Ngritja e të mundurve

E Enjte, 06 February 2020 12:11

Nga Qemal SAKAJEVA

Dy vende sllave - Rusia dhe Serbia - përjetojnë  vuajtje të gjatë e të thellë, deri me ndjesinë e nëpërkëmbjes, dhe nuk e kanë kapërcyer dot as pas më shumë se çerek shekulli. Në të vërtetë, perceptimi i politikës së tyre për çfarë ndodhi me shpërbërjen e Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS) dhe të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ) - dy zhdukjet më gjigante të shekullit të kaluar -  është personalizuar padrejtësisht, sepse që të dy këto vende dhe të dy këta  popuj nuk kanë humbur asgjë nga çfarë është e tyre, ajo që u mund dramatikisht ishte ideologjia komuniste e përdorur nga nacionalizmi rus dhe nacionalizmi serb për t’i bërë Moskën dhe Beogradin qendra të përjetshme të dy perandorive. Mes ngjashmërisë së tyre të përkryer, ndodhi  një ndryshim vetëm në kohën e rrënimit: Kremlini i Moskës  pati politikanë nacionalistë më të zgjuar të cilët nuk e përdorën luftën, kurse nga Dedinja e Beogradit  udhëhoqën  nacionalistë të çmendur, që  i përgjakën  me katër luftëra popujt e tjerë me të cilët kishin bashkëjetuar gjatë.

Askush më drejtpërdrejt se sa presidenti Vladimir Putin nuk e ka vajtuar shpërbërjen e BS, duke e cilësuar si katastrofën më të madhe të shekullit te 20-të dhe ka fajësuar me emër ish- presidentin Mihali Gorbaçov, ndërkohë që glorifikon Stalinin duke e futur edhe në tekste shkollore. Askush më fort se presidenti Sllobodan Millosheviç nuk u përpoq që, nëse nuk do të mund të ruhej Jugosllavia nga shpërbërja, më çdo kusht të krijohej Serbia e Madhe, nëpërmjet qethjes me luftë të republikave përreth saj, ndaj kanë filluar ta mburrin dhe pritet t’i ngrenë edhe shtatore. Por humbja e të dy politikave që përbënin bërthamën gravitacionale të perandorive të tyre, ndodhi për dy faktorë të mëdhenj: së brendshmi - rusizmi dhe serbizmi ishin shndërruar në nacionalizma shtypës  e të urryer për popujt  e tjerë  brenda  Bashkimit Sovjetik dhe Federatës Jugosllave, ndërsa së jashtmi - sistemi komunist u mund nga sistemi kapitalist në çështjet më themelore që përcaktonin ekzistencën dhe vijimësinë. Rusia mbeti e hutuar dhe e trullosur përpara asaj çfarë ngjau. Serbia u çmend përballë shpërbërjes dhe ndërmori  luftëra për të pushtuar rretherrotull deri ku jetonte  edhe serbi i vetëm.

