Duhet kontroll mjekësor për deputetët e rinj, përveç dekriminalizimit

Saturday, 09 Mars 2019 09:42

Qytetarët shqiptarë që ndjekin me kërshëri se kush janë deputetët e rinj që tradhtuan opozitën dhe po marrin mandatet në Parlament, duhet të kenë mbetur të shtangur nga daljet e para në publik të disa prej këtyre ligjvënësve. Në emision e Ylli Rakipit, “Të Paekszpozuarit” ditën e enjte, u shfaq para opinionit, Kujtim Gjuzi, kryetar i një partie që quhet Konservatore dhe që “llotaria” listave që bëri Lulzim Basha i ra që të përfaqësojë opozitën në Kuvend. Në gati 30 minuta intervistë, Kujtim Gjuzi la pa fjalë gjithë gazetarët në studio. Deklaroi se kishte mbështetjen amerikane sepse në dorë mbante një orë të markës “Atlantik”. Tha se për të marrë mandatin dhe për të prishur gjithë aksionin e opozitës kishte folur me një nëpunës të ambasadës së OSBE, që mund të ishte dhe portierë ose shofer i institucionit. Tha se nuk kishte asnjë interes për lekë dhe nuk ishte blerë nga qeveria, edhe pse shtoi disa herë se kishte vetëm 10 mijë lekë të vjetra në xhep, si për të kujtuar se negociatat janë hapur në blerje deputetësh. Duke bërë disa herë kapërcime të frikshme logjike, përfaqësuesi i ri i Kuvendit deklaronte se ai do ishte opozita e re në Kuvend që do bashkëpunonte me Edi Ramën për interesat e vendit. Ndërsa më herët, në rrjetet sociale ka shkruar se për mandatin e ka bekuar Baba Moni dhe se tashmë Kujtim Gjuzi është lideri i ri i opozitës në Kuvend. Tha se është lider i një partie konservatore dhe se kishte luajtur futboll me ish-kryeministrin Bashkim Fino. Ai më mirë mos dilte të fliste, sepse duke mos folur nuk do ta merrnim vesh se kush ishte. Por ai doli, foli dhe iku duke pritur mandatin e deputetit.

Deputeti tjetër më i spikatur që ka marrë përsipër të bëjë detyrën e opozitës në Kuvend është Ylli Shehu. Në televizion ka dalë më pak se Kujtim Gjuzi, por ato raste kur i është dhënë mundësia ka treguar se edhe pse ka qenë më parë në Kuvend si përfaqësues i Partisë Republikane, ende nuk di çfarë bën një deputet. Herën e parë që u pyet ngatërroi emrin e komisionit ku e caktoi PS, duke shpikur një komision të ri të padëgjuar më parë, atë të “Sigurisë dhe Veprimtarive Prodhuese”. Ndërsa kur u pyet pas betimit si deputet në Kuvend nga mediat, Ylli Shehu tha një fjali që edhe pas një jave mediat nuk e zbërthejnë dot çfarë domethënie kishte. “Nuk mund të tradhtoj qindra qytetarë të Kamzës dhe Paskuqanit që më besutën dhe më votutën”, -deklaroi deputeti i ri i Kuvendit, që veç politikës njihet dhe për pasionin e tij këngët popullore dhe tallavanë. Hajde e mere vesh këtë deputet!

Emrat e tjerë që kanë pranuar mandatin, deri më sot, nuk kanë dhënë intervista dhe nuk kanë mbajtur fjalime në Kuvend. Dhe bëjnë mirë që të paktën nuk flasin, pasi nuk dihet se çfarë xhevahiresh apo idiotsirash do nxjerrin.

Në situatën ku ndodhen është mirë që të marrin rrogat, të mbyllin ndonjë pazar personal me qeverinë, të votojnë dhe të flasin sa më pak. Kujtim Gjuzi dhe Ylli Shehu janë dy modele që mjaftojnë për të kuptuar se çfarë niveli ka hyrë tashmë në parlament dhe do të flasin në emër të opozitës. Një pjesë e kritikave ndaj tyre në media dhe në rrjetet sociale mund të duken të rënda, por më shumë se sulme personale, bëhet fjalë për reagime ndaj asaj që ata duan të përfaqësojnë në Kuvend dhe në politike. Gjuzi mund të ishte njeri i respektuar nëse shihte biznesin e tij dhe Ylli Shehu mund të ishte vlerësuar si këngëtar i muzikës popullore. Por ata zgjodhën që të jenë në politikë dhe për më tepër të sillen dhe si përfaqësues të opozitës, ndaj dhe është e pashmangshme që mediat dhe opinioni t’i gjykojë për ato që thonë dhe ato që bëjnë. Përshtypja e parë që kanë lënë, veç akti të daljes kundër opozitës, është pak të thuhet skandaloze. Sigurisht përgjegjësia e parë për këtë nivel që do të ketë sot Parlamenti është e kryetarëve të partive që zgjodhën të fusin në lista njerëz që nuk plotësojnë as kriteret minimale. Duke i parë listat si qoka politike, sot po vuajnë pasojën e zgjedhjeve që kanë bërë, pasi delirantët dhe të paaftët as që e kanë problem tradhtinë politike. Marrja e mandateve kundër vendimit të opozitës zyrtare, si dhe shfaqja e një niveli lemeritës intelektual dhe politik është një leksion që partive të opozitës duhet t’u vlejë në zgjedhjet e radhës. Ndërkohë ajo që po shohin sot shqiptarët me nivelin e deputetëve ka nevojë dhe për një reflektim më të gjerë. Këta deputetë të rinj dhe të tjerë në Kuvend që kanë mungesa të theksuara formimi, miratojnë ligje, vendosin për ekonominë, taksat, shtetin dhe marrin vendime për jetën e çdo qytetari. Së fundi dhe do bashkëqeverisin me Rilindjen. Mbase është koha që deputetëve, veç pastërtisë së figurës për dekriminalizimin, është t’u kërkohet edhe një kontroll mjekësor./Qamil Xhani/

Login to post comments

Lajmet e fundit

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Media

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Flet Era Xhabafti, zv.menaxhere e përgjithshme e kompanisë “Mini Invest Albania”   Ndonëse pandemia ka ndikuar në kërkesën për më shumë komoditet, kërkesat janë që edhe rehatia të jetë me marka. Kështu shprehet...