Humbja e rrugës pas rrëzimit të Murit

E Enjte, 14 November 2019 15:38

Nga Qemal SAKAJEVA

Më 9 nëntor 2019, 30 vjet pas rënies së Murit të Berlinit, pati katër momente të ndërthurura. Kryesori ishte përkujtimi gjerman dhe ai botëror, i asaj ngjarje historike të fundshekullit të 20-të. Qysh atë ditë bota pati hyrë dhe gjendet në një realitet të paimagjinuar deri atëherë.

Por, përtej festimeve, ka shumë dhimbje kreje.

Më e madhja, që ende nuk kalon, është Brexit. Mbretëria e Bashkuar vërtet nuk vuri “Perde të hekurt” (Iron Curtain), po të përdorim metaforën e  famshme të britanikut historik Winston Churchill, shqiptuar për herë të parë më 5 mars 1946, por në Bashkimin Europian nuk është më, sepse u tërhoq përtej La Manshit. Në këtë precedent tronditës për Brukselin, i vetmi ngushëllim  si “thirrje e mendjes” shërben divorci i gjatë në kohë, i vështirë për një marrëveshje dhe plot probleme që duhen zgjidhur, ç’ka përcjell për anëtarësinë pasojat, nëse ndonjë shteti i shkrepet të bëjë exit me emërvend tjetër.

Shqetësim shprehu Kancelarja Angela Merkel në fjalimin e shkurtër, duke lënë porosinë e madhe, si testament  politik në mandatin e katërt, duke thënë: “Vlerat në të cilat bazohet Europa - liria, demokracia, barazia, suksesi i ligjit, të drejtat e njeriut - nuk duhet të merren si të mirëqëna. Ne gjithmonë duhet t’i mbrojmë”. Ky theksim  ishte vënie e gishtit në plagë dhe shqiptimi troç se nga çfarë vuan Bashkimi Europian. Pas një brezi njerëzor qysh nga rënia e Murit të Berlinit dhe 74 vjet pa luftë në Europë, Merkel thekson se lirinë, demokracinë, barazinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, popujt e Bashkimit Europian dhe brezat e liderëve të tyre duket sikur “i marrin të mirëqëna”, domethënë se nuk ka kush ua cenon apo shkallmon.

Sekretari i Departamentit të Shtetit Mike Pompeo, mu prej Berlinit dhe në ditën e përvjetorit të 30-të të rënies së Murit, foli në mënyrën më të hapur dhe më kritike të mundshme për çfarë ka pasuar vit pas viti qysh atëherë. Ai tha se “Perëndimi dhe të gjithë ne humbëm rrugën në muzgun që ra pas atij momenti krenar”. Këtë përcaktim e shpreh saktë gjuhësisht  thënia shqiptare në të folmen e veriut, domethënë Perëndimit “i ka humbur rruga nëpër oborr”. Nëse gjatë paqes dhe me mirëqënie të lakmueshme dalngadalë erdhi harresa, disa pasoja shihen nga kushdo: Britania e Madhe, e pakënaqur me funksionimin e Bashkimit Europian, u largua në mënyrë të pamëshirshme. Fuqia mbrojtëse e  demokracisë perëndimore - NATO, nga presidenti francez Emmanuel Makron u cilësua në “vdekje klinike”. Zëra personalitetesh, në pushtet dhe jo në pushtet, në këtë kohë dhe prej shumë vitesh, thonë kritika të forta kundër ndikimit të Sorosit në politikat e vendeve të ndryshme, gjë që është emërtuar si “deep state”(shteti i padukshëm), ndërsa në hartë nuk ekziston një vend me emrin “Shtetet e Bashkuara të Shoqërisë së Hapur”.

Bashkimi Europian gjendet ende në mes të rrugës si proces formimi, dhe janë shtruar pikëpyetje ekzistenciale. Ballkani Perëndimor, i gjithë së bashku me popullsi sa Rumania dhe me ekonomi sa gjysma e ekonomisë rumune, trajtohet me strategjinë as - as,  as antarësim real as braktisje reale, duke u lënë në hartë si ishull i izoluar gri mes blusë masive të vendeve anëtare të BE, ndërsa Brukseli sillet i pafuqishëm për ta mbrojtur nga rreziku i përthithjes prej shtetesh gjigande. Këto vende të vogla e dëmtojnë Bashkimin Europian më shumë duke qënë jashtë se sa të përfshira brenda tij.

Kontinenti relativisht në paqë të gjatë, përjetoi vetëm 4 luftrat e Serbisë, ndër të cilat më çnjerëzorja ishte spastrimi i shqiptarëve të Kosovës. Disa vende të Bashkimit Europian,  politikanë të rëndësishëm, si dhe personalitete nga shoqëritë civile, ndaj Beogradit ndiehen si të zënë në faj prej bombardimit nga NATO, ndërsa me Kosovën sillen sikur atje nuk pati ndodhur asgjë më 1999. Serbia është bërë portë e hapur në të dy kanatat,  për futjen e Rusisë në vendet e Ballkanit Perëndimor. Këtë politikë, për kuptim figurativ  në Bruksel, e shpreh mirë fjala e urtë që përdoret sidomos në Kosovë: “Qeni i keq e ngrehë (e tërheq, e sjell) ujkun në torishtë (në kasolle)”. Bashkimi Europian është krijuar për të mirën e shteteve anëtare dhe të popujve të tyre, por duke qënë se procesi është i gjatë dhe i vështirë, “humbja e rrugës” siç e cilësoi Pompeo, bëhet tepër e rrezikshme, sepse çon në vërtetimin e Vladimir Iliç Leninit, i cili në pamfletin e tij “Mbi parullën e Shteteve të Bashkuara të Europës”, botuar në “Social-demokrati” në gusht të vitit 1915, dy vjet para Revolucionit të Tetorit 1917 , pati shkruar se “Nga pikëpamja e kushteve ekonomike Shtetet e Bashkuara të Europës ... janë të pamundura”.

Do të ishte fatkeqësi jetësimi i parashikimit leninist.

Modifikuar më Premte, 15 November 2019 17:58
Login to post comments

Lajmet e fundit

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Media

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Flet Era Xhabafti, zv.menaxhere e përgjithshme e kompanisë “Mini Invest Albania”   Ndonëse pandemia ka ndikuar në kërkesën për më shumë komoditet, kërkesat janë që edhe rehatia të jetë me marka. Kështu shprehet...