Të dy këto nacionalizma po e marrin veten, aspak për shkak të zhvillimit demokratik e fuqizimit ekonomik, por sepse u ricikluan në drejtim figura të spikatura nga politikat e vjetra, të cilët po i udhëheqin  vendet e tyre  drejt korrigjimit sa të mundin të atyre që ato i vetëcilësojnë humbje të pësuara. Megallomania e politikës ruse ka marrë trajtat e  fuqisë sovjetike të Stalinit,  ndërsa megallomania e politikës serbe përdor manierat jugosllave të Titos. Perëndimi kapitalist ende nuk po del nga gjendja e  dehjes për fitoren mbi komunizmin e Lindjes; në Perëndim, ndoshta qe menduar se kjo ishte arritur njëherë e përgjithmonë; por Perëndimi,  gati si papritur dhe i papërgatitur, gjendet përballë dy sfidave të paimagjinueshme: Rusisë që kërcënon me madhësinë e vet e fuqinë atomike  dhe kurthit të hatashëm nga  vërshimi  i miliona emigrantëvë nga Siria, Iraku, Afganistani dhe shtete të  Afrikës,që fshehin mes tyre grupe terroriste vështirë të identifikueshme. Kurse Serbia, në këtë kornizë të madhe botërore, nuk shquhet edhe aq qartë prej Perëndimit, por nga popujt ballkanikë përreth saj, njihet e shihet mirë. Nëse Rusia i ka kryer tashmë testimet e forcës, duke zgjeruar territoret në vise të dikurshme të BS, dhe nuk ndalet (Rusia e fuqishme provën e madhe e kryen me Ukrainën, ndërsa Serbia  e vogël  përdor si fuqi pakicat e veta në vendet përreth për t’u zgjeruar drejt tyre  si pa u ndjerë). Me aq pak banorë serbë  në Kosovë, Serbia ka detyruar serbishten si gjuhë të barabartë me shqipen, kontrollon një numër të madh komunash, ka arritur të sigurojë ekstra territor përreth manastireve e kishave, numër të madh parlamentarësh në kuvend, krijimin e  pritshëm të Asosacionit të Komunave Serbe që përbën njëlloj autonomie të tyre, ndërmerr hapa  si në territorin e vet në përpjekje për të kontrolluar pasuritë minerare të  Trepçës, pretendon të zotërojë  liqenin e madh të Gazivodës, lobon nëpër botë për tërheqjen e njohjeve si dhe hodhi në tavolinë ndarjen e Kosovës nëpërmjet korrigjimit të kufirit. Asnjë vend në të gjithë  Europën e zhvilluar nuk ka kontroll të një shteti nga një shtet tjetër përmes një pakice mëse të vogël, siç është ajo serbe në Kosovë dhe siç ndodh në Kosovë. Asnjë shtet tjetër nuk bën politikë duke qendruar në dy karrike - edhe me Moskën edhe me Brukselin – dhe deklaron prerë se kërkon të anëtarësohet në BE ndërsa Kosovën nuk do ta njohë kurrë si shtet. Eshtë Beogradi që  propozoi se, në pamundësi të zgjerimit të shpejtë të BE-së, Ballkani Perëndimor të shndërrohet në treg të përbashkët rajonal, apo si e ka  përcaktuar Aleksandër Vuiçiç,  krijimi i një  Jugosllavie + Shqipërinë, domethnënë Minishengeni.

Ky trimërim i politikës së Moskës nuk vjen nga që Rusia është një vend me ekonomi të fuqishme. Moska së brendshmi përdor nacionalizmin rus si fuqi, ndërsa  vëzhgon dhe peshon problemet  në Perëndim, i cili përjeton paqen e gjatë asisoj sikur kurrë nuk mund të shfaqet më ngrica e luftës. Por retorika me fjalën luftë ka arritur në pikë kritike: më se dy-tri herë Papa Françesku ka thënë që lufta e tretë ka filluar në mënyrë të shpërndarë gjithandej; Putin, përveçse ka lakuar armët bërthamore në deklarimet e veta, shohim që raketat me kapacitet atomik  Iskander M, me rreze veprimi  500 kilometra, i ka vendosur në Kaliningrad (enklavë prej 15 mijë kilometrash katrorë me 1 milion banorë, e shkëputur nga territori i madh rus, por brenda hapësirës tokësore të  Bashkimit Europian), në kufi me Poloninë, Lituaninë dhe  ujërat e detit Balltik.

Hutimi i dikurshëm rus - pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik - duket sikur shtegtoi prej atje drejt Bashkimit Europian, me një Britani të Madhe të larguar në mënyrë dramatike dhe me disa parti të djathta e radikale europerëndimore që kanë simpati për  Rusinë dhe Vladimirt Putin, duke e cilësuar atë “njeri i paqes”. Ky rrezik ka  zbritur edhe deri në brendësi të Ballkanit të brishtë, siç Milo Gjukanoviç  i Malit të Zi pati deklaruar se Rusia, me shumë të madhe parash të dorëzuara  përmes kanaleve të fshehta, tentoi të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve; apo siç patriarku serb Irinej qe edhe më i drejtpërdrejt duke thënë për Kosovën që, “... ajo që na është marrë me dhunë, me dhunë edhe do të kthehet”.

Si në Rusi dhe në Serbi, nuk ka zhvillim të veçantë të demokracisë dhe ekonomisë,  atje ka ndodhur ngritja kërcënuese e të mundurve, të ricikluar në pushtet  për revansh.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Politikë

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Nga Gezim Sadikaj: Si perfaqsues i banorve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.Shebull tipik i kesaj masakre eshte dhe familja Billa prej 20 antaresh!Mervet Billa dhe Izet...

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

Globi

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

NATO sulmoi trupat serbe në vitin 1999 për të parandaluar një “katastrofë humanitare” në Kosovë. Krahasimi me Ukrainën është i gabuar.   Pas disa muaj negociatash, të cilat nuk dhanë rezultate, më...

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

Ekonomi

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

    Rritja e kostove, frenimi i konsumit, ulja e fitimeve ka bërë që bizneset të reduktojnë investimet në makineri e pajisje. Ulja e konkurrueshmërisë nga bizneset vendase po i lëshon gjithnjë e...