Dega e PDSH Belgjikë/Kuvend për zgjedhjen e strukturave drejtuese

E mërkurë, 11 December 2019 19:37

Nga Eden Babani, Bruksel

Dega e Partisë Demokratike të Shqipërisë në Belgjikë u tubua në kuvendin e saj të  radhës për zgjedhjen e kryesisë së re dhe të kryetarit të ri. Morën pjesë në zgjedhje më shumë se njëqind anëtarë që përfaqësuan nëndegët kryesore nga të tria njësitë federative të vendit: nëndega e Brukselit (Kryeqytet i Mbretërisë), nëndega e Namyrit (Kryeqendër e Valonisë), dhe ajo e Anversës (Kryeqendër e Flandrës).  

Me tagrin e përfaqësuesve të Kryesisë dhe të Këshillit Kombëtar të PDSH-së, ishin deleguar nga Tirana Sekretari i Përgjithshëm, zoti Gazmend Bardhi, dhe zoti  Shkëlqim Hoxha, anëtar i Këshillit Kombëtar.

Ishin të ftuar gjithashtu përfaqësues të partive simotra.

Nga Partia Lëvizja e Legalitetit në Belgjikë (PLL): zotërinjtë Sulejman Gjana (kryetar), Sokol Nela (koordinator i PLL për Europën) dhe Ramadan Gjana.

Nga Partia Lidhja Demokratike e Kosovës për Vendet e Beneluksit, zoti Bahtir Kastrati (kryetar).

Me ftesë të komisionit organizator, kuvendin e nderoi me pjesëmarrjen e saj zonja Francoise Schepmans, njëra nga politikanet e sotme belge më të spikatura, ish-Kryetare Bashkisë së Molenbeek-Saint-Jean (2012 – 2018), (ndër bashkitë më të mëdha të Kryeqytetit), dhe aktualisht deputete e Partisë Lëvizja Reformatore e Belgjikës (parti e qendrës së djathtë) në Parlamentin e Brukselit.

Kuvendin e hapi zoti Avni Kojeli, kryetar i komisionit përgatitor dhe ish-anëtar i kryesisë së përparshme. Pasi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen në kuvend, Kojeli ia kaloi fjalën zotit Gazmend Bardhi.

* * *

Në fjalën e tij, Sekretari i Përgjithshëm i PDSH bëri një analizë të hollësishme të situatës së vështirë që po kalon Shqipëria në këta gjashtë vjet të qeverisjes së Edi Ramës.

Zoti Bardhi e vuri theksin sidomos mbi krizën politike, ekonomike e sociale të shkaktuar me vetëdije të plotë nga ana e Kryeministrit aktual, me qëllim rikthimin e një diktature të re në Shqipëri, duke uzurpuar të tria shtyllat mbi të cilat ndërtohet demokracia e vërtetë: pushtetin legjislativ, pushtetin ekzekutiv dhe atë të drejtësisë. Pas zgjedhjeve të përgjithshme të 2017-s, të blera me paratë e pista të drogës, të cilat ua hapën dyert e Parlamentit lloj-lloj banditëve të implikuar në krime ordinere brenda e jashtë vendit dhe pas tentativave për ta degraduar reformën zgjedhore në një farsë, opozitës politike nuk i mbeti hapësirë tjetër, veç të dorëzonte mandatet e fituara, tha ndër të tjera zoti Bardhi. Vendimi politik i shkurtit të kaluar për daljen e opozitës nga Parlamenti (PDSH dhe partitë e saj aleate, si edhe Lëvizja Socialiste për Integrim - LSI), synonte demaskimin e qeverisjes së korruptuar “rilindëse” të Edi Ramës jashtë sallës së shenjtë të Legjislativit. Kësisoj, u shmang bashkëfajësia me korrupsionin qeveritar, u krijuan edhe kushte për vetëdijesimin e elektoratit shqiptar përmes protestave masive, vuri në dukje më tej Sekretari i Përgjithshëm.

