Cila zgjidhje është “reale” për raportet Kosovë-Serbi

E mërkurë, 19 September 2018 09:18

Nga Augustin Palokaj

Përfaqësuesja e lartë, Federika Mogherini, vazhdon të besojë se zgjidhja është e mundur mes Kosovës dhe Serbisë, por nuk thotë se cila është ajo. Ndoshta duhet të presim që edhe Mogherini të bëhet “ish përfaqësuese e lartë” që ta kuptojmë qëndrimin e saj. Siç e kuptuam qëndrimin e Robert Cooperit, arkitektit kryesor të dialogut në Bruksel, se “bashkimi i veriut të Kosovës me Serbinë do të ishte pranim i realitetit në terren”.
Nëpër shumë procese ka kaluar Kosova deri tek pavarësimi i saj. Që në fillim të viteve nëntëdhjeta, kur në Kroaci dhe Bosnjë zhvillohej lufta, kur nuk kishte ende gatishmëri në Perëndim për njohjen as të Sllovenisë dhe Kroacisë si shtete të pavarura, kur shumë politikanë evropianë besonin se me Slobodan Milosheviqin mund të gjejnë zgjidhje paqësore, nisi edhe procesi i asaj që quhej “ndërkombëtarizim i çështjes së Kosovës”. Serbia bënte propagandë të ashpër kundër “ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës”, ndërsa ky ndërkombëtarizim kufizohej me dënim të herëpashershëm të dhunës që regjimi i Milosheviqit bënte ndaj shqiptarëve të Kosovës. Duke pasur parasysh intensitetin e luftërave në Kroaci dhe Bosnjë, krimet e mëdha serbe në ato shtete, përfshirë edhe gjenocidin, interesin e bashkësisë ndërkombëtare për të ndalur luftën, qoftë edhe me ndonjë zgjidhje jo të mirë të përkohshme, në arenën ndërkombëtare nuk kishte gatishmëri që t’i prishej qejfi Milosheviqit, duke përmendur Kosovën gjatë punës së Grupit të Kontaktit për ish-Jugosllavinë që merrej me Bosnjë-Hercegovinën. Sipas disa burimeve diplomatike, pjesëmarrëse të zhvillimeve të atëhershme, Gjermania kishte tentuar që në Konferencën e Daytonit të flitej edhe për Kosovën. Por këtë nuk e kishin pranuar fuqitë tjera, sepse donin së pari të arrihej një zgjidhje për Bosnjë - Hercegovinën.
Por pas nisjes së kryengritjes së armatosur në Kosovë, që pasoi rezistencën paqësore shumëvjeçare, dhe pas zbulimeve të tmerreve në Bosnjë-Hercegovinë, nisi angazhimi i madh i bashkësisë ndërkombëtare. Grupi i Kontaktit nisi të merrej me Kosovën. Edhe në NATO dhe në BE ky u bë një prioritet. Dominonte zotimi se “nuk do të lejohet përsëritja e Bosnjës në Kosovë”. Pasuan përpjekjet për zgjidhje të problemeve me mjete paqësore, së pari për të hapur shkollat për fëmijë. Por në secilën përpjekje u pa se Serbia nuk e ka as vullnetin më të vogël të zgjidhë ndonjë problem. Asnjë marrëveshje mes diktatorit Slobodan Milosheviq dhe presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, për hapjen e shkollave nuk u zbatua.
U tentua edhe me Konferencën në Rambouillet dhe pas dështimit të saj ndërhyri NATO-ja, e cila i dha fund pushtimit të regjimit të Serbisë ndaj Kosovës. Kosova u vu nën administrim të përkohshëm ndërkombëtar dhe, siç parashihte Rezoluta 1244, e më parë edhe Marrëveshja e Rambujesë, u zhvillua një proces politik nën udhëheqjen ndërkombëtare që solli deri tek propozimi gjithëpërfshirës i Ahtisaarit në bazë të së cilit u shpall Pavarësia e Kosovës.
