Një ‘kapo’ si Sandër Lleshi

Tuesday, 16 Prill 2019 09:07

Nga Gentian Gaba

Në zhargonin Lagersprache (gjuhën që përdorej në kampet naziste të përqendrimit), termi ‘kapo’, përdorej për të identifikuar të burgosurin e një kampi të cilit i ngarkohej detyra për të komanduar të deportuarit e tjerë. Përgjegjësia e tij themelore ishte administrimi i ‘bllokut’ që i besohej, në mënyrë që të shtypte në lindje idetë, shpresat e mundshme për kryengritje dhe të bënte që funksionimi i ‘komunitetit’ fatkeq të funksiononte në mënyrë të përsosur.

Dëshmitë e të mbijetuarve janë të pasura me rrëfimet mbi mizorinë e kapove dhe episodet për të cilat ata u bënë përgjegjës. Një shembull është edhe vepra e Primo Levit ‘A është vallë njeri?’. Në të flitet për zellin që i dallonte në procesin e tëhuajsimit të bashkëvuajtësve dhe zhbërjen e vlerave njerëzore më elementare. Ata nuk ishin nazistë, por thjeshtë një shkallë më lart se të vdekurit që shkonin drejt dhomave me gaz me këmbët e tyre. Dhe për të mbajtur këtë ‘privilegj’, që si fillim do të thoshte disa thërrime buke më shumë, një kapo shndërrohej në një egërsirë që tejkalonte ligësinë e nazistëve. Kjo figurë dramatike e Holokaustit, shpesh herë përkonte me një të dënuar politik, apo një delinkuent të çfarëdoshëm. Por, kur lufta po shkonte drejt epilogut, pozicionin e xhelatit atipik e morën edhe hebrenj. Sidoqoftë, në fund, të gjithë, pa dallim, përfunduan keq.

Një zhbërje morale nuk i përket vetëm asaj epoke, apo vetëm atyre që ranë në grackën e banalitetit me të cilën u shfaq e keqja. Kapo është një epitet që i përshtatet më së miri gjithë personazheve që, paçka të zakonshëm dhe mediokër, i dhurohen dhe i shërbejnë me zell një pushteti që është përtej aftësive dhe kompetencave të tyre, duke u tjetërsuar në raport me të.

Një epitet që i rri si një dorashkë ministrit të Brendshëm Sandër Lleshi. Një ish-ushtarak, i prezantuar si jo partiak, që sot po tejkalon kolegët e tij të mazhorancës në gërnjën politike. Një rol aspak i lavdishëm, me të cilin ka vendosur historinë dhe spaletat e tij në ‘kamaren e turpit’; jo për Shqipërinë dhe rendin kushtetues, por për të mbrojtur mazhorancën nga mëkatet e shumta zgjedhore. Një prej të cilave është dosja ‘339’, që është edhe arsyeja pse Lleshaj u zgjua një ditë ministër. ‘Mors tua vita mea’, vdekja jote është jetë për mua, thotë shprehja latine, por kjo është një histori tjetër.

Pas protestës së të shtunës dhe pas gostisë së majme me gaz lotsjellës që shtroi në shesh, Lleshi nisi një batare verbale ndaj protestuesve dhe opozitës. Një gjuhë asfare e përshtatshme me të shkuarën e tij, nëpërmjet të cilës, pafre edhe plot mllef, e rriti në mënyrë të paarsyeshme konfrontimin. Duke ndarë, përçmuar dhe shpallur armiq një pjesë të popullit që, paçka se nuk e përfaqëson, duhet t’i shërbejë.

Një sjellje jo e paarsyeshme, por në zbatim të zellshëm të rolit si kapo. Sepse përballë pjesëmarrjes masive në protestë, jehonës së hatashme që ajo pati në mediat ndërkombëtare, në të cilën flitej për shkaqet që mbushën sheshet dhe jo për shashkat që shqetësuan ministrin, me dhunën verbale dhe me kërcënimet ndaj opozitës, Lleshaj kërkoi të ‘vriste’ protestën. Duhet ta shtypte në zanafillë. Si një mekanizëm agresiv për të ekzekutuar shpresën e atyre që nëpërmjet protestës kërkojnë ndryshim dhe të atyre që mund të frymëzohen nga mijëra protestues, të cilët sfidojnë, në terr dhe në shi, qeverinë dhe gazin e saj lotsjellës. 

Një gjest shumë më i rëndë se përdorimi i lëndës kimike; pasi nuk kërkon të ndëshkojë trupin, por shpresën. Andaj, me fjalët e Levit, mund të pyesim: A është vallë ministër?

Login to post comments

Lajmet e fundit

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Media

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Flet Era Xhabafti, zv.menaxhere e përgjithshme e kompanisë “Mini Invest Albania”   Ndonëse pandemia ka ndikuar në kërkesën për më shumë komoditet, kërkesat janë që edhe rehatia të jetë me marka. Kështu shprehet...

Çfarë do bëhet me dosjen ‘Xibraka’!

Politikë

Çfarë do bëhet me dosjen ‘Xibraka’!

Nga Flamur Vezaj: Dosja ‘XIBRAKA’ nuk ka vetëm emrin e Olsi Ramës! Aty ka edhe plot te tjerë, te njohur e te panjohur, biznesmen, ndërtues, kriminel e krerë bandash qe veprojnë akoma...