Boçi: Qytetarët do burgosin Ramën në Surrel, zgjedhje pa opozitën s’ka

Premte, 10 May 2019 13:03

 “Guximi për të burgosur ish-deputetin Klevis Balliu, Ramës buron si nga zhbalancimi mental i tij ashtu dhe nga pushtimi prej sindromës së rënies e shprehur si “reagim kur prek fundin””. Kështu shprehet ish-deputeti i PD-së, Luçiano Boçi në një intervistë për “Koha Jonë”. Boçi thotë se Rama po provokon që opozita të ketë reagim ekstrem, pasi kështu nënvizon ish-deputeti, Rama do ta përdorë ndërkombëtarisht. Nga ana tjetër, ai pohon se “opozita është alternativë, është shpresë, frymë dhe aksion i gjerë e shumëdimensional politik”. A do të ketë tryezë për zgjidhjen e krizës? Ish-deputeti thotë se në një tavolinë nuk mund të negociohet me keqbërësin. “Ai mundet të pranojë me “avokat” fajin për të përfituar gjykim të shkurtuar dhe zbutje dënimi. Këtë duhet të bëjë minimalisht dhe Rama. Të mos insistojë duke penguar sot zgjidhjen politike të cilën e kërkojnë të gjithë”,-thotë Boçi.

Arrestimi i ish-deputetit Klevis Balliu, po cilësohet si tentativë që Rama kërkon të sjellë destabilizimit dhe po nxit konflikt. Pse mendoni që Rama guxoi të burgosë ish-deputetin, duke prekur një cak të pazakontë, atë të një politikani deri dje anëtar i Kuvendit?

Regjimet e çfarëdollojti qofshin, gjithnjë kur u vjen fundi rrisin dozat e agresivitetit dhe kërkojnë të mbjellin terror psikologjik me shumë mënyra e mjete. Kjo konsiderohet si faza e panikut, pas së cilës vjen domosdo rrëzimi. Pasojë e kësaj faze është dhe goditja e drejtuesve politikë. Tentativë kjo e provuar disa herë por që në rastin e Klevisit u avancua akoma më shumë. Regjimet siç krijojnë favore politike për elitën e tyre të privilegjuar ashtu dhe realizojnë burgosje politike. Zgjedhja nuk është aspak rastësore sepse lidhet me qëndresën epike të banorëve të Unazës për të protestuar për të drejtat e tyre, përgjatë të cilave Balliu nuk ka munguar për asnjë çast. Edhe momenti nuk është aspak rastësor, sepse duket si një prelud i paketës ligjore për ndryshimet në kodin penal të cilat kërkojnë të arrestojnë qytetarin dhe opozitën. Rama po provokon dhe po kërkon me të gjitha mënyrat reagimin ekstrem të opozitës për ta futur atë në një qerthull dhune, të cilën ai të mund ta përdorë më pas ndërkombëtarisht por dhe për ta çuar vendin drejt një destabiliteti që ai e koncepton si shpëtues për karriken e tij. Sikurse qartazi, ky “nxitim” burgosës, është epilogu e një drejtimi banditesk të shtetit. Guximi për të burgosur ish-deputetin, Ramës buron si nga zhbalancimi mental i tij ashtu dhe nga pushtimi prej sindromës së rënies e shprehur si “reagim kur prek fundin”.

“61 bashkitë do të fitohen nga PS-ja”. Kryeministri thotë se nuk do të pranojë qeveri tranzitore dhe se do shkojë vetëm në zgjedhje. Në këtë situatë aspak të qetë, ku presioni është rritur, si duhet ta izolojë opozita qeverinë “Rama 2” për të shkuar në zgjedhje të lira?

