Nga Bujar Nishani
Ambasada e SHBA në Tiranë paralajmëroj dhe denoncoj një ditë përpara gjyqit të ish Ministrit të Brendshëm se kërcënime, shantazhe dhe rryshfete, po përdoreshin për ta liruar nga arresti ish-ministrin. 
 Ky denoncim i Ambasadës u verifikua ekzaktësisht pas nje seance flesh të gjykatësve në veting.
 Të gjithë shqiptarët normalë nuk është se kishin ndonjë dyshim në atë denoncim të Ambasadës, pasi Qeveria e SHBA është qeveria mike më e angazhuar në luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri.
 Institucionet ligjzbatuese të SHBA janë institucionet më të afta dhe më të specializuara në hetimin e trafikut të drogave dhe grupeve të trafikantëve.
 Për më tepër kjo Ambasadë nuk flet pa patur prova serioze. 
Natyrisht prova që nuk i merr nga laboratori imagjinar i Kryeministrit të Shqipërisë.
 Por edhe njëherë, si në të gjitha skandalet e mëparshme të kësaj qeverie, propaganda e agjitatorëve të qeverisë nisi tentativën të përgënjeshtrojë apo deformojë deklaratat e Ambasadës së SHBA. 
 Sipas agjitatorëve të qeverisë ndërhyrjet, kërcënimet dhe ryshfetet e dhëna për pengimin e ligjit ndaj ish Ministri të Brendshëm mund të jenë bërë nga opozita !!!! 
 Më qesharakë nuk ka se si bëhen.  Por në fakt nuk është aspak thelbi i kësaj situate ky lloj sharlatanizmi.
 Thelbi është se lirimin e Sajmir Tahirit e vendosi Kryeministri dhe maxhoranca e tij parlamentare që në momentin kur bllokuan kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imunitetit që të kishin mundësinë të mblidhnin provat e nevojshme në banesën e ministrit. 
Prova që më pas shqiptarët i panë të hargaliseshin rrugëve të Shqipërisë ndër makinat e fëmijve të oligarkëve të Rilindjes, në prerje 100-she dhe 500-she.
 Lirimin e Sajmirit e paralajmëroj Agron Xhafaj gjatë muhabetit me mikun e tij Babalen,... “ ata në Itali, janë zbërthyer fare vëlla”, i thoshte Xhafaj Babales. 
 Ndaj masat duheshin marrë seriozisht, me çdo kusht e çmim mbi kurrizin, imazhin dhe fatin evropian të vendit.
 Kjo nuk është aspak një çështje procedurjale, siç kërkojnë t’jua shesin shqiptarëve, agjitatorët e oborrit qeveritar. 
Nën masë arresti apo ndjekje të lirë, 
 me arrest në burg apo në shtëpi e përcakton qartë kodi procedures penale në varësi të plotë nga rrezikshmëria e kompromentimit dhe ndikimit të hetimit si dhe lloji i veprës penale për të cilën është ngritur akuza.
 Por ajo që bën diferencën nuk është proçedura e parashikuar nga ligji por urdhëri dhe pushteti që ka Maliqi. 
 Ajo që tregon kapjen e sistemit dhe modelin e pandëshkueshmërisë edhe për krime të rënda e flagrante (lëre pastaj për vjedhjet e sofistikuara), nuk është thjesht denoncimi amerikan por fuqia e vërtetë që kanë mbi pushtetin Habilajt, Xhafajt dhe “babalet” e këtij vendi.
Kushdo qytetar tjetër i këtij vendi, nga veriu në jug që do kishte një akuzë të tillë nga Prokuroria do ishte mbyllur në qeli që ditën e parë e do ishte harruar aty brënda.
 Për të inkriminuarit e Rilindjes nuk ka ligj, rroftë Maliqi !
 
																					 
								
 
 
 
 
  
						 
																									 
																									





