Filozofi shterpë, politikë shterpë dhe shterpësi zgjidhjesh

Hënë, 04 Mars 2019 19:24

Nga Eden Babani, Bruksel

Ashtu të quajturit Samit i Diasporës, tashmë i ka dalë boja përfundimisht. Nisur së këndejmi, ky shkrim as shton, as heq xheç në pafundësinë e të vërtetave, - pse jo, edhe të akuzave, - që ka shpalosur diaspora shqiptare këtej dhe andej Atlantikut. E tepërt edhe të humbësh kohë për ta demaskuar atë farë soj spektakli të ideuar nga vetë Kryeministri Rama, por të vënë në skenë nga Pandeli Majko, një hiç-ministër, i cili, si edhe gjithë të ngjashmit e tij të tjerë në qeverinë “rilindëse”, - ca kukulla “pe lecke”, siç themi ne, korçarët, - s’mban tjetër veç hapset e kashtës për diasporën.  

Ndërkohë, gjykoj se shkrimi im nuk vjen as si kofini pas të vjelave. Atë ma ka nxitur një shkrim i këtyre ditëve i autorit Erl Kodra, botuar në Syri.Net: “Pandeli Majko braktis Edi Ramën!”

Jo sepse nuk e kuptoj metaforën që ngërthen shkrimi i Kodrës. As sepse unë bie ndesh me ironinë e hollë që e përshkon atë fund e krye. Madje, as sepse dua të polemizoj me autorin. Përkundrazi. Qasja ime ndaj bëmave dhe mosbëmave të zotit Majko përkon me atë të autorit. Por, a thua me gjithë mend mund të besojë kush se ka ndonjë shans të nxitet sedra e Ministrit të sotëm për Diasporën, duke pasur parasysh ca punë të mira që ka bërë dikur? S’duhet harruar se shkrimin e lexojnë edhe ata që i kanë mendtë në kokë, edhe ata që i kanë flakur s’dihet ku e për ç’ arsye. Ka edhe nga ata që s’e lexojnë fare, veçse i hedhin një sy titullit. Aq më tepër që fjala është për do punë të mira të dikurshme, ende pa rënë zoti Majko në rrjetën e pistë të qeverive Rama 1 e 2, të cilave u ka shërbyer dhe po u shërben symbyllazi, pavarësisht ndonjë vickle të herëpashershme, ndoshta në kushte brejtjeje të ndërgjegjes, ndoshta për të krijuar idenë e “mendimit ndryshe” brendapërbrenda klanit “Rilindja”.

Që ta nxitësh tjetrin në sedër, duhet që ai tjetri të ketë sedër. Edhe që atë tjetrin ta brejë ndërgjegjja, duhet që të ketë ndërgjegje. Unë dyshoj se zoti Ministër për Diasporën i ka të turbullta paksa këto dy nocione të qenësishme të personalitetit të njeriut, në mos i ka bjerë, qysh se pranoi të bëhej pjesë e klanit. Më saktë, qysh se nuk gjen guximin ta braktisë atë fole të krimit.

Nuk di nëse emri i autorit (Erl Kodra) është i vërtetë apo pseudonim. Gjithsesi, për të shmangur ndonjë keqkuptim me të, shtoj plot gojën se tekstet e nënshkruara prej tij i lexoj gjithë ëndje, qoftë për “goditjet” e drejtpërdrejta që shënjon, qoftë për stilin e admirueshëm gazetaresk, qoftë për gjuhën e kultivuar letrare që e karakterizon, qoftë për këndvështrimin nga niset, çka përkon me këndvështrimin tim.

* * *

Teksa ndiqja përmes shtypit parapërgatitjet e Samitit, ndesha në shkrimin: “Pse liderët na tradhtojnë rrugës së pushtetit?” (Koha Jonë, 23 shkurt 2019). Ishte fjalimi i   ministrit të Shtetit për Diasporën, në takimin e “Leadership Development Association Albania & Kosova” (Shoqata për Zhvillimin e Lidershipit në Shqipëri dhe Kosovë), mbajtur në Tiranë po atë ditë, 23 shkurt. Nisur nga titulli, e perceptova me dyshim pozën e shtirë politike të zotit Majko. Teksti më bindi se kisha të drejtë.

