Coup de Grace

Diel, 03 November 2019 09:45
Nga Cretan Archer 
 
 

….deri atëherë, kjo do të jetë shtëpia juaj, dhe unë i lumtur të jem fqinji juaj…

Presidenti Ilir Meta në Librin e Përshtypjeve gjatë vizitës në Kampin e MEK, Ashraf 3 në Manzë.

I.

Ndërsa zbriste avash dhe me hap të matur shkallët e podiumit nën furinë e duartrokitjeve që vazhdonin prej disa minutash, për të zënë vend krah Rudy Guiliani-t, emisarit personal të Presidentit Trump, dhe Maryem Rajavi, Presidente e MEK, Sali Berisha mund të ketë menduar me vete se askush në atë sallë, përveç Guiliani-t nuk e kishte kuptuar se ai sapo i kishte dhënë goditjen nën zverk Kryeministrit të paprekshëm Edi Rama, duke bërë një ‘Coup de Grace’.

I ftuar si folësi kryesor në praninë e atyre që administrata e Presidentit Trump e quan ‘Qeveria në ekzil e Iranit’ si dhe mijëra anëtarëve të Këshillit të Rezistencës Iraniane të vendosur në Shqipëri, Berisha kishte artikuluar kërkesën që ‘qeveria e Shqipërisë të mbyllte ambasadën e Republikës Islamike të Iranit në Tiranë, dhe të njihte MEK si qeverinë legjitime të Iranit’.

Kjo ndodhi me 15 korrik 2019, vetëm dy javë pasi Edi Rama kishte zhvilluar zgjedhjet e para mono-partiake në Shqipëri që nga rënia e komunizmit, në mënyrë të paligjshme dhe pa një dekret presidencial, por me mbështetjen e Departamentit të Shtetit dhe Komisionit Europian. Gjasat janë se vetë Rama nuk e kuptoi menjëherë se çfarë kishte ndodhur, por ju deshën edhe tre muaj të tjerë, deri ditën kur nxori dy idiotet e Policisë së Shtetit në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, për të deklaruar se ‘institucionet e sigurisë së Shqipërisë kishin parandaluar një sulm terrorist në territorin e vendit tonë të organizuar nga Qeveria e Iranit në pranverën e vitit 2018, pra një vit e gjysmë më herët!

Po, po, konferencë e jashtëzakonshme për një akt të ndodhur plot 17 muaj më herët.

Por çfarë kishte ndodhur?

Me pak fjalë, Sali Berisha u kishte ofruar amerikaneve diçka që Rama as nuk guxonte ta mendonte.

Me shume fjale, është kjo që vijon:

Me 10 maj 2019, në kulmin e rrëmujës politike në Shqipëri, Kongresi amerikan kishte iniciuar në mënyrë bi-partizane Rezolutën nr. 374 ‘Për dënimin e terrorizmit të sponsorizuar shtetëror të Iranit, dhe shprehjen e mbështetjes mbi dëshirën e popullit të Iranit, për një Republikë të Iranit demokratike, laike dhe jo-bërthamore’.

Kjo Rezolutë kishte kaluar pa zhurmë në Shqipëri, edhe pse, lidhej drejtpërdrejt më të. Pika 2 e Rezolutës: ‘I bën thirrje agjencive relevante të Qeverisë së SHBA-ve, që të punojnë me aleatët europianë, duke përfshirë edhe ata në Ballkan, ku Irani e ka zgjeruar praninë e tij, të mbajnë Iranin përgjegjës për thyerjen e privilegjeve diplomatike, dhe t’u bëjnë thirrje vendeve që të parandalojnë aktivitetet malinje të misioneve diplomatike të regjimit Iranian, me synimin për t’i mbyllur ato, duke përfshirë edhe ambasadën e Iranit në Shqipëri’.

Pra, një Rezolutë që pasi të miratohet, detyron qeverinë e SHBA-ve t’i kërkojë qeverisë shqiptare mbylljen e ambasadës së Iranit në Tiranë.

