Këshilla e asgjësuesve

Tuesday, 26 May 2020 15:01

Nga Qemal SAKAJEVA

Diku, Umberto Eco ka shkruar që, të jetosh vetëm me shpresë, do të thotë të vdesësh në nevojtore. Është ngjashëm si të thuash që - nëse përqasemi  me zhvillimin e sotëm teknologjik - të jetosh vetëm me kujtime, do të thotë të mbetesh në jerm virtual.

Një mik, aspak për të më zënë ngusht,  bëri një pyetje-grackë: cila është shfaqja e parë që ke ndjekur në Teatrin Popullor? Në sekondë mëtova t’i thosha “Teatri Kombëtar u rrafshua dhe s’ta bëj dot të rrokshme se ku”. Si i ardhur në kryeqytet nga një skaj i humbur i asaj kohe, dhe nga një shkollë e mesme e kryer në Fier ku kishim mundur të ndiqnim në të rrallë estradën e qytetit në mensën e shkollës, së pari jam ulur në sallën e Teatrit Popullor në muajin shkurt të vitit 1966. Atë natë jepej tragjedia Hamlet i Shekspirit dhe, nga që kishte mjaft kërkesa, biletat i gjetëm me të shtrenjtë bashkë me shokun tim të kursit.

Pak kisha lexuar nga Shekspiri - Hamletin jo - si dhe pamundësia e një studenti në vitin e parë, të  arrinte të dinte mbi përkimin rastësor, me emër e mbiemër,  të aktorit Naim Frashëri  - në rolin e Haletit - me Poetin Kombëtar Naim Frashëri. Prandaj emri i artistit mbahej mend lehtë, ose nëse i referohemi një interviste të regjisorit  sovjetik Sergei Jutkeviç,  të filmit Skenderbeu, që pasi Naim Frashëri ishte përzgjedhur të luante në film rolin e Palit dhe rusi qe pyetur a mund t’ia mbante mend emrin , ai qe përgjigjur se nuk mund t’ia harronte, sepse do të ishte njëlloj sikur një aktor rus të quhej Aleksandër Pushkin.

Magjia e asaj nate ishte e jashtëzakonshme me shfaqjen e tragjedisë Hamlet, e shkrimtarit më të madh të dramës - Shekspirit-   vënë në skenë që më 24 qershor të vitit 1960, me përkthimin mjeshtëror të Fan Nolit.

Për herë të partë në sallën e një teatri të vërtetë vetja të dukej si në një ëndërr të gjatë.

Aty e dëgjova thënien e famëshme hamletiane “Të rrosh, a të mos rrosh”, të interpetuar me art mbresëlënës nga Naim Frashëri, që kishte arritur majën e karrierës.

Pashë Mbretëreshën, nëna e Hamletit, që nuk ia gjen dot fillin daljes - kjo qe Marie Logoreci. Dhe një Ofeli e brishtë e çmendur- ajo ishte Margarita Xhepa.

Pas një gjendjeje shpirtërore të ngritur që, bashkë me pushimin ndërmjet, zgjati gati katër orë, dolëm përjashtë. Na solli në vete i ftohti i madh disa gradë nën  zero, ora 23 e natës, si dhe ikja me kohë e autobusit të fundit për t’u kthyer në Institutin e Lartë Bujqësore të Kamzës. Nuk kishte asnjë mundësi tjetër përveçse mbërthyem palltot pas trupit, dhe përmes errësirës së plotë, thellimit të acartë me erën brisk që vërsulej nga veriu, na u deshën thuajse dy orë më këmbë për të mbërritur në konvikt. Por ia vlejti edhe për një arsye të papritur: në atë klimë të ashpër të dallgëve politike të Revolucionit Kulturor kinez që pllakosi me shpejtësi  vetëm Shqipërinë, Diktatori i trembej ideve të tragjedive të mëdha - vetë përgatitej të vinte në skenën e politikës tragjedinë Makbeth - dhe Hamleti u ndalua të luhej në Teatrin Popullor.

Pas 17 majit 2020, kur Teatrit Kombëtar iu vërsulën fadromat,  gjithçka u shndërrua vetëm në kujtime. Nëse do të ringrihet dikur - siç ishte - ai nuk do të jetë i vërteti, por një copy paste. Ndaj teatrit u veprua ngjashëm si në rrëfenjën për një kapiten rus të kryqëzorit, që mbante gjithmonë  me vete, si diçka shumë të çmuar, një samovar të argjentë ku ziente çajin e përditshëm. Kapiteni i regjur detrave, u kishte thënë  marinarëve një filozofim nga jeta se, “Kur një gjë dihet ku gjendet, nuk është e humbur”. Një marinar kopil, që nuk e bënte dot samovarin të vetin me vjedhje në atë hapësirë të ngushtë të mjetit lundrues, si dhe me synimin për t’ia rrënuar kapitenit një mendim  filozofik që e kishte fort për zemër, një natë në të gdhirë e merr samovarin dhe e flak në fund të oqeanit. Pas zgjimit, kapiteni u vërdallis gjithendej, si i ndërkryer, duke kërkuar dhe, kur nuk e gjeti dot, i vuri marinarët në rresht.

-A e di ndonjëri se ku është samovari im?-pyeti dyshues.

Asgjësuesi foli ftohtësisht:

-Zoti kapiten, a i qendron  thënies se,“Kur një gjë dihet ku gjendet, nuk është e humbur?”

-Si nuk i përmbahem?!

-Zoti kapiten, samovari i argjendtë gjendet në fund të oqeanit! Ti ruaj kujtimet për të!

Asgjësuesit e Teatrit Kombëtar, pas rrënimit patën edhe kurajën e tmerrshme, t’u thoshin në mënyrë cinike kundërshtarëve, se aty do të ndërtohet teatri i ri, ndërsa për të vjetrin mbani mend kujtimet.

Modifikuar më Tuesday, 26 May 2020 15:55
Login to post comments

Lajmet e fundit

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Media

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Flet Era Xhabafti, zv.menaxhere e përgjithshme e kompanisë “Mini Invest Albania”   Ndonëse pandemia ka ndikuar në kërkesën për më shumë komoditet, kërkesat janë që edhe rehatia të jetë me marka. Kështu shprehet...