Nuk di nëse titulli është i vetë oratorit, apo është zgjedhur prej botuesit. Në të dyja rastet, nuk pajtohem me të. Nëse e ka zgjedhur botuesi, besoj se do të jetë shtyrë nga përfitimet (marketing) e mundshme në fushën e konkurrencës mediatike. Them kështu, sepse titulli sa “të kruan” kur e ndesh për së pari, aq të zhgënjen pasi njihesh me tekstin. Nga ana tjetër, nëse titulli është i zotit Ministër, do të dëshiroja që ai të ishte prononcuar qartazi lidhur me qasjet e veta ndaj liderëve të caktuar politikë, të cilët janë implikuar në krizat e sotme në Shqipëri dhe në Kosovë.

Nuk mund të mohohet ngërçi i situatës politike në Shqipëri, këqyrur edhe nga lëvizja e detyruar e opozitës për djegien e mandateve parlamentare. Mirëpo, dukuria në fjalë kërkon domosdo një shpjegim. Kurse shpjegimi duhet kërkuar pa derman në emra dhe mbiemra të veçantë liderësh që manipulojnë jetën politike të vendit. Kujt po i shërben shitblerja e gjithçkaje që mund të blihet e të shitet në Shqipëri në fusha nga më të ndryshme të jetës, që nga vendet e lira në Parlament, në organet administratës shtetërore e të drejtësisë, deri te shpirtrat ende të gjallë të njerëzve të kredhur në skamje të tejskajshme? Në mos jo mazhorancës qeverisëse, kujt tjetër do t’i interesonte, opozitës? Në mos jo korrupsionit dhe krimit të organizuar që po zbrazin frikshëm xhepat e shqiptarëve nga ora në orë nën mbrojtjen e shtetit të kapur nga zgjatimet vdekjeprurëse të kancerit-mafie, kujt tjetër? Sa për opozitën dhe lidershipin e saj, nuk kishte rrugë tjetër. Ose do të vetësakrifikoheshin duke e futur vendin me vetëdije në qerthullin e krizës politike, ose do të mbeteshin përjetësisht fasadë të një parlamenti të paligjshëm, fasadë e liderëve që “na tradhtojnë rrugës së pushtetit”.  

Të njëjtat pyetje, - retorike a të drejtpërdrejta, merreni si të doni, - edhe për situatën në Kosovë, me ndryshimin që atje nuk bëhet fjalë për shitblerje me vlera që shkojnë në dhjetëra në mos në qindra miliona euro. Atje bëhet fjalë për shitje tepër-tepër më  “të kripura”, të cilat nuk maten as me euro, as me dollarë. Atje bëhet fjalë për shitje të tëra territoresh etnike denbabaden shqiptare, si me qenë ngastra livadhesh private. Bëhet fjalë për lidership politik të vetëshitur tek armiqtë shekullorë të shqiptarëve, në shkëmbim të heshtjes së tyre, lidhur me ca zullume të kahershme, që një ditë do të dënohen...

Mirëpo gjatë ditëve të Forumi të mësipërm, Ministri i Shtetit për Diasporën zgjodhi metodën e rrahjes së ujit në havan, në përpjekje për t’iu shmangur problemeve reale të krizës politike, njëherësh edhe të lidershipit politik që i nxit ato. Pa pasur këllqe të bënte atë çka duhej bërë, domethënë të vinte pikat mbi “i”, ai  parapëleu të filozofojë, jo si me qenë në një forum bashkatdhetarësh që përjetojnë të njëjtat probleme të lidershipit politik, por në një konferencë akademike. “Debati për ‘liderin’ është tregues i nivelit të vetë shoqërisë dhe i marrëdhënies së saj me lirinë”, u shpreh diku. “Nuk jemi të aftë të prodhojmë lider”, tha diku tjetër. E kujt i duhen këto? Në të dyja anët e kufirit, njerëzit po e përjetojnë me dhimbje realitetin dhe nuk kanë nevojë për këso mbroçkullash me pretendime filozofike.

