Çfarë nuk pati Jeruzalemi, e kishte Shkodra

Tuesday, 19 Mars 2019 17:22

Nga Qemal SAKAJEVA/

Të ketë diçka më shumë një njeri, qytet apo vend, për çdo rast nuk është për mburrje, krenari a shitmendje. Atë diçka më tepër, Shkodra nuk e ka dashur ta kishte. Ose, siç thuhet, do të paguante të mos e provonte. Por ia detyroi përdhunshëm komunizmi, i cili, pasi i pushkatoi e i burgosi klerikët; pasi i zhbiu e tjetërsoi kishat; hapi muzeun më të veçantë në historinë e njerëzimit, qysh nga Viti Një pas Krishtit e këndej, nën emërtimin Muzeu Ateist.
Më ka rastisur të udhëtoj në Izrael, dhe t’i kaloj netët në qytetin e shenjtë të Jeruzalemit. Kurse nuk numërohet se sa herë kam shkuar në Shkodër. Gati, gjithmonë, atje më ka pritur miku im Ahmet Osja, specialist i shkëlqyer i bujqësisë dhe ciceron i pashoq i qytetit verior. Nëse askund ku kam shkuar nëpër botë, nuk më ka drithëruar si vënia këmbë në Jeruzalem, askund ku kam shkelur në mbarë Shqipërinë nuk më ka vënë në mendime se sa vajtjet në Shkodër.
Çfarë i bën të afërt, madje të ngjashëm, por dhe nxitës e deri të përjetshëm, Shkodrën dhe Jeruzalemin? Nuk është vetëm lashtësia, edhe pse lashtësia vërteton madhështinë e dy qyteteve. Jeruzalemi, me mbi 3000 vjet jetë të pandërprerë, e shtjelluar në mënyrë të jashtëzakonshme nga autori anglez me rrënjë hebreje Simon Sebag Montefiore, në librin “Jeruzalemi” (botuar nga Shtëpia Botuese 55, përkthyer nga Etleva Sakajeva ). Shkodra, sipas Tajar Zavalanit, në veprën serioze “Histori e Shqipërisë”, botuar në Londër, së voni edhe në Shqipëri, mbetet kryeqyteti i parë i shqiptarëve, si kryeqendra e Ilirisë.
Jeruzalemi është qyteti famëmadh i bashkëjetesës së tri feve bazë të njerëzimit: hebraizmi, krishtërimi, islamizmi. Brenda për brenda mureve të Jeruzalemit të vjetër, rrinë pranë e pranë tri monumentet më të lashtë të tri feve. Muri i Perëndimit, ose siç thirret edhe Muri i Vajtimit apo Muri i Lotëve, - murana më e hershme e shenjtë e hebrenjve. Pak më tutje, mbi kodrën biblike të Golgotës, gjendet kisha, zemra e së cilës është varri i Krishtit brenda saj. As njëqind metra largësi, në krahun tjetër të Murit të Perëndimit, ngrihet xhamia e famshme Al Aqsa, ku, sipas Kuranit, profeti Muhamet ka shkuar me mrekulli dhe është falur aty.
Por, pabesueshmërisht, Shqipëria e ka Jeruzalemin e vet, që e bën paksa të ndryshëm, nga që pati diçka më tepër se edhe Jeruzalemi. Atje, në Shkodër, kishat katolike famëmëdha, nuk gjenden larg xhamisë së bukur dhe, diku pranë tyre, është dhe kisha ortodokse. Çështja nuk duhet kërkuar, nëse ato janë më të lashta se sa të Jeruzalemit, por bashkëjetesa mes tri besimeve fetare - myslimanizmit, katolicizmit, ortodoksizmit - është shumë e hershme, një harmoni të cilën, kur të huajt e njohin edhe rastësisht, mbeten të befasuar deri në moskuptim. Ajo që e përafron tej mase Jeruzalemin dhe Shkodrën është sakrifica. Atje, para 2000 e ca vjetësh u kryqëzua Krishti. Këtu, pas 2000 vjetësh u kryqëzua besimi në Zot. Atje Krishti u ngjall. Këtu u ringjall Feja, siç e ka përcaktuar Gjon Pali II.

Ndryshimi është në tjetërçka. Komunizmi, pasi i ekzekutoi klerikët; pasi i zhbiu objektet e kultit; pasi e ndaloi fenë me kushtetutë; krimin e vulosi në një hapësirë muzeale, m’u në qendër të qendrës së Shkodrës, duke gozhduar mbi traun e derës hyrëse një tabelë me mbishkrimin më të pashoq: Muzeu Ateist! Shkodra, që në histori mbeti kryeqyteti i parë i shqiptarëve; Shkodra, që u kërkua nga At Gjergj Fishta të bëhej kryeqytet i Shqipërisë së pavarur më 1912; kjo Shkodër u përzgjodh nga komunizmi për të shenjuar atë që nuk e përjetoi Jeruzalemi: u shpall kryeqyteti botëror i ateizmit për të gjitha kohërat. Shkodra është histori madhështore që trondit.

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...