Presidenca do të ngjyroset portokalli mbrëmjen e sotme dhe arsyeja është shumë e fortë. Këtë njoftim e ka bërë Presidenti Ilir Meta në një status në “Facebook” ku jep një mesazh kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Në ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj grave dhe vajzave Meta thotë se dhuna ndaj tyre nuk është burrëri por dobësi. Për këtë arsye Presidenca i bashkohet fushatës botërore “Ta ngjyrosim botën portokalli”, ndërsa Meta deklaron i prerë se nuk do të amnistojë në fundvit asnjë të dënuar për dhunë në familje.
“Dhuna fizike e verbale ndaj grave dhe vajzave është dobësi! Nuk është burrëri! Është një plagë e shenjë turpi për shoqërinë, një pengesë e madhe për zhvillimin gjithëpërfshirës, të barabartë dhe të qëndrueshëm.
Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave i bashkohem fushatës botërore “Ta ngjyrosim botën portokalli” duke i dhënë sot në mbrëmje këtë ngjyrë Institucionit të Presidencës.
Përsëris qëndrimin tim të palëkundur për të mos amnistuar asnjë të dënuar për vepra penale të dhunës në familje”.