Një fostoksinë për padrejtësinë! Historia tragjike e Pal Trashaj

E mërkurë, 03 July 2024 17:34
 

Nga Boldnews.al

Pas një kalvari të gjatë pritjesh e betejash për drejtësi, 63-vjeçari nga Lezha, Pal Trashaj, sfidoi drejtësinë në ditën e parë të zisë kombëtare për Ismail Kadarenë, duke pirë fostoksinë  para dyerve të SPAK. 

Trashaj, si shumë qytetarë të tjerë kishte rënë prej vitesh viktimë e skemës së mashtrimit me mikrokreditë.

Në vitin 2008, Pal Trashaj kishte marrë një kredi familjare prej 500 mijë lekësh pranë një institucioni financiar në Lezhë, “Oportuny”. Duke qenë se “Oportuny” ishte një fondacion, çdo muaj ai shlyente këstin prej 15 mijë lekësh pranë një banke të nivelit të dytë.

Më pas fondacion ndryshon emër dhe kthehet në NOA Bank dhe në këtë moment 5 këste nga viti 2011-2013 Trashaj i paguan pranë këtij institucioni financiar.

Pas 5 vitesh, Pali duhet të përfundonte shlyerjen e kredisë në shumën totale 800 mijë lekë te NOA, nga e cila i kishin mbetur për t’u paguar edhe rreth 80 mijë lekë. Ndërkohë që NOA Bank i komunikon se ai duhet të paguaj bashkë me interest 480 mijë lekë.

Në pamundësi për të hapur një çështje gjyqësore se nuk i jepeshin dokumente nga banka, Trashaj refuzon ta paguaj këtë shumë dhe në vitin 2017 ndaj tij nisin presione të vazhdueshme nga shoqëria përmbarimore “Star” shpk që të shlyente “borxhin”, e cila më pas i vendos nën masën “ngrirje” të shtëpisë.

I biri i Palit tregon se babai shkoi në SPAK, për të kërkuar që të verifikohen vendimet e Gjykatës së Lezhës dhe Shkodrës për çështjen. Pasi priti disa orë për të marrë një përgjigje në portën e “Drejtësisë së re”, 63-vjeçari piu fostoksinë , duke i thënë dy fjalë të shoqes pas aktit të rëndë: “Kam marrë fostoksinë  se nuk po gjej drejtësi”.

Fill pas aktit të rëndë, vjen reagimi i Prokurorisë së Posaçme, duke sqaruar se z. Trashaj ishte paraqitur tek oficeri i informacionit dhe ka kërkuar takim me një nga hetuesit e BKH-së për një çështje e cila pas verifikimeve ka rezultuar se i ka kaluar për kompetencë një prokurorie të juridiksionit të përgjithshëm që në vitin 2022.

Më pas oficeri i informacionit ka bërë me dije qytetarin të presë sa të njoftojë hetuesin e çështjes mbi kërkesën e tij. Ndërkohë që oficeri i informacionit ka marrë kontakt me hetuesin e çështjes, qytetari ka dalë jashtë në oborr, duke mos ardhur për të marrë përgjigje”, thuhet në njoftimin e SPAK, në fund të cilit garantohet se Prokuroria e Posaçme, do t’i përgjigjet në kohë çdo qytetari me korrektësi dhe në zbatim të ligjit për çështje që janë në kompetencën e saj. Mesa duket në rastin e z.Trashaj koha nuk ka ecur shpejt për SPAK.

Pali nuk është rasti i parë dhe as i fundit në listën e fatkeqëve të këtij vendi që nuk kanë gjetur zgjidhje në dyert e drejtësisë dhe spitaleve, ku ai vdiq nga helmi.

Qindra qytetarë trokasin në dyert e institucioneve me një mal me letra që, vallë, a ua lexon njeri për t’i kuptuar hallin?

Por ai ishte ndër të paktët qytetarë që ngrenë zërin për të denoncuar publikisht. Në dhjetor 2020, Trashaj denoncoi publikisht në media, para hetimeve të prokurorisë, skemën e mashtrimit me mikrokreditë, të cilën ai e kishte hequr vetë mbi kurriz.

Në foto: Pal Trashaj, duke denoncuar publikisht skandalin e mikro-kredive në emisionin “Top Story”

Vetëm pas 4 vitesh, u zbulua se më shumë se 100 mijë qytetarë kishin rënë pre e skemës së mashtrimit financiar me mikrokreditë.

Më 23 maj 2024, Banka e Shqipërisë e gjendur në kushtet e presionit të madh publik mbi skemën e mashtrimit me mikrokreditë, të faktuar edhe nga hetimet e Prokurorisë së Tiranës, vendosi heqjen e licencës për dy kompani Micro Credit Albania (MCA) dhe FINAL.

Këto shoqëri kishin blerë nga bankat e nivelit të dytë 3999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite me një shumë totale prej 7.299.203 euro.

Ndaj kredimarrësve përdorej një skemë shtrënguese, ku nëpërmjet vjedhjes u imponohej debitorëve që kishin borxhe të vjetra në banka, të rimerrnin kredi edhe pse nuk kishin mundësi shlyerje, si dhe u bllokonin nga shoqëritë përmbarimore rrogat, pronat, apo makinat.

Me marrjen e një kredie të re pranë agjencisë financiare zhbllokohej përkohësisht pasuria dhe llogaritë e kreditorëve, por më vonë agjencia financiare shfaqej me kërkesën për likuidimin e shumave të tjera.

Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Tiranës vendosi më 23 maj 2024, masat “arrest me burg” dhe “arrest në shtëpi” për 9 administratorë dhe përmbarues gjyqësor për akuzën “skema mashtruese dhe piramidale”.

Ndërkohëvetë kreu i SPAK, Altin Dumani, gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve më 22 maj, tha se mikrokreditë janë çështje në hetim.

Në këto kushte, halli i Palit nuk ishte një rast i panjohur për drejtësinë që do duhet t’ia niste nga e para. Vdekja e Palit ishte një vonesë në kthimin e përgjigjes që ai të mos e nxirrte fostoksinë n nga xhepi për t’i dhënë fund jetës së tij, por t’ia jepte padrejtësisë.

Modifikuar më E mërkurë, 03 July 2024 17:44
Login to post comments

Lajmet e fundit

Siguria e Lojërave Olimpike në Paris

Globi

Siguria e Lojërave Olimpike në Paris

Tre ditë para fillimit të Lojërave Olimpike, ministri i Brendshëm i Francës përshëndeti forcat e rendit siç tha ai “për punën e tyre të palodhur”. Ai tha se përkushtimi i oficerëve...

Ish-komandanti i Gardës në SPAK

Politikë

Ish-komandanti i Gardës në SPAK

  Ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi Ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi është paraqitur në SPAK. Paraqitja e tij në SPAK vjen pasi Prokuroria e Posaçme ka nisur hetimet për vrasjen e Aleks...

Çfarë rrezikojnë njerëzit nga produktet kozmetike të kontrabanduara?

Aktualitet

Çfarë rrezikojnë njerëzit nga produktet kozmetike të kontrabanduara?

  Një aksion i policisë të dielën zbuloi mallra kontrabandë në biznesin e fushës së kozmetikës, “Global Cosmetics & Distribution”. Policia njoftoi se në ambientet e biznesit në Tiranë janë gjetur rreth...