Kur fjala dhe e njerëzishmja nuk funksionojnë...

E Enjte, 14 February 2019 18:53

Nga Eden Babani, Bruksel


Prej afro dy javësh, sot dita ka shkëlqyer në Bruksel qysh me lindjen e diellit. E çuditshme paksa, pas më se dy javësh me vranësira, me shira të lehtë, por të vazhdueshëm, dhe me lagështirë që të mpijnë gjymtyrët, kokën, gjithë trupin. Humorin, po e po. Dhe kur ndihesh i çliruar nga mpirja e me humor të mirë, ke dëshirë të flasësh dy fjalë me miq e shokë, të mësosh ç’ bëhet e ç’ flitet kafeneve të Tiranës në prag të protestës, pse jo, të shkëmbesh edhe qyfyre e shaka që zor se i gjen dot këtu me atë bollëk që i prodhon gjaku dhe mentaliteti ynë mesdhetar.
Me këtë nijet, i telefonova një mikut tim gazetar në Tiranë. Ndonjë të re? Shën-Valentini, po e po, por edhe e enjte, ditë parlamenti... Do më të reja? More lëri përrallat e më thuaj ç’ flitet dy ditë përpara protestës... Ç’ përralla derëbardhë! Paraprakisht, sot do kërkohet lyerja me bojë e sorrave të bardha të Edi Ramës. Ha-ha-ha-ha!... Qenke në qejf, ia preva shkurt dhe mbylla telefonin, të lidhesha me dikë tjetër më të ftilluar. Nuk qe e thënë. Sekretaritë telefonike, gjithë po me të njëjtin avaz: “Thirrja juaj po transferohet”, ose “Personi që kërkoni, mund të ketë fikur telefonin”, ose “Numri që ju kërkoni është i paarritshëm për momentin”.
E flaka telefonin mbi divan dhe iu sula kompjuterit, deri që të nxehej moti paksa e të dilja për t’u përballur me rutinën e së përditshmes. Por, sërish, nuk qe e thënë. Ajo çka ndodhi në Parlamentin e Shqipërisë sot, m’i zhbëri të gjitha planet. Aq më mirë.
* * *
Në foltoren e Parlamentit, po fliste Lulzim Basha. Nuk e shoh me vend të përmend çka tha. Veç dua që shkarazi të vë në dukje faktin se Basha gjysmën e kohës prej njëzet minutash në dispozicion për të folur, ia kushtoi tematikës për të cilën ishte mbledhur Parlamenti. Madje, duke njohur mirë kodin shqiptar të mikpritjes, e shpalosi atë si shqiptari shqiptarit, duke iu drejtuar njerëzishëm Kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë Veriore edhe me urimin për ftesën e vendit të tij në NATO, edhe duke i shfaqur ngushëllimet e rastit për viktimat e aksidentit rrugor, një ditë më parë.
Kryeministri Rama, në vend që të ndiqte fjalën e liderit të opozitës së bashkuar në përshtatje me etikën politike e parlamentare, u mor me shkarravinat e tij të preferuara. Mbase ka ndërmend të hapë ndonjë ekspozitë në e viset e pasura të Gjiut Persik a kushedi se ku, mendova. Ku dihet?!
Nuk po përçart. Ndiqni videon dhe do të vëreni se, teksa fliste Basha, dora e tij e djathtë nuk shkruante, por vizatonte sipër një cope letre a, si rëndom, sipër ndonjë dokumenti zyrtar. Shkonte nga e majta, në të djathtë ose nga lart, poshtë e anasjelltas, duke përvijuar drejtëza e kurba me pika “inflexioni” që ndërronin rrumbullakësinë e kurbës së jashtmi e së brendshmi, sipas rastit, derisa vinte çasti që të mbushte hapësirat e zbrazëta me vija horizontale, vertikale a tërthore. Po, po! Ndiqeni videon! Po deshët pyesni edhe zëvendës-kryeministrin Braçe, nga e djathta e Ramës, ose ministren Spiropali, nga e majta. Mund të pyesni edhe Kryetarin e Parlamentit, i cili duhet ta ketë ndjekur skenën së lartmi, si me qenë skifter i maleve të Këndrevicës. Unë e di çka do të thonë, por ani. Kush të dojë, le t’i pyesë. Janë tre dhe zor të jenë të tre në një fjalë, sidomos po u zunë apansëz.
Kështu deri rreth minutës së nëntë a të dhjetë të fjalës së Bashës. Me ta hedhur fjalën lideri opozitar në problemet e politikës së ditës e me të hapur grykën e thesit të akuzave, me të cilat s’ka shqiptar këtej e andej kufijve shtetërorë që të mos jetë njohur ca nga ca e ditë përditë, Kryeministri u shpërfytyrua. Flaku lapsin a stilolapsin që kishte në dorë, bëri ca grimasa e lëvizje të pakontrolluara dhe filloi të shkruante diç, të ta thoshte mendja se përgatitej të përballej me akuzat. Të shkruante, them! Jo të vizatonte. E theksoj. Ndiqeni videon, dhe do të bindeni. Mirëpo, kur kërkoi fjalën dhe drejtuesi i seancës parlamentare ia dha, bëri të kundërtën e asaj çka pritej. I kërkoi ndjesë mikut nga Shkupi, për “fëmiun”, - fëmijën pra, - që s’di çka flet.
Është interesante ta ndjekësh videon. Unë e kam ndjekur disa herë dhe më dëgjohet “miun”, jo “fëmiun”. Ndiqeni dhe ju dhe do të bindeni se fjalën “fëmiun” e shqiptoi tê gjymtuar si me apostrof “f’ miun”, që mos të dëgjohej qartë. Nuk ka sesi shpjegohet që një njohës i mirë i gjuhës shqipe, siç është Edi Rama, të gërmojë në të folmet e Veriut, madje edhe të apostrofojë fjalën jashtë çdo rregulli gjuhësor, veçse nga dëshira për të fyer liderin e PD-së, një paranojë së cilës nuk i ndahet dot.
Kjo do të ishte njëra anë e ligësisë që ka filluar të zbrazë Kryeministri ynë gjithnjë e më frikshëm. Ana tjetër është përzierje llahtarie: edhe ligësi, edhe shfaqje mitomanie, edhe marrëzi. Sepse, çne Kryeministri t’i kërkonte falje Kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë së Veriut kur në sallë ishte fizikisht homologu i tij i Shqipërisë, aq më tepër që ky i fundit e drejtonte seancën parlamentare.
* * *
Pastaj ndodhi ajo që ndodhi. Edi Paloka, Edi Rama, bojatisja, Spiropali me do pika boje në fytyrë, shamia e saj e refuzuar, rojet e Gardës... Çfarë telepatie e mikut tim gazetar! Që t’i shkonte deri në fund humorit tim të mëngjesit, tha se parashikohej të bojatiseshin sorrat e bardha të Kryeministrit piktor. Ani, pra. Nuk u bojatisën sorrat e zografisura nga piktori, por vetë Kryeministri piktor. Kurse mua më la agjendën ditore pa e realizuar.
Aq më mirë, sepse m”u dha rasti të përshëndes së largu Edi Palokën. Të lumtë dora, Palokë! Kur fjala nuk funksionon, boja po. Kur e njerëzishmja, përdhoset, boja është melhem. Ti mund të kishe hedhur edhe tjetër soj produkti mbi atë që veç përbuz e përqesh të tjerët, por nuk ta lejon fisnikëria e familjes që të ka rritur e të ka edukuar.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...