Kosovarët të zhgënjyer me BE-në, por nuk e humbin dashurinë për të

E Enjte, 20 December 2018 19:00

Nga Agustin Palokaj

Nuk u takon liderëve të Kosovës që tash të shprehin mllefin ndaj BE-së për zgjatjen deri në pakufi të liberalizimit të vizave. Këtë të drejtë e kanë vetëm qytetarët e Kosovës, të cilët kanë të drejtë të jenë të zhgënjyer edhe në liderët e tyre, por edhe në Bashkimin Evropian.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në cilësitë e mëparshme si kryeministër dhe zëvendëskryeministër, po del se ka pasur të drejtë kur ka thënë se Kosova “në afat rekord” do të arrijë liberalizimin e vizave. Vërtet po dëshmohet se Kosova ka thyer rekordin për nga kohëzgjatja e procesit dhe mund të stoliset me titullin e kampionit në rajon për këtë. Por ta lëmë anash ironinë ndaj udhëheqësve politikë të Kosovës, të cilët qëllimisht, me ndihmën e disa zyrtarëve të lartë të papërgjegjshëm dhe manipulues të BE-së, kanë manipuluar qytetarët e Kosovës duke u premtuar se “sapo nuk janë hequr vizat”.
Tash e sa vite zyrtarët e BE-së përdorin fraza se si procesi është “në fazën finale”, por kjo finale sikur gjithmonë përfundon baras dhe luhet lojë shtesë e pafund. Për premtimet e liderëve politikë të Kosovës për data nuk ia vlen të flasim. Ose ata e kanë ditur se nuk do të ketë liberalizim dhe kanë manipuluar qëllimisht. Ose janë aq naivë saqë nuk e kanë kuptuar se nuk do të ketë liberalizim. Në asnjërin variant ata nuk do të duhej të ishin krenarë.
Por nuk u takon liderëve të Kosovës që tash të shprehin mllefin ndaj BE-së për zgjatjen deri në pakufi të liberalizimit të vizave. Këtë të drejtë e kanë vetëm qytetarët e Kosovës, të cilët kanë të drejtë të jenë të zhgënjyer edhe në liderët e tyre, por edhe në Bashkimin Evropian.
Një gjë duhet ta kemi të qartë: nuk është e sinqertë as BE-ja kur përmend arsyet për mosliberalizim të vizave, por nuk janë të sinqertë as udhëheqësit kosovarë kur thonë se vërtet Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet, sidomos atë të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivelin e lartë. Por as ky kusht nuk është arsye pse kosovarët nuk mund të lëvizin pa viza. Sikur që tash Kosova të fusë në burg të gjithë politikanët e korruptuar, t’ua marrë atyre gjithë pasurinë e krijuar në mënyrë të jashtëligjshme, vizat nuk do të hiqeshin së paku deri në verën e vitit të ardhshëm. Nuk duhet të jesh shumë i zgjuar dhe të kesh shumë burime për të kuptuar një gjë të tillë.
Asnjë vendim për liberalizim vizash për Kosovën nuk do të miratohet deri në zhvillimin e zgjedhjeve evropiane në fund të muajit maj të vitit që vjen. Edhe po të miratohet menjëherë pas këtyre zgjedhjeve, gjë që nuk pritet, do të duhej disa muaj për hyrje në fuqi dhe kështu, dalëngadalë, do të shkojë edhe viti 2019 dhe do të hymë në vitin 2020. Pra, vit pas viti i njëjti tregim.
Nuk është e vërtetë se populistët në përbërjen e ardhshme të Parlamentit Evropian do të rriten aq shumë saqë do të mundë të bëjnë problem për liberalizimin e vizave për Kosovën. Sepse partitë e Qendrës, qoftë të majtë apo të djathtë, krahas liberalëve dhe të gjelbërve, do të kenë shumicën, shumë të madhe. E në anën tjetër Parlamenti Evropian tashmë e ka dhënë pëlqimin për liberalizimin e vizave për kosovarët dhe sikur të pyetej ky institucion i BE-së vizat do të ishin hequr para shumë vitesh. Nuk mund të ketë ndikim ky vendim as në zgjedhje. Kujt do t’i interesojë në Suedi, Portugali apo Francë e Gjermani se a u janë hequr vizat kosovarëve apo jo kur të dalin për të votuar në fund të muajit maj për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Parlamentin Evropian. Edhe ashtu interesi i qytetarëve të BE-së për këto zgjedhje është në rënie, gjithmonë dhe tash në to mesatarisht dalin vetëm rreth 40 për qind.
