AGRON GJEKMARKAJ
Opozitës nuk po i bien numrat në sheshin e Protestës! Shtatë letrat e Edi Ramës nuk i bindën qytetarët të rrinë në shtëpi dhe të emocionoheshin nga stili i tij, i mbufatur si petullat me maja’! Loja me kohën si shpresë e madhe e Kryeministrit nuk po jep rezultate. Ai nga ana e vet po na ofron dy perspektiva, pa lënë shumë zgjidhje të ndërmjetme, diktaturën ose përplasjen civile! Dronët e propagandës dhe statuset plot urrejtje, cinizëm kriminal e gëzim shërbëtorësh nuk e fshehin dot këtë fakt!
E diela konfirmoi për të shtatën herë se përballë Edi Ramës nuk është thjesht Lulzim Basha, por populli opozitar, i cili nuk proteston kundër Policisë, por kundër atij që e përdor si djelmni pas vetit për të ruajtur një karrige të ngulur në depresion shoqëror. Ai nuk po dëshmon asnjë gatishmëri për të pranuar zgjedhje moniste pas 30 vitesh pluralizëm, megjithëse gazi lotsjellës, uji, arrestimet dhe kërcënimet intensifikohen! Represioni po e shton shumë energjinë antifrikë, megjithëse dordolecët shëtitës kërcënojnë se do ta burgosin e ndëshkojnë popullin siç dinë ata! Fakti që bamirësi i tyre është i tronditur, i bën ata të urrejnë gjithë botën!
Një alarm i përgjithshëm ekziston në shoqëri për ditët që na presin! 30 qershori po shfaqet në horizont si apokalips! Shqisat e të gjithëve janë në gatishmëri! Institucionet që do të duhej të garantonin stabilitetin e shtetit kanë ulur qepenat tash dy vjet, disa të tjerë janë nën diktat politik! Pra, ato nuk ekzistojnë! Institucionet janë problemi, jo zgjidhja! Ato kanë rënë në “dashuri” me përdhunuesin e tyre dhe kërcejnë duke tundur belin në haremin e tij, teksa ai i dehur, ritmi psherëtin “sa më do ky milet”! Ndaj protestuesit nuk pakësohen! Mund t’i quajmë, militantë, mund t’ju vëmë epitete pa fund, por janë shqiptarë që shohin, dëgjojnë dhe kuptojnë!
Ata shohin që sistemi demokratik ka rënë! Opozita është jashtë Parlamentit dhe jashtë zgjedhjeve sepse mungojnë garancitë minimale për ekzistencën e saj të certifikuar me zgjidhje të lira dhe të ndershme! Qytetarët pyesin ku kanë shkuar 24 miliardë euro, buxheti i 6 viteve? E prekin me sy vjedhjen! Arroganca e zgrapjes nuk njeh hierarki në të ngjitur! Në majën e saj pushtat zgërdhihen!
Të njëjtat gjëra po ia thonë gjermanët, francezët dhe më shqeto holandezët, që i kërkuan Komisionit Europian të shqyrtojë bllokimin e lëvizjes së lirë për shqiptarët! Po i thonë që s’ke plotësuar asnjë kusht për hapjen e negociatave, megjithëse për to kemi festuar tri herë sikur i kemi të hapura e të kryera!
Ministra, ish ministra, dinjitarë të mazhorances të parët në sakrifica e të fundit në pretendime dhanë gjak për fëmijet e sëmurë! Por çfarë mund të ndodhë? Nuk është çudi që çiliminjtë të thërrasin pasi ta përdorin atë “Rrofte Edi Rrama”, “Rroftë koncesioni në mjekësi dhe në rrugë”,“Rrofte gazi lotsjelles”, “Rrofte Boshard” “Rrofte kanabis”, “Rrofte shembja e Teatrit, betonizimi i Butrintit, veliera e Dakos”, “Bekuar qofte vjedhja e zgjedhjeve“ etj, ndaj duhet pare cilësia e atij gjaku mos është i prishur! Disa persona duhen ndaluar me ferman që të mos japin gjak se e kanë të infektuar me një sërë mikrobesh! Spektakli i tyre i propagandës te trazon stomakun pasi ketyre femijeve u kane rrënuar të tashmen e të ardhmen me veset e tyre të flligta!!!
Udhëtimi nga skandali në skandal nuk skuq e nuk zverdh më Kryeministrin, ministrat, mëtonjësit e parasë publike dhe zuzarët e shumtë që bëjnë pre si çakejtë! Ngjarjet mbulojnë njëra- tjetrën, e keqja e vjetër mundet nga ajo e reja! Një rrugë prej 17 km jepet me PPP për 290 milionë euro, duke lënë në hije atë 1,9 km me 40 milionë të një firme fantazmë!
Kryeministri në hapjen funebre të fushatës së tij pardje në Parkun Olimpik u përbetua, u përposh, u rrëmys, u përgjërua të na mbushë mendjen se nuk i ka rrasur kujt dorën në xhep, duke fyer të gjithë hajdutët e xhepave në dinjitetin profesional! Sa janë mërzitur ata dreqër për këtë fyerje inteligjence!
Megjithëse shumë grave të Shqipërisë Edi Rama u duket si Harapi i Beledies për bëmat e tij, në festmortin elektoral ai pa takt, pa sharmë, pa klas doli dhe sulmoi një zonjë të nderuar, kryebashkiaken e Shkodrës, Voltana Ademin, një nga resurset më të mira politike e administrative të PD-së po e po, por edhe të vendit, sepse do të përligjë krimin elektoral në bastionet e opozitës! Masakrën elektorale do ta paraqesë si çlirim! Shkodra i pulson në ndërgjegje si daulle shiu! E ka lëshuar goja dhe nervat! Ndaj qytetarët vijnë nga Veriu dhe Jugu. Nuk duken të gatshëm ta pranojnë shndërrimin e republikës në despotat! Në këtë kontekst, Lulzim Basha është një qytetar përballë Edi Ramës dhe si i tillë, e humbet peshën e individit për t’iu bashkuar masës së madhe protestuese. Heroi i protestave është njeriu i zakonshëm. Targeti i tyre që nuk mund të mbijetojë gjithë jetën me policë është Edi Rama! Ai po shndërrohet në simbol të diktaturës! Do të ishte shumë pak për gjithsecilin fati i Bashës dhe i opozitës! Por me diskutim është shumë më tepër se kaq, vetë sistemi demokratik, liritë politike dhe derivatet e tyre. Nënshtrimi do të ishte fatal për dekadat e ardhshme! Ata që sot janë socialiste me bindje apo adhurues të Ramës me vullnet të lirë, nesër do të jenë të tillë me urdhër! Për të tjerët mendon Zoti!