Sipas meje, të mos kesh guxim të thuash haptas atë çka mendon dhe së cilës i shërben, do të thotë të përjetosh çaste depersonalilizimi. Me sa duket, të tilla çaste po përjeton Ministri i Shtetit për Diasporën. Si mund të shpjegohet ndryshe parafrazimi i Kryeministrit në lidhje me protestën e studentëve “...ata, na vranë pa dhunë, siç vret vetëm dhembshuria. Na ndryshuan, pa e ditur, sa të nevojshëm ishin”?

Sa më sipër, unë e këqyr si ndjesë ndaj liderit rilindës për çka Majko ishte i detyruar të filozofonte me ndihmën e figurave historike me përmasa botërore, që nga i gjithëpushtetshmi Rishelje, te anarkizmi i Rusoit; që nga Viktor Hygoi, te Ibseni e te Tolstoi; që nga Hitleri e Musolini, te Stalini e Kastro...

* * *

Më në fund, jo për t’i ardhur në ndihmë zotit Ministër për Diasporën, sepse ai nuk ndien nga ai vesh (kujto vetëm deklaratën e Shoqatës Vatra), por për të treguar zhgënjimin e pjesës më të madhe të emigracionit shqiptar në Belgjikë, - asaj më të qenësishmes, e vjetër ose e re, jo asaj të rastësishmes me interesa të errëta, - po tregoj sesi përfundoi një nismë e Mjeshtrit të Madh të Cirkut, Arian Miluka, me banim në Bruksel.

Arian e “hëngri” njëherë, në Samitin e parë. Mori një ftesë dhe përfundoi në Samit me shpresë që ta bënte zhgjëndërr ëndrrën e tij të kahershme, ngritjen në Tiranë të Akademisë Ballkanike të Cirkut. Nuk më del shpirti pa e bërë, më tha para se të nisej, teksa shpreha mosbesim për optimizmin e tij. Dhe të mos harrojmë se Ariani u përket dy shkollave të cirkut me famë botërore, asaj kineze dhe asaj ruse. Të mos harrojmë se ai është bashkëthemelues i Shkollës së Lartë të Artit të Cirkut në Belgjikë. Ka qenë edhe Drejtor Teknik i saj, deri që doli në pension. Të mos harrojmë, gjithashtu, se pas daljes në pension Arianin e rrëmbeu fluturimthi Shkolla e Cirkut Vertigo (Scuola di Cirko Vertigo) në Piemonte, një ndër më të njohurat e Italisë, ku ushtron të njëjtën detyrë, si edhe në Belgjikë, atë të Drejtorit Teknik të Cirkut (Direttore Tecniche Circensi).

I ka ditur zoti Majko këto? E ka ditur se për Arianin, ëndrra po bëhej zhgjëndërr, siç tha ai asohere në një intervistë për TV Shijak? Besoj se po, derisa e pati ftuar sërish në Samitin e sivjetshëm. Mirëpo, i zhgënjyer nga e kaluara, Ariani e refuzoi me shumë kulturë ftesën, kinse ishte i zënë me punë e me probleme familjare. Atëherë, më lind e drejta të pyes: Me ç’ sy e faqe e ftoi sivjet, duke qenë se Arianit, prej më shumë se dy vjetësh, nuk i është dhënë asnjë përgjigje për dokumentacionin përkatës të depozituar në Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sporteve?

Ariani pati rastin të bisedonte asohere me ish Ministren, zonjën Kumbaro, gjatë ditëve të Samitit, së cilës i shpjegoi se kishte arritur të siguronte edhe fondet e nevojshme përmes organizmave përkatëse europiane, sado që këto të fundit ishin të predispozuara për ngritjen e Akademisë në Maqedoni, kurse ai i kishte bindur për në Tiranë. Por ajo “nuk kishte kohë ta priste”, kurse Ariani e dorëzoi zarfin deng me dokumente në sekretarinë e Ministrisë.

Ja, pra, pse duhen samitet për diasporën, për projekte konkrete, jo për tra-la-la. Ja edhe sesi Ministri i sotshëm përkatës luan symbyllazi me liderin hijerëndë të “rilindjes” dhe me ne, emigracionin shqiptar, shpërndarë anekënd rruzullit tokësor. Sa për një zëvendës të mundshëm të zotit Majko në kushtet e mazhorancës së sotme, nuk jam i prirë të besoj. “Rilindja e Edi Ramës, njëherësh edhe e zotit Majko, i ka ditët të numëruara.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...