Kosovarët, ndonëse nuk është lehtë, nuk do të duhej të ishin xhelozë ndaj të tjerëve. Por kanë të drejtë të pyeten se si një shtet si Moldavia, që nuk kontrollon tërë territorin e vet, është po aq e varfër sa Kosova, ka problem me korrupsion dhe nuk ka të premtuar kurrfarë të ardhme të integrimeve në BE, ka liberalizim vizash e Kosova jo. Ukraina dhe Gjeorgjia, nuk i kontrollojnë kufijtë e tyre dhe kanë pjesë të territorit të okupuar e kanë liberalizim vizash. Kanë nivel të lartë të korrupsionit, po ashtu. Ka edhe entitete që nuk janë shtete, që janë jashtë kontinentit të Evropës, e që kanë liberalizim vizash. Pse atëherë kosovarët kanë mbetur duke pritur?
Do të ishte e tepruar, dhe mbase e pasaktë, të lidhen këto probleme me ndonjë qëndrim të qëllimshëm diskriminues të BE-së ndaj kosovarëve. Nuk duhet besuar se dikush nga BE-ja i urren kosovarët, ka frikë nga ta dhe nuk do t’ua liberalizojë vizat.
Problemi qëndron tek humbja e rastit të duhur kur ka mundur të bëhet liberalizimi, duke pritur një rast më të mirë, e rasti më i mirë nuk vjen. Kjo ndodh gjithmonë me BE-në edhe në rastin e zgjerimit, edhe në cilindo proces. Sa më vonë që të vijë dikush në proces aq më vështirë do ta ketë ta arrijë qëllimin, aq më shumë kushte do të ketë e aq më shumë do të zgjasë procesi. Kroacisë i zgjati procesi i anëtarësimit në BE më shumë se shteteve të tjera që hynë më herët, ndërsa tash Malit të Zi e Serbisë po i zgjat më shumë, e atyre që do të vijnë më vonë do t’u zgjasë shumë më shumë.
Në BE shpesh përdoret thënia “nxjerrja e mësimeve” dhe ka shumë qarqe që mendojnë se ka pasur gabime edhe gjatë procesit të zgjerimit të BE-së, e edhe gjatë liberalizimit të vizave. Pastaj, për këto gabime BE-ja nuk i dënon ata që tashmë kanë përfituar, por ata që vijnë pas tyre. Kështu Kosova, në një mënyrë, po e paguan çmimin se ka mbetur si e vetme pa liberalizim vizash dhe vjen pas shteteve si Shqipëria, Maqedonia e Serbia nga të cilat ka pasur në mënyrë masive keqpërdorime nga ana e qytetarëve të liberalizimit të vizave, duke ardhur në vendet e BE-së dhe duke kërkuar azil.
Por disa shtete të BE-së e kanë më lehtë të mos lejojnë liberalizimin e vizave me kosovarët, sesa të nisin procesin e kthimit të vizave për vendet e tjera të rajonit. Dhe nuk shohin ndonjë nevojë që t’u arsyetohen qytetarëve të Kosovës. Këtë e dinë edhe zyrtarët e BE-së, si komisari Hahn dhe përfaqësuesja e lartë Mogherini, prandaj nuk është e kuptueshme pse u kanë ndihmuar politikanëve kosovarë që të manipulojnë me qytetarët, duke krijuar kështu pritje të mëdha dhe me këtë edhe zhgënjim të madh tash kur pritjet nuk realizohen.
Por as kjo nuk i kthen kosovarët kundër BE-së. Ata vazhdojnë të jenë qytetarët më pro BE-së në rajon. Janë të zhgënjyer me BE-në, por jo kundër saj. Nuk e kanë humbur dashurinë dhe nuk kanë ndonjë orientim dhe synim tjetër pos BE-së, edhe pse nuk po e ndiejnë dashurinë edhe nga ana tjetër.
BE-ja në këtë mënyrë po i mban të dënuar dhe izoluar qytetarët e thjeshtë të Kosovës, të cilët të vetmin faj që e kanë mund të jetë vota e tyre e dhënë për strukturat politike. Por ata që vërtet janë përgjegjës, qofshin udhëheqës politikë apo pjesëtarë të strukturave të kriminalizuara, nuk e kanë problem as të marrin vizat, as të udhëtojnë pa viza e as të pajisen me pasaporta të shteteve për të cilat nuk ka nevojë viza. Koha.net

Modifikuar më E Enjte, 20 December 2018 19:01
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...