Holanda është aty, ne ku?

Saturday, 06 July 2019 17:07

Nga Qemal SAKAJEVA

Shqiptarët qenë futur në ankth dhe shqetësimi u  krijua kësisoj: më 31 maj, përfaqësuesi i Holandës në BE, Robert de Groot, i dorëzoi Komisionerit për Migrim, Punët e Brendshme dhe Shtetin,  Dimitris Avramopoulos, kërkesën zyrtare për rikthimin e vizave për shqiptarët. Në Shqipëri, dhe kudo në vendet e Bashkimit Europian  ku jetojnë e punojnë shqiptarë,  kjo kërkesë tronditi thuajse çdo familje dhe individ, edhe sepse u përforcua më pas me kërcënimin e BE, nëpërmjet komisionerit Avramopoulos, se shqiptarëve mund t’u riktheheshin vizat nëse nuk ndërpriten kërkesat për azil. Pas dy muajsh, më 1 korrik 2019, ministri i Punëve të Jashtme i Holandës, Stef Blok, ka marë përgjigje nga Komisioni Europian se, “Shqipëria nuk ndodhet në rrethanat kur mund të vihet në lëvizje mekanizmi për pezullimin e vizave”. Ai e pranoi qëndrimin e Brukselit duke thënë se “Komisioni Europian na ka treguar se nuk ka parë mjaftueshëm” arsye për të hequr vizat.

Ky ishte lajm i shumëpritur në Shqipëri. Mirëpo reagimet e ndryshme në vend qenë thuajse foshnjore, u përdor fjala e ashpër refuzim - BE refuzon Holandën -, nëpër tekste pati edhe ngjyrime të kota triumfaliste, duke mos e fshehur pakënaqësinë ndaj kërkesës së saj. Ambasada holandeze komentoi në mënyrë të matur duke theksuar: “Por gjithsesi, në letër theksohet se Komisioni beson se Shqipëria duhet të vazhdojë dhe të intensifikojë përpjekjet e saj për të adresuar çështjen  e aplikimeve të pabazuara për azil dhe për të parandaluar dhe luftuar krimin e organizuar”.

Pikërisht, kjo është çështja: lajmi i mirë mbërriti, rreziku i lartë mbeti.

Kur në aeroportin e Rinasit ulet në të rrallë ndonjë aeroplan i posaçëm që kthen emigrantë shqiptarë, pranë shkallëve të avionit gjendet ndonjë zyrtar i nivelit të mesëm, enkas për të përsëritur të njëjtat fjalë të shqiptuara një herë tjetër,  se emigrantët e paligjshëm shqiptarë nuk kanë asnjë mundësi për përfitimin e të drejtës së azilit, sepse Shqipëria është tashmë në listën e vendeve të sigurta. Kjo më shumë u thuhet për frikësim, dhe frikësimi pjesërisht është element propagande i frikës, enkas për t’i stepur ata që e kanë ndërmend të emigrojnë. Këtë e vërtetojnë statistikat tona të herëpashershme: këta dhjetëra të përfshirë nga dëshpërimi, që i kthejnë me aeroplanë të posaçëm,  nuk po i tutin dot ata mijëra që po largohen me lloj-lloj mjetesh.

Shkaqet që nxitin emigrimin masiv të të rinjve janë të shumtë, të përditshëm, veprues gjatë një kohë pa fund, dhe të vrazhdë, që nga politika e konfliktit më të skajshëm, papunësia cfilitëse, pagat e ulëta dhe pamundësia e brezave të rinj për të duruar e pritur gjatë-gjatë deri sa Shqipëria të bëhet mirë,- ndërsa jeta u shkon! Nëse ka diçka shumë-shumë  urgjente, - mbi çdo urgjencë tjetër, - është ndërprerja e vetëspastrimit të popullsisë nga ky vend nëpërmjet politikash zhvillimi të shpejta, të sigurta, për të gjithë, sidomos për të rinjtë, të cilët motivin e fuqishëm për t’u larguar nga vendi nuk e ndryshojnë lehtë në motiv për të qëndruar në Shqipëri.

Megjithatë, Holanda që nuk mori përgjigje mbështetesë për kërkesën e saj, është aty, në përballje të përditshme me shfaqjet e emigracionit shqiptar, dhe një ditë, po kjo Holandë, mund të kërkojë përsëri rikthimin e vizave dhe nuk duhet çuditur që mund të jenë përmbushur rrethanat për të vënë në lëvizje mekanizmin e pezullimit të tyre.

E drejta e lëvizjes së lirë, e fituar me shumë sakrifica, mund të mbrohet vetëm në Shqipëri. Holanda,- dhe “Holandat e tjera të mundshme”, - nuk na mbrojnë e as mund të na mbrojnë nga kjo e keqe, që pas përgjigjes së Komisionit Europian ndër ne po trajtohet si e shkuar, ndërsa rreziku na sillet nëpër këmbë përditë dhe mizorisht.

Modifikuar më Saturday, 06 July 2019 17:08
Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...