Demokracia dhe standartet e saj sot, targeti kryesor i agresionit

E mërkurë, 22 May 2019 12:22

Nga Bujar Nishani

Fjalimi në konferencën "Sfidat e Sigurisë në Ballkan ..."

Situata e sotme në Ballkan ishte e paimagjinueshme rreth një dekade më parë kur luftërat, urrejtja, masakrat, genocidi e spastrimi etnik ishte teatri i jetës reale të vendeve dhe popujve të këtij rajoni por edhe në sytë e të gjithë botës.

Konfliktet e përgjakshme në Ballkan ishin ura zjarri me potencial të madh rreziku edhe për vete Evropën.

Trafiku i armëve, aktiviteti i lartë  krimit të organizuar, flukset e refugjateve përplaseshin e zgjateshin drejt Evropës. Terreni i pakontrolluar dhe nën konflikt i hapësirës Ballkanike ishte teatri më i favorshëm i të gjithë aktorëve që synonin në fakt destabilitetin dhe krizën e përhershme në gjirin e Evropës.

Marrëveshja e Dejtonit dhe ndërhyrja ushtarake e NATO-s në Kosovë vendosi përfundimisht kursin e normalizimit e nisjen e proceseve pajtuese dhe asociuse të vendeve e popujve të këtushëm në dimensionin e botës dhe kulturës perëndimore. Sot shumica dërrmuese e vendeve të Ballkanit janë anëtar të NATO-s, proces që me siguri do vijojë të zgjerohet edhe për vendet e tjera të mbetura ende jashtë kësaj familje të madhe transatlantike.

Të gjitha vendet janë të përfshira në procesin e integrimit evropian, një destinacion i natyrshëm dhe pa alternative i këtij rajoni. Sot bota,  mbare njerëzimi dhe rajoni ynë përjeton sfida, kërcënime e rreziqe të ndryshme. Në tërësi në fondament të këtyre sfidave qëndron urrejtja, mungesa e respektit, mungesa e tolerancës dhe, mbi të gjitha minimi i demokracisë.

Zhvillimi, prosperiteti dhe siguria jonë vijojnë të mbeten të sfiduara.

Varfëria, hendeku i zhvillimit kulturor, dobësimi i shtetit ligjor, institucionet e dobëta, kalcifikimi i kulturës se korrupsionit dhe platforma e terrorizmit përbejnë sot sfidat kyçe.

Aleanca Trans Atlantike, NATO, rezultoi mekanizmi më efikas dhe më garantues i sigurisë së nevojshme.

Integrimit evropian ku të gjitha vendet tona janë përfshirë është jo vetëm rruga e duhur por dhe alternative e vetme për zhvillimin ekonomik, prosperimin shoqëror dhe maturimin e civilizimit të kësaj gjenerate që po merr tashmë në dorë me shpejtësi fatet e vendeve, popujve dhe shoqërive tona.

Tashmë shembujt pozitivë janë ndër nesh, vullnetet pozitive janë dëshmuar.

Por siç historia na ka mësuar, asgjë nuk mund të merret e garantuar, çdo arritje mbetet e sfiduar.

Jo çdokush ka interes në sigurinë dhe stabilitetin e këtij rajoni.

Jo të gjitha platformat dhe doktrinat përputhen me mirëkuptimin, respektin e ndërsjellë dhe bashkëjetesën.

Në rrugëtimin dhe procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ne u ballafaquam me tentativa destruktive të minimit të atij procesi nga aktor anti NATO, deri në akte terroriste dhe destabiliteti të sigurisë publike, fqinji ynë, Mali i Zi u sfidua gjithashtu në këtë proces me tentative e grushtit të shtetit, po ashtu, fqinji ynë tjetër Maqedonia e Veriut u agresua me kolapsin shtetëror dhe institucional për të stopuar aksesin e saj në aleance, Kosova mbahet ende e izoluar përmes lobimeve fragmentare, interesi strategjik i të cilave del jashtë shinave trans-atlantike.

Agresioni anti-perëndim dhe destruktiv sot në Ballkan nuk është më ushtarak dhe militar, por po aq kërcënues dhe i rrezikshëm sa ai, por në forma dhe platforma më të sofistikuara dhe që konkurrojnë me sfidat që ndeshen sot shoqëritë tona.

Aleanca Transatlantike dhe Bashkimi Evropian kanë nevojë për aleatë të fortë në sensin e demokracisë, shtet të fortë ligjor dhe të së drejtës, institucione funksionale dhe transparente, ekonomi në zhvillim dhe kapital të shëndetshëm, rend publik garantues të lirive dhe drejtave themelore, standarde të larta dhe të njehsuara të civilizimit dhe kulturës humane.