Me qeverinë që ka Rama, me mënyrën e instaluar të blerjes së votës e rrëmbimit të saj e pa opozitën, Rama mund dhe ta tejkalojë dhe planin. Ai mund të synojë me mendjen e vet të marrë dhe ndonjë bashki jashtë territorit të Shqipërisë. E gjitha kjo falë budallallepsjes që e ka kapluar dhe shkëputjes totale nga konteksti real politik. Minimalisht një politikan qoftë dhe profan e di shumë mirë se zgjedhje pa opozitën nuk mund të ketë. E opozitë nuk është as një parti që del nga mënga e Ramës, as dhe tufa e rrogëtarëve që presin me padurimin buzëqeshjen e Ramës dhe butaforinë e Gramozit në sallën e estradës së parlamentit. Opozita para se të jetë kundërshti është alternativë, është shpresë, frymë dhe sigurisht aksion i gjerë e shumëdimensional politik. Ndërsa qeveria tranzitore është mjeti për të transferuar besimin qytetar tek vota dhe tek drejtësia e saj, për të penguar kështu të gjithë arsenalin e vjedhjes grabitjes e dhunimit të saj, me të cilat Rama e qeveria e tij është kapur. Pengimi i kësaj bande me okelio qeverie, në qëllimin e saj për të instaluar regjimin e votës së vjedhur, mbetet detyrë jo vetëm opozitare por dhe qytetare. Izolimi po ndodh.

11 maji po vjen. Thirrjet për destabilizim nuk mungojnë prej kohësh. Për ju, çfarë pritet të ndodh më 11 maj? Si do të organizohet PD-ja me aleatët, protestë disa orëshe dhe pastaj do të tërhiqeni? Nga ana tjetër, PD-ja është shprehur se Ramës do t’i pamundësohet dalja nga shtëpia.

Ne synojmë një protestë madhështore por pa hyrë në konkurrencë me vetveten. Objektivi  i protestës është revolta ndaj Ramës dhe enturazhit të tij politik që pengojnë sot  mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme të parakohshme. Tashmë qytetari e ka shprehur qëndrimin e tij dhe zemërimi është në rritje progresive. Protestat nuk kanë domosdo skenarë apo gjëra të parashkruara për të ndodhur. Gjithçka do të përcaktohet nga dinamikat e brendshme të saj dhe nga mënyra e reagimit të policisë, e cila deri më tani ka qenë provokuese dhe arbitrare. Ndërkohë pamundësimi i daljes së Ramës mbetet një opsion i shpejtë. Përderisa Rama po përdor të gjithë aparatin e dhunës për të burgosur drejtuesit politikë e qytetarët nuk është çudi kur të vijë dita që qytetarët të burgosin Ramën, fillimisht në shtëpinë e tij e më pas atje ku ai, si thyrës i kushtetutës e i ligjit, si dhunues i njerëzve, si hajdut votash e pushteti, e ka vendin. Dita po vjen.

A do të prodhojë këtë herë politika një konsensus në kuadër të zgjidhjes së krizës? Në dijeninë tuaj, do ketë rrugë ligjore për një marrëveshje e cila do të shmangë një përplasje civile? Edhe aleatët e PD-së, kanë kërkuar tryezë me Ramën si kreu i PS-së.

Konsensusi midis forcave politike i cili merr në konsideratë të gjitha kushtet e vëna nga opozita, me një mediator qoftë dhe Presidentin, është i mirëpritur. PD nuk e ka dashur dhe as e ka stimuluar konfliktin civil, sepse ai është lluca ku derri i qeverisë ka ambientin e vet. Përkundrazi. Në të gjitha reagimet tona ka sunduar qytetaria megjithëse zemërimi ka qenë ekstrem. Ky konsensus mund të realizohet midis vetë forcave politike dhe jo midis Ramës dhe forcave politike. Në një tavolinë nuk mund të negociohet me keqbërësin. Ai mundet të pranojë me “avokat” fajin për të përfituar gjykim të shkurtuar dhe zbutje dënimi. Këtë duhet të bëjë minimalisht dhe Rama. Të mos insistojë duke penguar sot zgjidhjen politike të cilën e kërkojnë të gjithë.

Si e komentoni “përplasjen” Presidencë-Ministri e Arsimit, pas vendimit të Kreut të Shtetit, për të mos e shkarkuar rektorin Koni? Ministrja thotë se cënon autonominë universitare nuk qëndron për sa kohë ligji e lejon diçka të tillë. Ju si e vlerësoni vendimin?

