Nga Edmond Panariti
Kush do t’i “negociojë” negociatat? Dialogu politik dhe bashkëpunimi pozitë opozitë, është bazamenti dhe krye kushti për vlefshmërinë e reformave të lidhura me kriteret për hapjen e negociatave për në BE. Kjo dihet! Por ky dialog nuk ekziston, prandaj bisedimet për anëtarësim nuk hapen! Sepse opozita është e detyruar të dalë në rrugë, ndërsa qeveria është e bunkerizuar në një “status- quo” sa absurde aq dhe degraduese. Pra pyetja që shtrohet është se kush do t’i negociojë “negociatat”, për rivendosjen e demokracisë funksionale pluraliste? Kush do të negociojë daljen nga farsat e përcaktuara si “teknikisht” ligjore por që janë “de facto” moniste dhe shtypëse? Kush do të negociojë daljen nga “absurdi” dhe hyrjen në normalitet! Askush tjetër, përveç një pale “mbi palët” dhe me besimin e palëve. Këtë kërkon opozita me qeverinë kalimtare. Sa për negociatat për në BE, të cilat janë në thelb teknike , ato edhe sikur të hapeshin nuk ka kush i negocion më, sepse nuk ka negociatorë! Negociatorët teknikë na kanë lënë , ata nuk i ke më në administratë sepse janë larguar si pjesë e “reformave” .