Shqipëria si “Libi 2”/Destabilizimi i tanishëm i Shqipërisë mund të jetë afatgjatë dhe me pasoja edhe për Perëndimin

Premte, 17 May 2019 12:43

Nga Ilir Nikolla

Vëzhguesit po e shpallin destabilizimin e Shqipërisë si një ngjarje të sigurtë, bile shumë të afërt. Por ata s’po merren shumë me veçanësinë e këtij destabilizimi, i cili s’i ngjan shumë destabilizimit të 1997-s dhe ka pak ngjashmëri me prishjen e “status-quo”-së me Lëvizjen Demokratike të vitit 1990. Destabilizimi i pritshëm ka pasoja afatgjata, sepse po shkaktohet jo për arsye etnike, as fetare, për të cilat marrëveshjet politike mund t’i kthejnë në binarë palët dhe të ristabilizojnë përfaqësimin e të gjithëve. Arsyeja e dukshme është ajo politike, e shkeljes së të drejtave të njeriut, e shkeljes së parimit të votës dhe e përfaqësimit demokratik në institucione dhe ajo deklamohet publikisht dhe po rivendikohet forcërisht nga opozita politike e PD-së dhe e koalicionit të mbledhur rreth saj, të cilit në zgjedhjet e vjedhura të 2017-s iu lanë thuajse 50 % të votave, kurse në zgjedhjet vendore të 2015-s mori rreth 58 % të votave.

Arsyet e opozitës janë arsyet që e përngjasojnë destabilizimin e pritshëm me prishjen e “status-quo”-së më 1990.

Por qëndresa e Edi Ramës është ajo që e bën destabilizimin e pritshëm të pangjashëm me asnjë lëvizje tjetër popullore në vitet e tranzicionit dhe që rrezikon të lërë pasoja afatgjata për vendin. Ajo qëndresë nuk ka motive politike, ka vetëm pak motive të mirëfillta pushteti, por palca e saj përbëhet nga elementët e tarafit partiak, nga aleancat okulte me krimin dhe para së gjithash është shfaqje e simbiozës që ai ka ndërtuar si superstruktura e një sërë narko-klanesh, të cilat veprojnë thuajse vetëqeverisshëm në shumë pjesë të vendit.

Kjo simbiozë e bën destabilizimin e pritshëm një ngjarje shumë kobzezë e me pasoja afatgjata. Qëndresa e Edi Ramës është një lajm që duhet të trondisë çdo socialist, çdo të paparti e çdo ndërkombëtar që kërkon të shohë tek shteti shqiptar një entitet stabil dhe me perspektivë të qendrueshme integrimi në BE. Kjo qëndresë rrëfen se kryeministri ka humbur autonominë politike për të negociuar për një zgjidhje, qoftë edhe si kryetar i PS-së. Refreni se ai s’e thyen dot kushtetutën është aq bajat sa ç’është bajate shprehja që kemi 2 vjet që e dëgjojmë “s’prish punë se Shqipëria s’ka Gjykatë Kushtetuese, herët a vonë ajo do të ngrihet”.

Në vend të zgjidhjeve, kemi kuptuar se destabilizimi është një ngjarje e sigurtë, pasi në njërën anë assesi s’mund të imagjinojmë që shqiptarët të heqin dorë nga aspirata e tyre për të zgjedhur të lirë, kurse në anën tjetër, marrim vesh se pala politike që mendonim se formalisht ekzistonte, në fakt s’ekziston. Në vend të saj janë disa manekinë të klaneve që qeverisin vendin dhe që po thuhet se i janë rikthyer një rikanabizimi të vendit. Ata kanë nevojë të ruajnë “status-quo”-në dhe për këtë refuzohet çfarëdolloj marrëveshjeje politike për qeverinë tranzitore.

Në fakt, formacioni i vetëm parapolitik në skakierën e pushtetit është formacioni i Edi Ramës, i cili është shndërruar në një zë publik të këtyre klaneve, që janë ekonomike, oligarkike, kriminale, tribale dhe antishqiptare në të njëjtën kohë. Negociimi me këto klane është i pamundur, sepse s’mund të negociohet me krimin, me maskat, me pengmarrësit. Nga kjo pamundësi, rrjedh edhe pamundësia për një negociim me kryeministrin Edi Rama.

Për shkak të klaneve që qeverisin de facto Shqipërinë (duhet të kujtojmë shprehjen e ambasadorit amerikan Lu se në Shqipëri ka 4 kartele dhe 20 familje mafioze), destabilizimi do të sjellë pasoja afatgjate, të cilat mund të kenë ndikim jo veç në Shqipëri, por edhe në rajon, Greqi, Itali e disa vende të Bashkimit Evropian.

Unë e shoh në fakt me çudi indiferencën me të cilën qarqe diplomatike perëndimore, e veçanërisht diplomacia italiane, po i përcjellin zhvillimet në Shqipëri. Një kolegu im italian, të cilit ia thashë çudinë time dhe pasojat që mund të kishte për Italinë ky pasivitet, më thoshte para disa javësh se për italianët tashmë ishte bërë njëfarë zakoni, gati si një bashkëjetesë me një sëmundje kronike, bashkëjetesa me një Shqipëri jo stabël.

Por një Shqipëri me institucione të dobëta është një gjë dhe një Shqipëri e destabilizuar dhe e kantonizuar nga narkotrafikantët është një gjë krejt tjetër. Eksperti italian i antimafias Vinçenco Musacchio në shkrimin e njohur për publikun tonë “Shqipëria rrezikon të kthehet në një narko-shtet” sillte shembullin e Meksikës (apo Kolumbisë nëse doni), por unë mendoj se një Shqipëri jashtë kontrollit është më shumë si një “Libi 2” për Italinë dhe BE-në. Falimentimi që Italia po provon këto kohë në Libi duhet të jetë një këmbanë alarmi. Në Shqipëri duhet ndërhyrë tani, sa nuk është shumë vonë. Kryeministri shqiptar thotë se i intereson vetëm qeveria, jo vendi, dhe kërcënon se destabilizimi i Shqipërisë mund të jetë një destabilizim i NATO-s. Në fakt, një Shqipëri jashtë kontrollit, do të eksportonte në Itali jo vetëm marijuanë, por edhe armë dhe në një periudhë afatgjatë edhe xhihadistë e terroristë, që këto kohë po kthehen nga Siria e kanë nevojë për një rifuxhio të përkohshme. Ky stacion mund të ishte Shqipëria, edhe pse qëllimi final për këta terroristë nuk mund të jetë veçse Italia.

Për Shqipërinë është tani koha e ndihmës, koha e presionit që të largojë nga pushteti një kryeministër të marrë peng nga 4 kartele e 20 familje mafioze, në mënyrë që nesër Italia të mos zbulojë “Libinë 2” përtej Adriatikut e që ajo dhe Brukseli të mos detyrohen më pas të negociojnë direkt me to armëpushimet e përkohshme. Merret vesh se shqiptarët do ta bëjnë betejën e tyre, por Perëndimi duhet të ndihmojë që të heqë nga rruga formacionin oligarkiko-mafioz që ka kantonizuar vendin dhe ka shpallur Edi Ramën si zëdhënës të tijin.

Modifikuar më Premte, 17 May 2019 22:03
Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...