Me kërkesë të Serbisë, sepse Kosova si shtet joanëtar i OKB-së nuk mundi as t’i drejtohet asaj, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë shprehu mendimin se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkel as të drejtën ndërkombëtare e as Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ky mendim ishte kulmi i një procesi të gjatë dhe të dhimbshëm, i cili e nxori Kosovën si shtet të pavarur dhe si një lloj fitueseje edhe në aspektin ushtarak, edhe në atë politik dhe me mendimin e GJND-së edhe ligjor. Krejt ky proces nga ana e bashkësisë ndërkombëtare kishte si aktorë zyrtarët më të lartë politikë, ministra dhe presidentë shtetesh nga SHBA-ja e Rusia, deri tek vendet kryesore të BE-së, Gjermania, Britania, Franca dhe Italia.
Por doli një grup, i cili vlerësoi se krejt kjo nuk mjafton dhe nuk është zgjidhje. Se asgjë nuk vlen pasi Serbia ka dalë si humbëse dhe ndihet si e tillë. Pra tash duhet siguruar për serbët dhe për Serbinë diçka më shumë, në mënyrë që as Beogradi të mos ndihet humbës. Kështu nisi dialogu në Bruksel, i cili as sot e kësaj dite nuk ka dhënë përgjigje as në pyetjen se si quhen palët në dialog e lëre më të kenë zgjidhur ndonjë problem, qoftë edhe të vogël. BE-ja vazhdon ta quajë këtë dialog si “dialog mes Beogradit dhe Prishtinës”, ndërsa Kosova e quan “dialog mes dy shteteve sovrane, Kosovës dhe Serbisë”, e Serbia si dialog me “përfaqësuesit e shqiptarëve të Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë” apo me “Përfaqësuesit e institucioneve kalimtare!”. Kjo paqartësi shihet në secilën pikë që ka qenë temë e këtij dialogu, i cili e ka kthyer çështjen në pikën zero dhe tash kërkohet “zgjidhje historike” mes “palëve”.
Dhe ka presion që kjo zgjidhje, të cilën nuk e kanë arritur as presidentët amerikanë, kancelarët gjermanë, kryeministrat britanikë, presidentët e Francës dhe shumë e shumë ministra, si dhe Ekipi i Unitetit i Kosovës, ta arrijnë presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, me ndihmën e përfaqësueses së lartë të BE-së, Mogherini, dhe ekipit të saj në shërbimin e veprimit të jashtëm të BE-së.
Tash kemi ardhur në pikën ku fuqitë e huaja, Amerika dhe Evropa, NATO-ja dhe faktorët e tjerë, nuk i paskan lënë serbët dhe shqiptarët që vetë të provojnë të arrijnë zgjidhje. Kemi ardhur në pikën ku ata që e kanë ndihmuar Kosovën të bëhet shtet të qortohen se nuk mund ta kundërshtojnë ndarjen e Kosovës, apo ndryshimin e kufijve, nëse vetë Kosova është e gatshme të pranojë. Edhe ata që e kanë njohur deri tash Hashim Thaçin pyeten se “çka po ndodh me atë njeri” dhe “çfarë ideje ia kanë futur atij në kokë? Sepse Mogherni dhe ekipi i saj nuk i kanë në qejf “ishat”, pra “ish” politikanët me përvojë që janë marrë me çështjen e Kosovës deri më tash, e që nuk kanë prodhuar një zgjidhje të pranueshme.
Gabojnë kur mendojnë se nuk është provuar sa duhet. Madje, siç i ka thënë në vitin 2008 “Kohës Ditore” ambasadori gjerman Ishinger, si përfaqësues i BE-së në procesin e negociatave të udhëhequra nga Trojka, ku ishin edhe SHBA-ja dhe Rusia, edhe ndarja e Kosovës ishte përmendur në bisedime, por nuk ishte pranuar. Me pranimin që të kërkohet “një zgjidhje tjetër përfundimtare”, pranohet se statusi i tashëm i Kosovës, në kufijtë e tashëm, nuk na qenka përfundimtar. Kështu tingëllon në veshët e atyre që janë marrë me vite me rastin e Kosovës, pa marrë parasysh se çfarë kanë në mendje udhëheqësit politikë të sotëm të Kosovës. Atyre më nuk u beson askush as në bashkësinë ndërkombëtare. Nuk i marrin seriozisht as kur thonë se “nuk do të ketë ndryshim të kufijve e as shkëmbim territori”. Nuk i marrin seriozisht, sepse tepër joseriozë u duket qëndrimi se Kosova nuk do të heqë dorë nga asnjë pëllëmbë e territorit të saj, por Presheva, Bujanoci dhe Medvegja do t’i bashkohen Kosovës.
