve a keqimitimeve po japim disa raste, si:

a) Eksperimenti 3 lëndë në 6 orë në mes të vitit, kur ishte zhvilluar gjysma e kurrikulës. Asnjë vendim për fillimin e nismës dhe as studim për dobinë e saj: Vetëm tri vendime nga 29/12 2017; 10 01/2018; 13/01/2018, për 15 ditë. Një nxitim i pakuptimtë, pa debat e marrje mendimi te grupet e interesit, por me metoda sikur mësuesit kinse ishin përfshirë në proces, madje qenkshin vetë ata propozuesit.

b) U kërkohet nxënësve ID-ja e prindit. Përse? Për opozitën kjo u pa si një manovër të ndërhyrjes në arsim me synime elektorale. Kontaktet me prindërit janë tashmë të standardizuara, përfshirë këtu edhe të dhënat e prindit qysh në regjistrim (adresë shtëpie, person kontakti, telefon etj.).

c) Ministria i jep aprovimin një studimi (pyetësor) mbi sjelljen shëndetësore të nxënësve shqiptarë, ku fëmijët e moshës 11,13 dhe 15 pyeten nëse kanë kryer seks oral, vaginal ose anal, gjë që i irritoi prindërit dhe gjithë shoqërinë tonë. Po kështu në një tekst shkollor të klasës 10 gjen pyetje si: “a ka bërë seks shoqja juaj? Madje as “marrëdhënie seksuale” nuk thuhet. Apo leja që ministria përgjegjëse u jep përfaqësuesve të LGBTQI për të organizuar takime në shkolla. Të gjitha këto janë teprime të patolerueshme për shkollën tonë dhe moshat përkatëse, sepse kjo problematikë duhet t’i lihet psikologut të shkollës.

d) Një urdhër me një pikë për ndalimin e celularëve në shkolla krahasuar me Francën që ka miratuar dy ligje.

Në datën 30 korrik 2018 ministrja Nikolla firmosi një urdhër nr. 433 ‘Për mospërdorimin e telefonit celular gjatë procesit mësimor në shkolla’. Nxjerrja e këtij urdhri përkoi me të njëjtën kohë kur Asambleja Kombëtare në Francë miratoi një ligj për moslejimin e celularëve, tabletave, orë dhe çdo objekti që lidhet në rrjet. Ajo që të bën përshtypje është  fakti sesi francezët bëjnë dy ligje për këtë problematikë, kurse Ministria e Arsimit vetëm me një urdhër (vetëm me një pikë) duam ta zgjidhim problematikën mjaft komplekse të përdorimit të celularëve në shkollë. Teksa francezët përfshinë gjithë spektrin politik dhe të të interesuarve në këtë debat, Qeveria jonë qenka kaq e zonja dhe ia dalka vetëm me një urdhër ministri, madje as edhe me një VKM? Sepse çështja që trajtohet është kaq komplekse saqë nuk mund të shterohet me anë të një urdhri, e ca më pak vetëm me një pikë. Të mos harrojmë që urdhri doli vetëm pasi të gjithë shkuan me pushime. Pika 2 e tij “Njësitë arsimore vendore dhe drejtoritë e shkollave janë përgjegjës për për zbatimin e këtij Urdhri dhe për marrjen e masave sipas akteve normative në fuqi në rast të shkeljes së tij” i vë kapakun paqartësisë për zbatimin e urdhrit, sepse presupozon nxjerrjen e akteve normative që të kishin fuqi në lidhje me këtë urdhër, kur në fakt urdhri u paraprin atyre dhe ai sapo ka dalë.

e) Është trumpetuar nisma “Shkolla qendër komunitare”, por realisht përfshirja e nxënësve në vendimmarrje (nga klasat1-12) është vetëm 3-5%. Vetë kushtet e vështira ekonomike e sociale, sidomos gjendja në zonave rurale e kanë shndërruar këtë shprehje në një slogan, pasi prindërit e kanë të vështirë të ndjekin ecurinë e formimit të fëmijës dhe të kryejnë bashkëveprimin e nevojshëm me shkollën.

