Ambasadori italian: Shtyrja e zgjedhjeve pa një marrëveshje nuk zgjidh gjë, ka rrezik

E mërkurë, 05 June 2019 09:37

Ambasadori italian në Tiranë, Alberto Cutillo, e sheh precedent të rrezikshëm shtyrjen e datës së zgjedhjeve në mënyrë të njëanshme.

 “Të shtysh zgjedhjet pa arritur në një marrëveshje mund të shkaktonte probleme më të mëdha, pasi sjell ndryshimin e Kushtetutës, duke lejuar kështu shtyrje të vazhdueshme të zgjedhjeve dhe italianët e quajnë ‘një arnë më e keqe se e grisura’”, deklaroi Cutillo nga Shkodra.

Në një takim me të rinjtë në Shkodër, ambasadori iu përgjigj interesit të tyre lidhur me proceset integruese të Shqipërisë, por dhe ndikimin që ka kriza politike në këtë proces.

“Është e qartë se zgjedhjet sikur ne i imagjinojmë apo janë zhvilluar, janë zgjedhje që të gjitha partitë politike që pretendojnë se kanë elektoratin e tyre, parti që kanë zë të shprehen dhe mbështetjen e zgjedhësve të tyre, prezantojnë listat dhe më pas kush merr më shumë vota, është fitues”, tha fillimisht Cutillo.

Sipas tij, me mosfutjen në zgjedhje të opozitës janë prishur rregullat e lojës.

“Kemi mbërritur në një situatë komplekse, ku disa parti që të paktën në dukje kanë mbështetje të fortë politike, kanë vendosur të mos futen në zgjedhje. Në këtë pikë, rregullat kanë devijuar dhe nuk mund të thuhet çfarë është më logjike, të zhvillohen zgjedhje apo të shtyhen, çka do të sillte ndryshime në ligj dhe Kushtetutë”, tha ambasadori italian. Për kryediplomatin italian në Shqipëri, palët ende nuk kanë arritur një marrëveshje mes tyre që mund të çonte dhe në shtyrjen e datës së zgjedhjeve.

“Ndryshimi i dytë mund të jetë gjetja e një akordi e një marrëveshjeje, por në dijeninë time deri tani nuk ka. Prandaj, të shtysh zgjedhjet pa arritur në një marrëveshje, mund të sillte probleme më të mëdha, pasi sjell ndryshimin e Kushtetutës duke lejuar kështu shtyrje të vazhdueshme të zgjedhjeve dhe italianët e quajnë ‘një varr më të keq se gropa’, por nuk janë sugjerime që më takojnë mua t’i bëj”, pohoi Cutillo. Ambasadori italian foli dhe për mundësinë e hapjes së negociatave të Bashkimit Europian me Shqipërinë.

Ambasadori italian tha se ka 3 skenarë të mundshëm, të cilët nuk përjashtohen për çeljen e negociatave për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. “Janë tri mundësi pas rekomandimit. E para është që të gjitha vendet në unanimitet të aprovojnë çeljen e negociatave, kjo është diçka që shqiptarët dëshirojnë, por dhe Italia dhe populli italian dëshiron, por dhe pjesa me e madhe e vendeve është dakord me këtë mundësi. Kështu që, mund të kishim një datë për çeljen e negociatave dhe parashikohet në fundvit”, tha ai. E dyta, sipas tij, është që t’i mohohet çelja e negociatave.

“Mund të deklarohet që përpos rekomandimit, ka akoma rrugë për të bërë dhe të përcaktohen modalitete të reja. Mundësia e tretë është që Komisioni Europian të shtyjë vendimin, kjo pasi mes rekomandimit më 29 maj dhe vendimit për negociatat me 20 qershor, është një kohë e shkurtër. Dosja është voluminoze, ndaj nuk do ishte çudi që ndonjë vend të thoshte që nuk kemi pasur kohë ta studionim”, shtoi ambasadori.

Login to post comments

Lajmet e fundit

“Gjimshiti ka mundësinë të drejtojë Shqipërinë këtë Europian”, Silvinjo: Kemi kundërshtarë të fortë, por çdo gjë mund të ndodh gjatë 90 minutave

Sport

“Gjimshiti ka mundësinë të drejtojë Shqipërinë këtë Europian”, Silvinjo: Kemi kundërshtarë të fortë, por çdo gjë mund të ndodh gjatë 90 minutave

    Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo po zhvillon një konferencë për shtyp, në prag të ndeshjes së ditës së nesërme kundër Italisë, në “Signal Iduna Park” të Dortmundit. Ai shprehet se...

Përfaqësuesja e D’Alema në Tiranë drejton kompaninë e ndërtuesit të resortit në Himarë

Politikë

Përfaqësuesja e D’Alema në Tiranë drejton kompaninë e ndërtuesit të resortit në Himarë

  Nga Boldnews.al Në fillim të këtij qershori, portal informativ Italian “Open.online” ngriti dyshimet se ish-kryeministri i Italisë, Massimo D’Alema, është pjesë e një grupi investitorësh që kanë përfituar nga shefi i qeverisë së...

Samiti i G7, Ukrainës i jepen 50 miliardë dollarë

Politikë

Samiti i G7, Ukrainës i jepen 50 miliardë dollarë

    Në samitin e grupit të vendeve më të industrializuara G7në Borgo Egnazia kryetarët e shteteve dhe të qeverive të i kanë garantuar Ukrainës ndihma të reja për mbrojtjen ndaj Rusisë...