Ngjarjet tragjike të tërmetit të 26 nëntorit e kanë frenuar disi shtytjen përpara të strategjisë së opozitës për largimin e Edi Ramës nga pushteti. Ecuria drejt qëllimit final e ka ndalur përkohësisht ritmin në të gjitha drejtimet, si në atë demaskues, ashtu edhe në vazhdën e protestave qytetare. Megjithatë, zoti Bardhi shprehu besimin se rikthimi sa më parë në aksionin e lënë në mes për shkaqe nuk varen prej opozitës, brenda gjashtëmujorit të parë të vitit të ardhshëm, në Shqipëri do të kemi zgjedhje të parakohshme, të përgjithshme dhe lokale. Si rezultat i zgjedhjeve të lira e të ndershme, tha ai, në vjeshtën e vitit 2020 do të marrin fund njëherë e përgjithmonë edhe lojërat prej sharlatani politik të Edi Ramës, kurse opozita do të marrë frenat e qeverisjes në duart e veta. Sepse, shtoi oratori, e vetmja çka tashmë i ka mbetur Ramës për të ruajtur karrigen e kryeministrit, është karagjozllëku, mjekra, poturet, tespihet, Kurani dhe lotët e krokodilit. Të gjitha këto, për të tërhequr vëmendjen e opinionit nga kriza buxhetore, të cilën e ka bërë rrush e kumbulla me vjedhjet përmes PPP-ve të  jashtëligjshme.

Me bindjen e palëkundur për largimin e Edi Ramës nga pushteti vjeshtën ardhshme, zoti Gazmend Bardhi u bëri thirrje emigrantëve shqiptarë të Belgjikës të shohin mundësinë e rikthimit sa më parë në Atdheun e rilindur demokratik.

Shqipëria ka nevojë për ju, aq sa keni nevojë edhe ju për të. Ajo ka nevojë për mendjen tuaj, për punën tuaj, për djersën tuaj, për investimet tuaja të mundshme. S’kam pikë dyshimi se edhe ju keni nevojë për t’u ndarë nga statusi i emigrantit, e përfundoi fjalën e vet Sekretari i Përgjithshëm i PDSH-së.

* * *

Gjatë diskutimeve, përfaqësuesit e nëndegëve të PDSH për Belgjikën, shprehën mbështetjen tyre ndaj opozitës dhe kreut të saj, zotit Lulzim Basha, në misionin fisnik me përmasa mbarëkombëtare që kanë marrë përsipër.

Zoti Zef Pervizi, vuri në dukje fakte të prekshme për instalimin e diktaturës komuniste në Shqipëri nga ana e bijve të baballarëve që rrëzoi lëvizja studentore e dhjetorit 1990. Ndër të tjera, ai përmendi faktin tepër domethënës të dorëheqjes së Agron Tufës nga drejtimi i Institutit i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKPK) dhe kërkesa për azil politik në një nga vendet e BE-së. Kërcënimet ndaj jetës së Tufës dhe të familjes së tij, tha zoti Pervizi, janë sinjal i pastër i rikthimit të dënimeve politike, nxitur nga ish funksionarë të regjimit komunist, sot me tagër deputetësh, qeveritarësh, diplomatësh e biznesmenësh oligarkë. Në rastin konkret, kërcënimet ndaj Tufës, janë njëherësh edhe tentativa për të deformuar historinë, sikundër u deformua gjatë dekadave të sundimit enverhoxhist.

Zoti Besnik Sharra, me të drejtë apo pa të drejtë, shfaqi njëfarësoj mosbesimi ndaj politikës së sotme shqiptare. Ka ardhur koha të kalohen në sitë të imët gjithë të zgjedhurit në strukturat partiake sonë ose në administratën e ardhshme shtetërore kur opozita të marrë frenat e qeverisjes, tha ai. Jo militantizmi politik, por  profesionalizmi të jetë kriteri i përzgjedhjes së tyre, sidomos në administratën shtetërore, nëse duam të ngrihemi në lartësinë e vendeve me demokraci të konsoliduar. 