f) vendosja e pragut të notës 6 (gjashtë) për pranimet në shkollat e larta ka rritur për dy vite me 8% fiktivitetin, që do të thotë se janë pakësuar ndjeshëm nxënësit me mesatare nën 6 (gjashtë) dhe është rritur numri i nxënësve me mesatare mbi 6 (gjashtë). Rritja e presionit për notën doemos nxit korrupsionin.

g) Nga ana tjetër, matura shtetërore edhe këtë vit mbeti si në kohën e qeverisë Berisha, kur përcaktimi i 5 provimeve ishte i lidhur me sasinë e pikëve të nevojshme për të fituar një degë studimi. Me ligjin e ri kjo formulë ka rënë, por përse vazhdohet me 5 apo me dhe me 4 provime? Matura duhet të thjeshtohet, sepse ajo faktikisht është ndarë nga skema e pranimit. Vetëm dy lëndë (matematikë dhe gjuhë-letërsi) janë të mjaftueshme, si gjithandej, sepse ligji i ri nuk u jep më rëndësi për nga sasia e pikëve të pranimit 5 apo 4 lëndëve (2 të detyrueshme dhe 3 me të zgjedhur apo 3 të detyrueshme dhe 1 me të zgjedhur, siç parashikohet në vitet e ardhshme) dhe se IAL-të i japin rëndësi mesatares dhe gruplëndëve apo konkurrimit për disa profile si artet, arkitektura etj. Pra, duhet të thjeshtohet sistemi i maturës dhe pranimeve sepse është i lodhshëm, i stërzgjatur, stresues dhe korruptiv.

h) Së katërti, universitetet vazhdojnë me një ligj, i cili krijoi konfuzion lidhur me kompetencat. Nuk kanë dalë ende aktet nënligjore (VKM, urdhra, udhëzime) edhe pse po bëhet viti i tretë i miratimit të ligjit. Ligji ka mbetur problematik në disa çështje themelore si dualizmi senat–bord apo rektor-administrator. Universitetet vazhdojnë të punojnë me ngarkesat e vjetra. Sistemi doktoral është i bllokuar prej 5 vitesh dhe strukturat e kualifikimit nuk janë ngritur ose nuk janë vënë lëvizje.

i) Subvencionimi për kërkimin shkencor është në pikën më krikike dhe universitetet mbahen ende larg reformave të vendit. Ato nuk shihen si partnere në zhvillimin e vendit, por ende kqyren si institucione vasale. Mungon një starategji që do të ndërthurte strategjinë e zhvillimit me strategjinë e formimit dhe atë të punësimit. Akademia e Shkencave është lënë në mëshirë të fatit dhe të nofkave e përbuzjeve duke e quajtur edhe “agjensi funeralesh”. Kurse ligji për shkencën është bërë i panevojshëm po të kemi parasysh faktin se Qeveria nuk subvencionon thuajse fare kërkimin shkencor.

Investimi për dijen është një faktor ekonomik shumë i rëndësishëm zhvillimi në shoqëritë e sotme, sepse rrit cilësinë e produktit dhe ul kostot apo shpenzimet në drejtime të paduhura. Mirëpo drejtimi spontan i qeverisjes në tërësi, përfshirë dhe arsimin, maskimi pas slloganeve dhe parrullave, po e nxjerr shoqërinë dhe vetë arsimin nga binarët normalë të zhvillimit, sepse kjo Qeveri është e tejngopur me vetveten, nuk dëgjon, por rri tërë kohën në televizor ose duke parë televizor. Cardinal de Richelieu thoshte: “të dëgjojmë më shumë dhe të flasim më pak për të bërë mirë qeverisjen e vendit” dhe se, kur në një vend ka politikë të keqe qytetarët kanë dy rrugë: të ndërrojnë vend, siç ka ndodhur këto vite me braktisjen masive të Shqipërisë, apo të ndërrojnë politikën e keqe.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...