Reforma në drejtësi si sfidë për të krijuar drejtësinë e pavarur!

Saturday, 20 Prill 2019 10:13

Nga Klajda Gjosha

Reformat e mëdha gjithnjë janë një sfidë; sfidë për shoqërinë në tërësi, por edhe sfidë për vetë klasën politike, sepse prej fokusit, cilësisë e trendit të tyre, gjykohet edhe vetë shkalla e emancipimit të vetë shoqërisë.

Nga kjo qasje duhet gjykuar në vlerësimin tim edhe reforma në drejtësi, e cila si sfidë meritonte dhe meriton më shumë realizëm, e për rrjedhojë edhe më shumë bashkëveprim, pasi ajo është një reformë jetike që i tejkalon kufijtë e vetë sistemit të drejtësisë, me rezonancë shumë më të gjerë nga sa e percepton shumica e opinionit e për fat të keq edhe mania për ta pronësuar atë e për ta shërbyer në opinion si aksion politik të qeverisë.

Reforma në drejtësi është zgjedhje për Shqipërinë europiane, e cila për t’u bërë e tillë ka nevojë më së pari të jetë shtet i të drejtës dhe ku drejtësia të njohë vetëm autoritetin e ligjit.

Për këtë arsye vazhdon të mbetet në qendër të vëmendjes së opinionit, në qendër të komenteve e vlerësimeve nga aktorët kryesorë në Shqipëri, por mbi të gjitha edhe për partnerët ndërkombëtarë, sidomos në këto momente kur jemi përpara publikimit të raportit nga Komisioni Evropian.

Debati për këtë reformë ka qenë gjithmonë i nxehtë, më shumë pasionant se sa racional, me një përpjekje të sforcuar të mazhorancës për ta shitur atë si fitoren më të madhe të saj e qeverisë së vet, duke refuzuar të gjitha rekomandimet dhe konstatimet e problematikave të ndryshme që janë ngritur gjatë kësaj kohe.

Ndërsa opozita, e vënë padrejtësisht nën akuzën e maxhorancës është përpjekur të kryejë detyrën e saj, për të monitoruar me kujdes procedurat e ndjekura për implementimin e reformës; edhe për të kritikuar, edhe për të ngritur zërin kur janë shfaqur deformime. Sepse në fund të fundit opozita nuk është për të duartrokitur dhe as për të heshtur.

Kur nuk kanë mbetur edhe dy-tre muaj për të mbushur tre vjet prej nisjes së reformës, është e udhës e krejt normale të bëhet një skanim i procesit, me realizëm, me objektivitet për të parë se çfarë nuk ka ecur mirë, ku janë bërë gabime dhe arsyet se përse janë bërë. Kjo ma do mendja do ta ndihmonte vetë reformën dhe do të na jepte të gjithëve një pamje reale të saj, gjë për të cilën kemi nevojë të gjithë e më shumë se kushdo, kanë nevojë qytetarët, pasi besimi i tyre është shumë i rëndësishëm.

Unë e konsideroj si shenjë shumë pozitive faktin që prej Brukselit, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka përcjellë në zyrat e veta në Tiranë shqetësimin për tre probleme që ata kanë vërejtur dhe që janë përveçuar qartë; 1.shpejtësia e reformës, pra ritmet e ecurisë së saj,

  1. standardet e dyfishta dhe 3. metodat e investigimit.

Le ti marrim dhe analizojmë me rradhë.

Që në fillim gjatë procesit të diskutimit është bërë e qartë se reforma, veçanërisht procesi i vetingut do të kërkonte më shumë kohë dhe se nuk mjaftonte vetëm entuziazmi apo euforia e pushtetit, që më shumë se thelbin e misionin e reformës, mendonte përdorimin e saj për interesa politike.

Deri sot kanë kaluar në filtrin e vetingut rreth 130 gjyqtarë dhe prokurorë. Shumë pak po të kemi parasysh që po bëhen tre vjet nga fillimi i procesit. Ne sistemin e drejtësisë ka afërsisht 800 prokuror dhe gjyqtarë te cilet sipas përcaktimit ligjor presin te vetohen. Afati i veprimtarisë se këtij komisioni është deri në vitin 2021. Duke pare këto shifra konkludohet se me këto ritme procesi nuk mund te përfundoje brenda afatit kushtetues. E ndërkaq, vonesat dhe jo vetëm, por edhe mungesa e një projekti të detajuar për të gjitha etapat ka çuar në absurdin që një pjesë e organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë ende nuk janë krijuar, ndërkohë që vendi është pa gjykatë kushtetuese, me gjykatë të lartë të bllokuar, me Prokurorin e Përgjithshëm ende të pa zgjedhur sipas Kushtetutës dhe me pothuaj tërë sistemin në kolaps.

