Kisha katolike shpall të premten e 7 qershorit ditë agjërimi dhe lutje për një zgjidhje paqësore të krizës politike në vendin tonë.
“Fatkeqësisht, zërat tanë kanë mbetur si një zë në shkretëtirë dhe po ecim drejt vetëvrasjes së kombit, i cili po përballon probleme që duhet të merren shumë seriozisht, siç është, për shembull, largimi i shumë të rinjve dhe familjeve nga atdheu i tyre.”
“Kjo është varfëria më e madhe që po përjeton vendi ynë sot".
Ky ishte mesazhi i Arqipeshkvit Metropolit Tiranë - Durrës Imzot George Frendo, i cili urdhëroi gjithë famullitarët që atë ditë të organizojnë në kishat famullitare një adhurim për paqen, për të cilën t’i nxisin besimtarët të jenë të pranishëm.
Kisha katolike shpreh shqetësimin që edhe pas thirrjeve të përsëritura prej saj për zgjidhje nuk ka asnjë reflektim nga klasa politike për krizën aktuale.