Papa e jep dorëheqjen, Rama jo!

E mërkurë, 22 May 2019 17:16

AGRON GJEKMARKAJ 

Pak ditë më parë, Perandori i Japonisë, emri i të cilit shoqërohet me një varg epitetesh venerimi, dha dorëheqje! Vitet mbi supe e kishin molisur e fanitur epshin e pushtetit! Nuk i ngrihej më egoja për të! Lajmi bëri xhiron e botës, duke notuar mes kuriozitetit e respektit! Bota mbarë u ndie e sulmuar nga habia jo shumë vite më parë kur Papa Ratzinger dha dorëheqje nga Papati! E padëgjuar, e pazakontë, befasuese qe ajo ngjarje! Mos, o Zot, ç’po ndodh, rënkonin besimtarët të trazuar! Nuk priti Hyun, por e mori vetë atë vendim historik!


Njerëzia nuk u besonte veshëve, teksa disa i kruanin ato të çmeritur për sa dëgjonin jehun e të pabesueshmes! Kardinalët mbështjellë me të kuqen e shekujve, rrethuar me afreske nga ato të Rilindjes se Mikelanxhelos zgurdullonin sytë e bërë zgafelle se shenjtëria e tij po sillej si vdekatar! Ah, sikur ato mure me pikturat a fluturat pjalmuese të një tjetër rilindasi shqiptar të ishin zografisur, mbase më i lehtë do t’u binte kumti mbi mide! Edhe farmaku më i ëmbël do t’u vinte!

Ai, Benedikti, me një fjalim, i cili do të shënojë etikën e kohëve, tha lamtumirë o gjind, nuk mundem më, tepër stres e intriga në shtëpinë e Shën Pjetrit, ndaj po mbyllem në një kthinë e në qetinë e saj, lutem, kundroj botën e meditoj! Por Jeta vazhdoi, Vatikani nuk u shemb, as Roma, një tjetër Papë u zgjodh! As një javë nuk është bërë që numri dy i qeverisë austriake, i zënë në do përgjime të pamira me një bionde ruse zamani, që të mbushte xhanë me fërgëllima, punë tenderash e parash! Pa dembeli e me ngut ngarkoi veten me faj e kërkoi falje, duke ikur nga sytë këmbët! Më falni, o austriakër të mirë, gjëmoi mes pikëllimit dhe me galop vrapoi drejt së shkuarës!

Shefi i tij Sebastian Kurz, me flokët e krehur, gjithë kësmet, diku nja 32 vjeç sapo i ka ngjyer buzët në kremin e pushtetit, pa një e dy dha kushtrimin, o qytetarë, sa më shpejt në zgjedhje do të shkojmë! Le të na gjykojë sovrani për këtë që ndodhi!

Ndërsa në këtë të dashurin atdheun tonë, të mbushur me brenga e marrëzi, ku çështjet e saj, ndonëse i mori mjaft seriozisht edhe Kadare në një libër nuk i zgjidhi dot, vetëm ekspozoi faqe botës arkitekturën e saj unike e krejt shqiptare! Tanimë, marrëzia nuk është më letërsi! Ka dalë prej saj me turr si zelli i dreqit dhe ka pushtuar politikën e Qeverisë e kushtëzuar veprimet e të parit të saj! Çështjet e marrëzisë janë tema kryesore e ligjërimit të Edi Ramës! E thotë i ngrati me mjekrën e thinjur e të lagur djersësh, që Shqipëria keq i ka punët, për ibret, por Qeveria mbahet, asaj nuk i hyn gjemb në këmbë, sikur nami të bëhet! Qeveria e para, Shqipëria e dyta, Edi Rama mbi to!

Zgjedhjet do t’i bëjmë thotë, do t’i marrim një me një 61 bashki, që ky popull të rehatonet e të gjejë selametin! Pa opozitën do t’i kryejmë, përsërit çdo ditë lajtmotivin politik! Kush guxon këtë festë të Rilindjes të prishë, sikter do bëhet nga Amerika dhe Europa, burgjet plot do të mbushen kur edhe stadiumi i ri Arena, në mes të Tiranës, që po përfundon nashi, vetëm 18 mijë vende ka! Ekuacion i vështirë do jetë!