Rezoluta në fjalë gjithashtu, retroaktivisht zbulon edhe llofin e konferencës urgjente për shtyp të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Rezoluta përmend se: ‘sipas Departamentit të Shtetit me datë 5 korrik 2018, dy operative iranianë janë arrestuar nga autoritetet shqiptare me akuza terroriste’ për një plan për sulme me bomba në Mars 2018, gjatë festimeve të Vitit të Ri Iranian në Tiranë nga anëtarët e MEK’.

II.

Pas 30 qershorit, lidershipi i opozitës e kishte kuptuar se duhej patjetër të gjente një linjë komunikimi direkt me Shtëpinë e Bardhë, duke anashkaluar mbetjet burokratike të administratës së Obamës në Departamentin e Shtetit, dhe ambasadën në Tiranë, ata që në zhargonin e përditshëm quhen ‘sorosianët’.

Presidentit amerikan Franklin D. Roosvelt, i atribuohet shprehja e famshme në lidhje me diktatorin e Nikaraguas, Anastasio Somoza ku supozohet të ketë thënë: ‘Somoza mund të jetë një bir k*rve, por është bir k*urve i yni’. Edi Rama mund të jetë çfarëdo në kuptimin roozveltian, por jo ‘i tyre’.

Pavarësisht insistimit të vazhdueshëm gjashtë-mujor të SHBA-ve dhe Izraelit, qeveria e Shqipërisë nuk largoi nga vendi ynë ambasadorin e Iranit dhe shefin e stacionit të shërbimit të tyre sekret deri në Dhjetor 2018, kur Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu anuloi vizitën e planifikuar në Tiranë, në shenjë revolte.

Edhe kur e bëri, lajmi u mor vesh pas disa ditësh, dhe në mënyrë indirekte. E vërteta është se Edi Rama, në lidhje me Iranin lëviz vetëm aq sa ja le Erdogan litarin. E kur themi Erdogan, kemi thënë Vladimir Putin. Këtë e di shumë mirë Berisha. E di Meta. E di Basha.

Bash për këtë arsye, Sali Berisha ‘i dërgoi fjalë’ administratës së Presidentit Trump se opozita ‘nesër në qeveri’ është e gatshme të shkojë aty ku Edi Rama nuk guxon as ta mendoje!

Përveç Berishës, as Meta si President e as Basha si kryeministër i ardhshëm nuk mund të shprehnin këtë qëndrim pa shkaktuar ‘furtunë diplomatike’ para kohe.

Me 13 shtator, Presidenti Meta vizitoi Kampin Ashraf 3, i shoqëruar nga kryetari republikan  Mediu. Pritja e rezervuar ishte madhështore, duke përfshirë edhe roje nderi me uniformë ushtarake.

Megjithëse nuk mbajti fjalim, në librin e përshtypjeve ai shkroi se ‘…deri atëherë (lexo: derisa të ktheheni në Iran si qeveri legjitime), kjo do të jetë shtëpia juaj…’ Përveç Pandeli Majkos, asnjë përfaqësues I qeverisë apo Partisë Socialiste nuk ka guxuar të shkelë aty. Edi Rama jo, e jo!

III.

Jeta shpeshherë rrotullohet çuditshëm. Në vitin 2013, Edi Rama erdhi në pushtet me garancitë se do të bënte ç’të donte e kërkonte administrata amerikane. Dhe rasti e solli që fati i tij politik të lidhet me Iranin.

Pa mësuar mirë korridoret e ndërtesës kryeministrore, Rama në bashkëpunim me administratën e Presidentit Obama, Rusinë, Iranin, Turqinë dhe Sirinë, u ofrua që të përdortë territorin e Shqipërisë si vendin ku do të shkatërroheshin armët kimike siriane, të dorëzuara nga Presidenti Asad, si pjese e marrëveshjes për të shmangur sulmet ushtarake të SHBA-ve.

Pjesa tjetër është histori.

Kur në pranverën e vitit 2015, pavarësisht lobimit tepër të fuqishëm, dhe parave pa kursim, Ramës ju refuzua një vizitë në Shtëpinë e Bardhë (Presidenti serb Vuçiç u prit nga Nenpresidenti Biden), atëherë Rama përsëri u vetofrua të pranonte në Shqipëri të gjithë anëtarët e Kampit Ashraf në Irak, në këmbim të një vizite zyrtare në Shtëpinë e Bardhë.

