Historia e Pal Trashajt, njeriut që i dha fund jetës në dyert e SPAK

E Enjte, 04 July 2024 13:46

Kur trokiti në dyert e SPAK-ut për denoncimin që kishte bërë dy vite më parë, Pal Trashaj e kishte në xhep dozën e fotoksinës. Priti disa orë në oborrin e SPAK me shpresë se nuk do ta merrte helmin, por kur e pa se e kishin përcjellë edhe këtë herë, i dha fund vuajtjeve të tij.

Gëlltiti helmin dhe u tregoi gazetarëve aty afër se çfarë kishin bërë. Ambulanca e mori për ta çuar në spital, por siç duket ishte vonë. Helmi e kishte bërë të tijën. Nga spitali njoftuan se Pal Trashaj ndërroi jetë mëngjesin e sotëm.

Historia e Pal Trashajt është ajo e një njeriu që kërkoi drejtësi dhe kur humbi shpresën se do ta gjente, i dha fund jetës. Përballë pati një mekanizëm të fuqishëm që e kishte futur në grackë, atë të mikrokredive.

Borxhi që i mori jetën

Kredia fillestare e Pal Trashajt nuk ishte një shumë e papërballueshme. Vlera e saj shkonte rreth 5 milion lekë të vjetra. Por është provuar tashmë se mikrokreditë janë më afër fajdexhinjve, se sa institucioneve moderne financiare. Për fajdexhinjtë, fitimi është më i madh nëse ti nuk i qëndron korrekt marrëveshjes së parë. Vonesat në pagesën e kësteve shoqërohen me kamata që rriten me shpejtësi, duke shumëfishuar interesat. Sa më e gjatë të jetë vonesa, aq më shumë fitojnë mikrokreditë.

Kjo ndodhi edhe me Pal Trashajn. Në pamundësi për t’i paguar disa këste, kredia e tij u rikonstruktua. Borxhi u rrit me një shpejtësi që Pal Trashaj nuk e kapte dot. Nga 5 milion lekë të vjetra, shkoi në 44 milion lekë.

Nga aty, institucioni që ia shtoi vlerën e shiti kredinë e tj tek kompania MCA e cila e shtoi akoma më shumë borxhin dhe kur Pal Trashaj nuk paguante dot më, u thirr përmbarimi që i bllokoi pasurinë; shtëpinë, tokën, makinën, pagën e tij dhe të familjarëve.

Denoncimi në SPAK

Pal Trashaj pretendonte se i kishte paguar detyrimet e tij. Por se borxhi ishte shtuar në mënyrë që ta vidhte akoma më shumë. Me shpresë se do të gjente zgjidhje iu drejtua prokurorisë. Trashaj kërkonte që SPAK të merrte përsipër çështjen e grabitjes së pronës së tij, por u refuzua.

Dy vite më parë, dosja e tij ishte transferuar për mungesë kompetencash.

Në reagimin që pati për ngjarjen, SPAK tha se “pas verifikimeve ka rezultuar se (dosja e Pal Trashaj) i ka kaluar për kompetencë një prokurorie të juridiksionit të përgjithshëm që në vitin 2022”.

Drejtësia nuk e shpëtoi dot nga rrjeta e mikrokredive, por në vitin 2015, Trashaj ishte përpjekur ta zgjidhte vetë. Ai kishte kërcënuar drejtorin e një banke të dytë, por në këtë rast sistemi ishte vënë menjëherë në lëvizje dhe Pal Trashaj me profesion historian, ishte gjobitur nga gjykata e Tiranës.

Arrestimet e hajdutëve të mikrokredive

Skema e mikrokredive numëron me mijëra viktima që kanë rënë në të njëjtën grackë si Pal Trashaj, por që janë nënshtruar duke paguar interesat e fryra të mikrokredive. Në muajin maj të këtij viti, Gjykata e Tiranës vendosi 9 masa sigurie, 5 “arrest në burg” dhe 4 “arrest në shtëpi” për administratorë të subjekteve financiare dhe përmbarues, nën akuzë për veprën penale ‘Skema mashtruese dhe piramidale’ pasi janë përfshirë në skemën e mashtrimit me mikrokreditë.

Prokuroria solli rastin kur Micro Credit Albania, i kishte sekuestruar një personi, 14 pasuri të paluajtshme për rreth 348 mijë lekë detyrim të prapambetur.

Pesë shoqëritë që u mbyllën, Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH, morën nga një bankë e nivelit të dytë 3999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite me një shumë totale prej 7.3 milionë euro.

Ata përdornin një skemë shtrënguese të kredi-marrjes ku nëpërmjet vjedhjes u imponohej debitorëve që kishin borxhe të vjetra në banka, të rimerrnin kredi edhe pse nuk kishin mundësi shlyerjeje si dhe u bllokonin nga shoqëritë përmbarimore rrogat, pronat, apo makinat.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Siguria e Lojërave Olimpike në Paris

Globi

Siguria e Lojërave Olimpike në Paris

Tre ditë para fillimit të Lojërave Olimpike, ministri i Brendshëm i Francës përshëndeti forcat e rendit siç tha ai “për punën e tyre të palodhur”. Ai tha se përkushtimi i oficerëve...

Ish-komandanti i Gardës në SPAK

Politikë

Ish-komandanti i Gardës në SPAK

  Ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi Ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi është paraqitur në SPAK. Paraqitja e tij në SPAK vjen pasi Prokuroria e Posaçme ka nisur hetimet për vrasjen e Aleks...

Çfarë rrezikojnë njerëzit nga produktet kozmetike të kontrabanduara?

Aktualitet

Çfarë rrezikojnë njerëzit nga produktet kozmetike të kontrabanduara?

  Një aksion i policisë të dielën zbuloi mallra kontrabandë në biznesin e fushës së kozmetikës, “Global Cosmetics & Distribution”. Policia njoftoi se në ambientet e biznesit në Tiranë janë gjetur rreth...