Jemi keq për burgje e gaz lotsjellës, të parat janë të ngushta, i dyti po soset, ankthi po shtohet! Ndoshta, Qeveria do blejë rulota, kioska e çadra për festëprishësit si burgje ambulante! Meqenëse pas shirave rreke, do na ledhatojnë rrezet e diellit! Po vjen vera me zukamat e saj, ndoca mund të rrinë lëndinave të rrethuar me roje rilindëse! Keq i ka punët vendi, keq e më keq Kryeministri që s’do t’i lexojë britmat e tij! Sistemi demokratik është thyer në mes si buka e kallamboqit! Më tepër se ai, shpresat e qytetarëve janë bërë lëvere si brekë asqeri!

Parlamenti është ngjitur rreth një partie e një njeriu mesianik! Dordolecët të cilët flenë keq, kur shefi trandet, mërziten kur ai kallet në maraz, urrejnë këdo që ju thonë se b… është e juaja jo karrigia, dalin kudo nëpër Shqipëri për të mbjellë frikë që njerëzia të pranojë farsën, zgjedhjet pa kundërshtarë, pa bëzajtur! E pra, boll pak paskan lexuar e parë filma! Kur vjen puna kaq mbrapsht, Policia nuk bën me derman! Do duhej të funksiononte arsyeja, por është zënë rob! Në PS, dikur parti e debatit liberal, ka rënë “mortaja”, heshtje, përzhitje, kokulje, servilizëm, recitime patetike, ngado që kthen kokën plot britma reumatizmi! Askush nuk pipëtin, kanë frikë evlatërit se vjen vakti i listave dhe i sharron, ndaj refreni, fluturon gomari, është i duhuri! E sheh gomarin me flatra si pegaso në qiellin shqiptar tek i bie vitheve me liskë, Genti, Gramozi, Fatmiri, Musai, Pandi, Ditmiri, Lindita, Mimi, Damjani, Olta, thonë me vete; qyqja, sa i bukur ky aeroplan! Të fluturojë drejt BE-së vallë?!

Kryeministri nuk është i çmendur, ky është abuzim i madh etik kur i drejtohen në këtë mënyrë, përkundrazi është dinak, por ai e di që kjo që ndodh është çmenduri! Ai po bën eksperimentin më të rrezikshëm në historinë bashkëkohore të vendit, ku përmes hokash, po na çon drejt një të panjohure fatale! Dorëheqja e tij i jepte fund këtij rreziku në buzë të honit! Mbase ai do ta japë, por nuk e lënë! Kryeministri është në hall! Të jenë ata që dalin nëpër dosje përgjimesh penguesit? Ku i dihet! Njeri është edhe ai, vuan, duhet çliruar, ta gjejmë mënyrën!

Mendoni me sa qejf e kishte Rama të largohej e të hapte një rrobaqepësi të mirë, ku nën trokun e makinës të qepte qylafër, kasketa, çitjane e petka plot larushi e ta thërrisnin usta! E pat thënë, kur nuk do të më doni më, do bëhem erë, do iki vetë! Tani i thonë ik, e nuk mundet! Më të lehtë e kishte Papa dhe Perandori se Kurz-i sa hap e mbyll sytë që të largoheshin e këtij i thonë hall i madh! Të vjen e keqja, hapi derën! Roma nuk shembet, por Shqipëria mbase, e ngrata nuk mban shumë, ku i dihet, e pastaj ustai merr dhenë e na le dangall, edhe pa rrobaqepësi! E keqja s’ka fund virania!

*Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Politikë

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Nga Gezim Sadikaj: Si perfaqsues i banorve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.Shebull tipik i kesaj masakre eshte dhe familja Billa prej 20 antaresh!Mervet Billa dhe Izet...

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

Globi

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

NATO sulmoi trupat serbe në vitin 1999 për të parandaluar një “katastrofë humanitare” në Kosovë. Krahasimi me Ukrainën është i gabuar.   Pas disa muaj negociatash, të cilat nuk dhanë rezultate, më...

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

Ekonomi

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

    Rritja e kostove, frenimi i konsumit, ulja e fitimeve ka bërë që bizneset të reduktojnë investimet në makineri e pajisje. Ulja e konkurrueshmërisë nga bizneset vendase po i lëshon gjithnjë e...