Administrata amerikane, dhe personalisht Presidenti Obama kishte përcaktuar si prioritetin numër një arritjen e një marrëveshje në lidhje me programin bërthamor të Iranit. Në korrikun e vitit 2015 u nënshkrua JCPA (Joint Comprehensive Plan of Action) midis P5+BE dhe Iranit.

Pjesë e marrëveshjes së pashkruar ishte dhe eliminimi i rrezikut të MEK (opozitës iraniane) duke i zhvendosur ata nga Iraku (ku ishin nën ruajtjen e ushtrisë amerikane). Megjithëse Shqipëria kishte dhënë kontributin e sajë duke pranuar 210 anëtarë në vitin 2013 (sipas një marrëveshje midis qeverisë Berisha dhe asaj amerikane), Edi Rama pranoi t’i merrte të gjithë.

Ardhja e tyre në Shqipëri ishte si një lloj internimi, ku behej e mundur që ata të mos ishin më kërcënim për regjimin Iranian. Në këmbim, në vitin 2016 Rama u prit në Shtëpinë e Bardhë nga Presidenti Obama dhe Nën presidenti Biden, i shoqëruar nga Saimir Tahiri (vetëm një vit para se të kërkohej arrestimi i tij për përfshirje në trafikun e drogës me shumë gjasë me insistimin e vet ambasadës amerikane).

Gjithçka ishte ‘ok’ deri natën e 8 nëntorit 2016. Tërmeti që kishte ndodhur në Washington do të bënte që bota të mos ishte më njësoj. Në afat gjatë do të SHBA-të do të fillonin të minonin sistemin e Breton –Woods te krijuar nga vetë ata pas Luftës së Dytë Botërore, ndërkohë që një ndër veprimet e para ishte anulimi i njëanshëm i marrëveshjes me Iranin, dhe qëllimi për të ndryshuar regjimin në Iran.

Në rrethanat e reja, MEK nga e internuar në Shqipëri, u shndërrua në një nga faktorët kryesorë të politikës dhe zhvillimeve globale. Edi Rama ishte vetë ofruar për të qenë ‘gardiani i tyre i burgut’, dhe nuk mund të ishte edhe çlirimtari i tyre. Situate ishte në ‘limbo’ deri me 15 korrik kur Lulzim Basha nëpërmjet Sali Berishes i doli për zot menaxhimit të rrethanave të reja. Pas asaj dite, Edi Rama nuk i duhet as dreqit.

Largimi i tij tashmë është çështje procedure. Jo se çështja e MEK dhe Iranit është pika e vetme e marrëdhënieve midis qeverisë shqiptare dhe asaj amerikane, porse kurajo e treguar nga ana e opozitës, heq perden që deri tani kishte mbuluar pisllëkun e qeverise ne gjithçka tjetër. Prandaj ai sillet si plaku i Surrelit që flet përçart e s’di çfarë bën. Madje, prandaj nxori Ardi Veliun për t’u kujtuar amerikanëve nderin e dikurshëm.

 
Modifikuar më Diel, 03 November 2019 19:39
Login to post comments

Lajmet e fundit

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Politikë

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Nga Gezim Sadikaj: Si perfaqsues i banorve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.Shebull tipik i kesaj masakre eshte dhe familja Billa prej 20 antaresh!Mervet Billa dhe Izet...

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

Globi

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

NATO sulmoi trupat serbe në vitin 1999 për të parandaluar një “katastrofë humanitare” në Kosovë. Krahasimi me Ukrainën është i gabuar.   Pas disa muaj negociatash, të cilat nuk dhanë rezultate, më...

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

Ekonomi

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

    Rritja e kostove, frenimi i konsumit, ulja e fitimeve ka bërë që bizneset të reduktojnë investimet në makineri e pajisje. Ulja e konkurrueshmërisë nga bizneset vendase po i lëshon gjithnjë e...