Për fat të keq, ajo që është denoncuar në vijimësi jo vetëm prej opozitës, por edhe prej aktorëve të tjerë të shoqërisë dhe që ka të bëjë me standardet e dyfishta në procesin e vettingut, pranohet edhe nga vetë ONM, e reflektuar kjo edhe me përplasje apo kundërshti shpesh herë me vetë Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Emrat e njohur në lidhje të ngushtë me maxhorancën apo me individë të qeverisë, e kanë kaluar vettingun pa respektuar kriteret kushtetuese dhe ligjore të procesit. Individë me një të shkuar të errët gjatë regjimit komunist e me rekorde të dyshimta profesionale dhe të integritetit të tyre, kanë lënë të kuptohet qartë se KPK ka bërë zgjedhje të njëanshme me ngjyra politike! Ndërkohë që, në disa raste edhe pse ONM ka dhënë rekomandime negative për individë të caktuar sërish këto rekomandime nuk janë marrë parasysh nga Kuvendi, apo nga organet e vettingut, duke bërë të mundur kështu emërimin apo rikonfirmimin në pozicione të larta të sistemit të personave që nuk plotësojnë kritere ligjore, që janë në konflikt interesi, dhe kanë integritet të cënueshëm dhe jo të besueshëm.

Aplikimi i standardeve të dyfishta e ka kompromentuar procesin dhe e ka bërë atë të pabesueshëm edhe për publikun, ç’ka reflektohet edhe në sondazhet e kohëve të fundit.

Prandaj edhe ONM nga Brukseli tërheq vëmendjen përveçse për ritmet dhe aplikimin e dy standardeve, edhe për procesin e investigimit apo për metodologjinë e hetimit. Pra, iu rezulton edhe atyre që nuk është përdorur e njëjta metodologji në vlerësimin individëve që janë subjekt të vettingut. Diku me konsistencë e diku tjetër në mënyrë sipërfaqësore e formalisht, diku me te drejtë është qëmtuar në çdo detal e me lupë, diku tjetër me njërin sy të mbyllur dhe njërin vesh shurdh.

Duke qenë dakord me të gjitha këto konstatime të ONM, edhe një herë e theksoj se është e domosdoshme një analizë realiste, objektive dhe e paanshme e procesit.

Kjo nuk e dëmton aspak, përkundrazi e shëron dhe e ndihmon procesin e vetingut dhe reformën në tërësi. Është realisht thelbësore që nëse procesi ka probleme, ai të ketë mundësi të korrigjohet në kohë. Përmirësimi dhe korrigjimi i reformës nuk është tabu dhe ajo nuk ka pse të ngrihet si barrierë arroganca dhe këmbëngulja e qeverisë.

Edhe një herë po e përsëris; reforma në drejtësi është sfida jonë e madhe, është kusht për Shqipërinë europiane e përballë saj nuk duhet të ketë palë, por partneritet dhe bashkëveprim transparent, mundësisht frymë konsensusi që orientohet nga interesat madhore të vendit dhe të integrimit europian, dhe jo nga logjika e manipulimit politik për ta instrumentalizuar reformën si armë në duart e njërës palë kundër palës tjetër apo si mjet të kanosjes deri në absurdin sikur reforma në drejtësi është masha e pushtetit kundër opozitës!

Jo, reforma në drejtësi është sfida jonë e përbashkët, është prioriteti ynë i për të krijuar drejtësinë e pavarur, drejtësinë që në zbatim të ligjit bën drejtësi dhe jo politikë.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Media

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Flet Era Xhabafti, zv.menaxhere e përgjithshme e kompanisë “Mini Invest Albania”   Ndonëse pandemia ka ndikuar në kërkesën për më shumë komoditet, kërkesat janë që edhe rehatia të jetë me marka. Kështu shprehet...