Gjithnjë e më shumë flitet për mundësinë e zgjidhjes. Madje përmendet edhe Konferenca në Paris, ku do të shënohet 100-vjetori i përfundimit të Luftës së Parë Botërore, si një afat i duhur dhe një koincidencë e mirë që dy presidentët të arrijnë “marrëveshjen e paqes”.
Por askush nuk e di se cila do të jetë ajo marrëveshje, druajn që, nëse ajo marrëveshje përmban edhe ndryshimin e kufijve, atëherë nuk do të përmbyllë një problem, por do t’i hapë 100 probleme të tjera, jo vetëm Kosovës e rajonit, por edhe më gjerë. Dhe ta supozojmë se arrihet marrëveshja, kush, kur dhe si do ta zbatojë atë. Mogherinit gjithsesi më së paku do t’i interesojë, sepse ajo së shpejti do të bëhet “ish” sikurse sot “ish” është baronesha Ashton. Edhe pse Hashim Thaçi është “ish” si kryeministër dhe ministër i Jashtëm, ai tash është president dhe ai është i vetmi që në procesin e dialogut e ka vazhdimësinë si njeriu kryesor që vendos në emër të Kosovës. E nëse Haradinaj, Veseli dhe Limaj mendojnë se nuk ia kanë dhënë pëlqimin e kanë gabim, sepse kjo në Bruksel nuk ndihet fare, dhe së paku rrethi i Mogherinit beson se Thaçi e ka edhe pëlqimin e tyre për të kërkuar zgjidhjen përfundimtare në negociatat me presidentin e Serbisë, Vuçiq.
Përfaqësuesja e lartë, Federika Mogherini, vazhdon të besojë se zgjidhja është e mundur mes Kosovës dhe Serbisë, por nuk thotë se cila është ajo. Ndoshta duhet të presim që edhe Mogherini të bëhet “ish përfaqësuese e lartë” që ta kuptojmë qëndrimin e saj. Siç e kuptuam qëndrimin e Robert Cooperit, arkitektin kryesor të dialogut në Bruksel, se “bashkimi i veriut të Kosovës me Serbinë do të ishte pranim i realitetit në terren”.
Nga zyra e Mogherinit na thonë se zgjidhja duhet të jetë “në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, në pajtim me parimet e BE-së, rezultat i pajtimit të dyja palëve, e qëndrueshme dhe realiste”. Por për secilin nga këto kushte ka interpretime të ndryshme dhe shpesh të kundërta.
Për shembull, kushti që zgjidhja të jetë “në përputhje me të drejtën ndërkombëtare!”, a nuk është Pavarësia e Kosovës në përputhje me të drejtën ndërkombëtare? Çfarë ka bërë dhe çfarë po bën sot Mogherini që të kërkojë nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë një gjë të tillë, pasi që edhe GJND-ja (pra autoriteti kryesor për interpretimin e së drejtës ndërkombëtare) ka thënë se pavarësia nuk shkel të drejtën ndërkombëtare. Nuk bën asgjë. Madje bashkëpunëtorët e saj i falënderojnë Spanjën dhe Qipron për mosnjohjen e Kosovës, sepse në këtë mënyrë e paskan shpëtuar rolin e BE-së në rajon dhe e kanë bërë BE-në të jetë “neutrale” në mënyrë që sot të mundë të jetë edhe ndërmjetësuese në dialog.