Nuk rasti i parë kur Presidenti Meta ka dëshmuar integritet dhe përgjegjshmëri në ushtrimin e funksionit të tij si garant i Kushtetutës. Janë disa vendime ligjore rresht të qeverisë të kontestuara dhe të kthyera mbrapsht nga institucioni i presidencës për arsye të gjetjeve të shkeljeve të rënda kushtetuese. E në rastin e fundit ndodhi e njëjta gjë. Madje do thoja kjo ishte një shkelje e trashë e Kushtetutës e bërë për arsye që vetëm Shahini e Rama mund t’i justifikojnë. Ministrja e Arsimit nuk kishte asnjë tagër ligjor të bënte një komandim të Rektorit të ri pa pritur shprehjen e Presidentit për propozimin e shkarkimit, ose të konsumimit të afatit që atij ia njihte ligji. Për më tepër argumentet e paraqitura nuk ishin të mbështetura dhe vlerësimi ligjor i veprimtarisë së Rektorit nuk janë kompetencë e Ministres. Ministrja jo vetëm që veproi nën urdhër politik por në vendimet e saj ajo sfidoi rëndë ligjin dhe Universitetin duke shkelur me të dyja këmbët autonominë e tij. Çështja duket që është më e thellë dhe lidhet me arsye sa politike të kontrollit të botës universitare ashtu dhe me arsye të copëtimit të trojeve që janë pronësi e universitetit. Me heqjen e Konin eliminohej një nga pengesat për realizimin e disa qëllimeve të Ramës që lidhen si me mënyrën e menaxhimit të interesave në universitet ashtu dhe me përdorimin e tij në situata zgjedhore afatshkurtra e afatgjata. Qëndrimi i Presidentit ishte i duhuri dhe i domosdoshmi njëkohësisht.

Gjatë një takimi me pedagogët, kreu Basha prezantoi programin e PD-së për Arsimin e Lartë. A mund të dimë më shumë se çfarë risie sjell ky program i PD-së?

Arsimi i Lartë ndodhet në krizën më të rëndë. Paketa e masave që do të ndërmarrë PD, të prezantuara nga Basha, do të fokusohet jo vetëm në dhënien e një ligji të ri por dhe në një rikonceptualizim për sa i përket standardeve, parimeve, të funksionimit dhe menaxhimit të arsimit të lartë, ashtu edhe sa i përket një qasje evropiane, bashkëkohore, që do të bëjë të mundur që arsimi i lartë të mos funksionojë i izoluar nga realiteti ekonomik i vendit, por të jetë pjesë përbërëse e një trekëndëshi vendimmarrje, qeveri-ekonomi-botë universitare, me qëllim që ti përshtatet nevojave të tregut dhe të udhëheqë nevojat e këtij tregu, drejt një ekonomie të re. Rruga e realizimit është financimi i arsimit të lartë dhe i kërkimit shkencor duke e shndërruar arsimin në një prioritetin absolut dhe real të qeverisjes. Ne i qëndrojmë fuqimisht propozimit për dyfishimin e buxhetit të arsimit të lartë, për një shtesë prej 74 milionë usd në vit. 38 milion usd do të përdoren për të financuar plotësisht tarifat për studentë që vijnë nga familje me të ardhura mujore nën 640 mijë lek. Për studentët nga familjet me mbi 640 mijë lekë të ardhura mujore, do të ketë subvencionim 50 % të  tarifës Bachelor dhe Master. 5 milion usd do të dedikohen për bursë prej 2200 usd në vit për 5-6 mijë studentë që e kanë të pamundur ekonomikisht të mbijetojnë. 32 milion usd në vit janë planifikuar të investohen për 4 vjet në drejtim të investimit në infrastrukturën konviktore dhe akademike. Rritja e pagave për pedagogët dhe rritja e fondit të kërkimit shkencor do të jenë masa konkrete që do japin impakt si në cilësi diplomimi ashtu dhe në shndërrimin e Universiteteve në promotorë dhe avangardë të zhvillimit ekonomik e social të vendit.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...