Frika u vra njëherë e mirë

Diel, 17 February 2019 18:48

Nga Eden Babani, Bruksel

* * *

Frika u vra. Ajo u vra përfundimisht, duke marrë me vete edhe kërpudhën e famshme “vepër arti”, e cila deri dje simbolizonte startin e grabitjes së miliona eurove nga xhepat e shqiptarëve në dobi të disa hajdutëve të lidhur me Edi Ramën qysh atëherë kur kryesonte Bashkinë e Tiranës. Duhej vrarë “vepra” ndjellakeqe njësh me frikën. Nuk mund të mbijetonte kurrsesi njëra, pa tjetrën, siç nuk mund të jetojnë dy binjakë Siamezë të ngjitur për organesh jetëdhënëse. Njëra do të merrte me vete edhe tjetrën. Do ta merrte se s’bën, që të shpërthente befasisht Kryeministri “artist” dhe ta shqyente maskën me duart e veta: “Ndjesë Carsten, kjo s’është Shqipëria, këta s’janë shqiptarët”.

Shqip, kësaj i thonë fshati le të digjej, ata të dy të kriheshin. Njëri të krihej në Vlorë, i strukur si në vrimën e miut. Tjetri një zot e di se ku. Në vendlindje, Belgjikë? Në Gjermani, si gjerman me kombësi gjermane? Apo në Suedi? Mos qoftë e thënës të binte në nivelin e atij “nomadit shqiptar” thonjpaprerë të njëherë-e-një-kohe poshtë urave të lumit Sena, i cili kollofiste makarona si i babëzitur.

A ka konsideratë më fyese sesa kjo, e bërë nga një Kryeministër për mijëra qytetarë që ndoshta i kanë dhënë edhe votën?

Sipas përfytyrimit artistik të Kryeministrit tonë, Shqipëria na qenka fasada e shpërfytyruar e Selisë Qeveritare, - një ndër institucionet më të rëndësishme të vendit, - e ndriçuar me drita të fuqishme neoni si me qenë disko, ku vihen e hiqen lloj-lloj tablosh me figura të përçudnuara të artit abstrakt, ku buçet muzika e shitet droga mbi dorë e nën dorë, ku mund të shpërthejnë lirshëm gjithfarësoj orgjish ose krimesh. Kurse shqiptarët, sipas përfytyrimit të gjymtuar të të njëjtit Kryeministër, nuk janë ata që tronditën themelet e shtetit të tij arrogant, por skuthat me maska nëpër tarraca, që lëshuan gazra helmuese, urdhëruar jo nga Ali-Kimiku i Sadamit, por nga krerët e policisë së shtetit shqiptar. 

Shqiptarët që vuajnë për bukën e gojës, nuk ia kanë ngenë ende të merren me luksin e të përdalave, që lahen e shpëlahen, lyhen e përlyhen e pastaj krihen e pispillosen që të dalin e të shesin kohë e pa kohë hiret e tyre. Jo! Ata janë tepër të papërgatitur që të shijojmë “kërpudha artistike”, teksa u mungon buka e gojës.

* * *

Frika u vra përfundimisht. Atë e vranë dhjetëra-mijëra qytetarë, si askurrë gjatë këtyre tri dekadave të fundit. E vranë qetësisht, duke shpalosur në Kryeqytet zemërimin e tejskajshëm që buron orë e çast cep më cep Shqipërisë. E shfrynë me duf helmin e mbledhur pikë e nga një pikë në gjakun e tyre, por brena caqeve të qytetarisë, duke përfaqësuar me dinjitet edhe shumë prej nesh që jetojmë larg vendlindjes, në kushtet e privimeve që na ndikon çdo ditë emigracioni.

Njësh me vrasjen e frikës, them se u vra njëherë e mirë edhe besimi idiot – do të thosha – ndaj këshillave që na adresohen pa kursim neve, shqiptarëve, nga nivele të ndryshme të botës diplomatike.

Ndonëse kodi i mikpritjes ua kufizon politikanëve tanë mundësinë e përgjigjes, nuk ka përse ne, qytetarët e lirë, ta marrim çdo “këshillë” të tyre sikur Zoti ta kishte thënë me gojën e vet. Në fund të fundit, ata janë të detyruar të përkujdesen më shumë për paanësi sesa për anësi ndaj njërës palë, shumicës qeverisëse ose pakicës opozitare, edhe nëse situata politike është në përmbysje e sipër. Kësisoj, jo rrallë ata bien në kundërshtim me vetveten, sikundër ndodhi dje me diplomatin që përfaqëson vendin ku “jelekverdhët” po i punojnë qindin pronës private e asaj publike, teksa përplasjet inatçore deri në gjakderdhje polici-jelekverdhë po zënë çdo të shtunë ekranet dhe faqet e mediave më të njohura të botës. E njëjta ndodhi edhe me atë diplomatin tjetër që, ndonëse jo përfaqësues i vendit të vet, duket se pati zënë sy e veshë njëherësh dhe as pa, as dëgjoi se çfarë bënë javën e shkuar barinjtë sardë, (Sardenja, regjion autonom i Italisë, vendit të origjinës së diplomatit në fjalë) me qumështin e importit, vetëm e vetëm për të rritur disa qindarka litrin e qumështit që ata prodhojnë.

S’do mend, ai që s’e ka të keqen në trupin e vet, nuk ka sesi të ndjejë të keqen e tjetrit, edhe se ai tjetri zvarritet këmbadoras.

* * *

Protesta e djeshme, bashkë me frikën vrau njëherë e mirë edhe mitin e dalëboje për “policinë që duam”. Ajo bindi gjithkënd se dhunën e provokoi policia dhe jo protestuesit.

A nuk është kjo një ndër arritjet më domethënëse të protestës?

U irritua vërtet një grusht protestuesish nga masa e madhe dhjetëra e dhjetëra-mijëshe që mbushte Bulevardin Dëshmorët e Kombit nga Sheshi Skënderbe, deri te Presidenca e te Universiteti Politeknik. Por edhe ata njëqind a dyqind protestues të irrituar reaguan brenda kufijve të qytetarisë.

Kjo, pra – qytetaria - ishte bash “fuqia nukleare” së cilës iu referua simbolikisht dhe me aq finesë politike Dr. Berisha. Në rast të kundërt, “shpërthimi nuklear”, ashtu siç po e shohin me syzet e tyre dhe siç po e komentojnë herë me dashje, herë hidh gurin e fshih dorën disa analistë e gazetarë që përpiqen të gjejnë dhjetë e kusur arsye “dështimi” të protestës, do të kishte pasur efektet katastrofike të Hiroshimës ose të Nagasakit.

Nuk ma merr mendja se katastrofa të tilla i vlejnë kujt. Nuk do ta do ta dëshironte atë lloj katastrofe asnjë gjallesë në botë, jo një shqiptar i përkushtuar vendit e demokracisë. Sigurisht, nuk do ta dëshironin edhe ata, gazetarët e analistët që përpiqen shpresëhumbur të peshkojnë ujërave të zeza arsyen e mosarsyes.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...