Ta marrim për shembull edhe kushtin që zgjidhja të jetë “realiste”. A nuk shpreh Pavarësia e Kosovës, me të drejtat maksimale për serbët dhe trashëgiminë e tyre kulturore në Kosovë, njohjen e realitetit? Apo me këtë mendohet në ndarjen e Kosovës, pa bashkimin e asaj që mbetet as me Preshevë, Bujanoc e Medvegjë e pa bashkim as me Shqipërinë e as me pjesë të Maqedonisë dhe Malit të Zi. Sepse për ata që kanë pasur rolin kryesor në dialog gjithmonë bashkimi i veriut të Kosovës me Serbinë ka qenë “pranim i realitetit në terren”, ani pse përmes dialogut është bërë gjithçka që ky “realitet” të mos ndryshohet, por përmes dialogut të çimentohet ndarja. Por bashkimi i tri komunave nga Lugina nuk duket “reale”, sepse përderisa Serbia kontrollon veriun e Kosovës ndërsa Kosova nuk e kontrollon atë pjesë të saj, Kosova nuk e ka kontrollin në Luginën e Preshevës, ndërsa Serbia e kontrollon atë pjesë. Shumë diplomatë perëndimorë na thonë se “nuk besojnë se Thaçi beson se Lugina e Preshevës mund të bashkohet me Kosovën, ndërsa Kosova të mos japë asnjë pjesë të territorit të saj”, prandaj edhe pyesin se “çfarë ka në mendje ai njeri?”
Të mos flasim për pajtimin e zgjidhjes me standardet evropiane, sepse edhe vetë ato standarde tash janë të diskutueshme edhe në BE. Por nëse mendohet për parimin e mosndarjes së territorit në vijat etnike, atëherë kjo do ta përjashtonte edhe krijimin e autonomisë territoriale për Serbinë në Kosovë, që duket se do të jetë opsioni i zgjidhjes së ardhshme, ndërsa idetë për ndryshim kufijsh janë vetëm për të arsyetuar krijimin e një autonomie të tillë brenda Kosovës, nëse ajo autonomi do të ishte në baza etnike.
Kështu tash, në pritje të 100- vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore dhe zgjidhjes “historike” për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, mbetemi mes bindjeve se zgjidhja është e mundur së shpejti dhe realiteti, gjykuar në bazë të asaj që del në publik, se ajo nuk është dukur kurrë më lart se tash. Dhe si gjithmonë aktorët kryesorë përgatisin terrenin që për vete të marrin meritat për sukses eventual dhe të kenë fajtorët në rast të dështimit. Në rastin e Serbisë, Vuçiqi do të jetë ai që do t’i ketë meritat, ndërsa ai tashmë i ka identifikuar si fajtorë kancelaren Merkel dhe “palën shqiptare” dhe ata që nuk duan ndryshim të kufijve. Ndërsa Thaçi do t’i gjejë fajtorët brenda Kosovës nëse dështohet e nëse arrin marrëveshje, para bashkësisë ndërkombëtarë do t’i marrë meritat, ndërsa partnerëve në Kosovë, kushdo që të jenë ata sot apo nesër, do t’ua lërë përgjegjësinë për të zbatuar atë që do të pranojë Thaçi. Bazuar në gjithë procesin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, edhe nëse arrihet ndonjë marrëveshje, sidomos nëse ajo përmban ndryshim kufijsh, apo vetëm “korrigjime”, zbatimi do të kërkojë disa vjet. Nëse dy popuj miq dhe dy vende mike, që kurrë nuk kanë pasur problem mes vete, si Sllovenia e Kroacia, as pas 30 vjetësh nuk mund ta zgjidhin një kontest të vogël të demarkacionit të kufirit, do të ishte vërtet një mrekulli që këtë ta bëjnë Kosova dhe Serbia, madje vetë pa presionin e askujt.
Edhe në kohën e Milosheviqit Beogradi thoshte se “duhet të merremi vesh me shqiptarët”, por Kosova insistonte në përfshirjen ndërkombëtare. Ani pse Vuçiqi sot pranon se i kanë “injoruar dhe nënçmuar interesat e të tjerëve në rajon”, ai dhe bashkëpunëtorët e tij vazhdojnë të thonë se “nuk janë problem shqiptarët, me të cilët shumë lehtë do t’ia dilnim, por mbështetësit e tyre”. Koha.net

Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...