Për fat të keq, demokracia dhe standartet e saja sot janë targeti kryesor i agresionit destabilizues. Duke nxitur e promovuar katapultimin politik të modeleve autoritariste është realizuar më së miri infektimi i sistemit të demokracisë funksionale.

Promovimi dhe nxitja e kulturës së korrupsionit, minimi i institucioneve demokratike, prishja e balancave midis pushteteve, kontrolli politik i medias dhe drejtësisë po rrisin modelet autoritare dhe po i çojnë shoqëritë tona me shpejtësi drejt përçarjes, destabilitetit shoqëror e social.

Kjo tashmë është qartazi një platforme dhe doktrinë që minon thellësisht standardet e kërkuara që aleanca trans-atlantike dhe familja e përbashkët evropiane kërkon.

Nëse vendet dhe shoqëritë tona në Ballkan do vijojnë të mbeten në situatën  me institucione të dobëta, ku mungon garancia e mekanizmave ligjore dhe të kolauduar nga standardi perëndimor, ku kultura e pandëshkueshmërisë ndaj korrupsionit dhe filtrimit me botën e krimit të organizuar tolerohet e kthehet në një profil të bashkëudhëtimit me kohën, neve rrezikojmë të humbasim betejën ndaj aktorëve që materializojnë në këtë rast platformën dhe doktrinën e tyre të destabilitetit, prapambetjes dhe shoqërive joimune.

Për fatin e mirë, në dekadën e fundit si rezultat i drejtpërdrejtë i angazhimit amerikan dhe evropian në rajonin tonë është dekurajuar kultura e urrejtjes, luftës, përplasjeve të dhunshme dhe ndarjes etnike.

Dialogu, bashkëpunimi dhe pranimi i tjetrit është kontrastuar më shumë, si vlerë dhe realitet përfitues për të gjithë.

Jetësimi i këtij modeli është nxitur dhe promovuar veçanërisht në dialogun dhe procesin stabilizues midis Kosovës dhe Serbisë.

Duke qenë se ky dialog Kosovë-Serbi u kthye në simbolin e një procesi të themelimit të vlerave perëndimore edhe në Ballkan mesa duket u targetua për tu infektuar, dramatizuar, stopuar dhe devijuar tërësisht nga embrioni i tij e për t’u shndërruar në një mutacion që çonte jo drejt paqësimit e bashkëjetesës por drejt “Kutisë së Pandorës”.

Unë besoj plotësisht se vendet dhe shoqëritë tona në Ballkan tashmë i kanë të gjitha kapacitetet për të identifikuar qartë sfidat që na kërcënojnë, i kanë padyshim dëshirat dhe aspiratat më normale të mundshme për prosperitet e civilizim, kanë në tërësinë e tyre orientimin e duhur për t’i adresuar ato por janë në pamundësi për ti sfiduar të vetëm.

Vëmendja dhe angazhimi Euro-Atlantik në hapësirën lindore të Evropës dhe në krahun juglindor të sigurisë trans-atlantike mbeten jetësore dhe të pazëvendësueshme.

Platformat terroriste nuk janë zhbëre plotësisht, veprimtaria e krimit të organizuar është bërë më agresive, zhvillimi ekonomik mbetet i brishtë dhe agresuar nga kaosi, gjenerata e re e rrethuar me shumë dilema sociale e shoqërore, ekstremet e majta dhe të djathta politike tentojnë të gjenerojnë sa më shumë të jetë e mundur populizmin pa zgjidhje, oligarkia financiare tenton të dominoje shoqëritë me demokraci hibride.

Në këtë kontekst Demokracia mbetet në gjykimin tim çelësi i suksesit në përballjen e sfidave.

Demokracia nuk mund të dështojë, alternative e saj e vetme është kaosi dhe anarkia.

Ndaj në një ambient ku do të prevalojë kaosi dhe anarkia autoret e doktrinave të destabilitetit dhe minimit të perspektivës euro-atlantike të rajonit tonë do të dilnin fitues.

Ndaj duke ruajtur dhe konsoliduar gjithmonë e më shumë demokracinë si vlere, si dimension, si mjet dhe si realitet kemi krijuar ambientin më të përshtatshëm që të gjitha qasjet dhe mekanizmat tanë të funksionojnë dhe garantojnë prosperitetin dhe civilizimin perëndimor edhe në këtë anë të Evropës.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Media

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Flet Era Xhabafti, zv.menaxhere e përgjithshme e kompanisë “Mini Invest Albania”   Ndonëse pandemia ka ndikuar në kërkesën për më shumë komoditet, kërkesat janë që edhe rehatia të jetë me marka. Kështu shprehet...