Ka ardhur koha që edhe policët t’i thërrasin mendjes

Premte, 15 Mars 2019 13:46

Nga Eden Babani, Bruksel

Nesër, protesta më e madhe e opozitës. Siç shpresohet, më e madhe se ajo e një muaji përpara.

Do ta shkulë kjo protestë Kryeministrin “rilindës” nga karrigia kryeministrore që ka uzurpuar prej gati gjashtë vjetësh? Karrige, me tepsi e me timon, siç ka dëshiruar vetë, por e vjedhur me votat e blera me paratë e krimit të organizuar?

E besueshme, por edhe e pabesueshme.

E besueshme, po t’i referohemi frikës që e ka kapluar.

Siç bëhet e njohur mediatikisht, ai e paska bërë nijet që nesër të lërë Tiranën e të shkojë gjetiu. S’ka rëndësi ku, në Vlorë, në Fier a në Berat. Rëndësi ka frika që i ka hyrë për palce. Kujtoj këmishën kundërplumb që na demonstroi në Roskovec, kinse do ta vrasin rusët (!). Kujtoj edhe poturet që mbante dje në Elbasan, nga frika mos i shpëtonte në brekë nga ballokumet e Ditë së Verës. Në të dyja rastet, kemi të bëjmë me një sinjal padashka, që buron nga subkoshienca e tij, tashmë e zhbalancuar.

Gjithsesi, e pabesueshme që Kryeministri ynë të “abdikojë” bash nesër.

Jo se është i fortë, siç mund të besojnë ithtarët e tij, tashmë të lemerisur edhe më shumë se ai vetë. As sepse ashtu mendon ndonjë analist, - me të drejtë e pa të drejtë, punë tij, - se duhet lënë të vegjetojë, derisa “të shkërmoqet vetë pushteti” që ka. Sepse, a kemi kohë ne të presim “kalendat greke” (ad kalendas graecas)? Domethënë, a kemi kohë që Kryeministri  të kuptojë se pushteti po i shkërmoqet?

Për vete, jam bindur se këtë të vërtetë të padiskutueshme, ai s’ka për ta kuptuar sa të ketë jetë. Jo se ashtu dua unë, por sepse ashtu po flasin faktet nga dita në ditë, nga ora në orë, nga vendi në vend. E mbani mend detektorin që kontrollonte veturat e më të besuarve që ka rreth vetes, në darkën e mbrëmshme, në Elbasan?

Për mua, sikundër edhe për shumicë e shqiptarëve, një shkulje e Kryeministrit bash nesër, do të ishte e pritshme dhe e dëshirueshme, sado që e parakohshme.

Të mos harrojmë se Kryeministri ka pas vetes gjithçka, përveç opozitës dhe njerëzve të revoltuar. Ka Ministrinë e Brendshme, Policinë e Shtetit, Gardën e Republikës, Prokurorinë e Përgjithshme, snajperë nëpër tarraca, gazet helmuese pa kursim, sikundër edhe provokatorët për t’i joshur protestuesit në veprime të dhunshme. E gjitha kjo, do të thotë gjakderdhje, viktima të pafajshme, çka pushtetit “rilindës” do t’ia zgjaste jetë edhe kushedi sesa kohë.

Përveç të tjerave, - dhe ato janë shumë, një pafundësi, - për mua ka rëndësi që nesër të ndërgjegjësohen sadopak “uniformat blu”. Jo Policia e Shtetit si nocion institucional, por policët e thjeshtë, familjarë. Ata që rropaten për të nxjerrë bukën e gojës për vete dhe për familjet e tyre.

Pas ngjarjeve në afërsi të shkollës “Petro Nini Luarasi”, nesër është rasti që shumëkush syresh të sjellë në kujtesë atë çka ndodhi me kolegen e tyre, policen e Shqiponjave, Blerta Dervish. Çka ndodhi edhe me vogëlushët që kapeshin pas fustanit të nënave ose te makina e policisë, teksa ndonjë “uniformë blu”, ishte i shtrënguar të zbatonte detyrën, donte a nuk donte.

Ka ardhur koha, pra, - dita e nesërme, 16 mars, na e ka prurë te pragu i portës, - që secili prej nesh, edhe “uniformat blu”, ta kuptojmë se askush nuk mund të jetë i mbrojtur përpara një kryeministri të çoroditur që s’di ku të fusë kokën nga tmerri që po përjeton dhe që, përpara vetvetes, nuk llogarit askënd.

Nuk do t’ia dëshironim kujt një fat të ngjashëm me atë të polices së Shqiponjave, ama garancitë janë zero.

Punonjësja e policisë e cila bëri qëndresë ndaj kolegëve të saj ditën e djeshme për të mbrojtur banesën ku jeton, është pezulluar përkohësisht nga detyra. Blerta ka treguar se ditën e djeshme është kontaktuar nga eprorët për t’i thënë se do të pezullohet për shkak se nuk ka lejuar përmbarimin të kryejë detyrën.

‘Më morën në telefon dje dhe më thanë që do të pezullohesh dhe do të marr vërejtje se kam penguar përmbarimin të kryejë detyrën. Ndërsa sot m’u komunikua me shkresë se pezullohem 1 deri në 3 ditë dhe pezullimi shoqërohet edhe me vërejtje. Unë nuk kam bërë asnjë shkelje, mbrotja shtëpinë time. Veprimet e mia ishin jashtë orarit të punës, nuk kishte lidhje me detyrën. ”- tha efektivja e policisë.

Blerta Dervishi është pjesë e patrullës Shqiponja në Policinë e Shtetit.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...