Diskutimin tim të shkurtër, e nisa me një vërejtje drejtuar komisionit përgatitor të kuvendit. Si ish anëtar i kryesisë së përparshme, do të doja që ne, ish anëtarët e mbetur në Belgjikë nga ajo kryesi, të kishim përpiluar së paku dy gisht raport ku të merrnin përsipër pjesën tonë të fajit për shkrirjen si kripa në ujë të kryesisë sonë. Nga shtatë që ishim gjithsej, tre përfunduan në Tiranë me detyra shtetërore, një s’e kam parë qyshkur, kurse ne të tjerët, ndonëse shihemi herë pas here për një kafe, themi e ç’ nuk themi, por angazhimin tonë të kahershëm e harrojmë. Ma do mendja se do të kishim shprehur haptazi në raport edhe pjesën e fajit që mbajnë organe drejtuese të PDSH-së në Tiranë. Tash e tutje, ato të kujtohen shpesh e më shpesh edhe për ne. 

Pjesën të tjetër të diskutimit, e lidha bash me vërejtjen e zotit Sharra, të cilën e mora më tepër si shfaqje dëshpërimi e mosbesimi ndaj politikëbërjes së PD-së, pasojë e  presionit të shfrenuar të propagandës “rilindëse” për të vënë në të njëjtin rrafsh drejtuesit e tyre politikë me tanët. Sapo më kishte ardhur në celular një fotografi e bërë me fotoshop: Edi Rama dhe Lulzim Basha përqafuar. Teksti: qajnë për fatkeqësinë e shkaktuar nga tërmeti. Nënteksti: janë njëlloj. E dija kush ma kishte dërguar. Është anëtar i PD-së i orëve të para dhe besnik i vendosur i saj. Siç më tha  për pas, kishte dashur të bënte shaka. Shaka, shaka, ama propaganda bën punën e vet. Sepse “i ngeshmi” i fotoshop-it dhe i internetit, nuk  është se do të kalojë kohën.

Në kuvend, e mori fjalën edhe zonja Schepmans, e cila solli përshëndetjet e ngrohta të Partisë së saj Lëvizja Informatore e Belgjikës për simotrën PDSH, që të dyja, anëtare të Partive Popullore të Europës.

* * *

Nga kuvendi, doli kryesia e re e përbërë prej 17 anëtarësh me prejardhje thuajse nga të gjitha viset e Republikës së Shqipërisë.

Agim Sheta, kryetar.

Anëtarë: Eden Babani (nga Korça), Alketa Selimaj (nga Vlora), Sokrat Hoxha (nga Vlora), Avni Kojeli (nga Tropoja), Qemal Koldashi (nga Kukësi), Altin Mehmeti (nga Tepelena), Gjergj Doda (nga Mirdita), Albert Hoxha (nga Kavaja), Ndue beleshi (nga Mirdita), Sakip Skepi (nga Dibra), Denisa Nela (nga Kukësi), Luan Lazimi (nga Dibra), Zef Pervizi (nga Kurbini), Florent Dautaj (ngaTropoja), Fatmir Neka (nga Kukësi), Gjergj Mali dhe Taulant Aliaj.

Agim Sheta, kryetari i kryesisë së degës së PDSH për Belgjikën është me prejardhje familjare nga Hasi. Ka lindur më 1979 në Bruksel, në një familje me tradita të lashta atdhetare, njëra nga të parat që u vendosën në Belgjikë pas ardhjes në pushtet të diktaturës komuniste. Është me arsim universitar, diplomuar në dy fakultete të ndryshme: një për financë dhe një master për menaxhim biznesi. Ka punuar në sektorin e financës, ku ka arritur deri në nivelin e lartë të Drejtoret. Aktualisht punon si menaxher në Proximus, një ndër më të mëdhatë kompani belge në fushën e telefonisë, të internetit dhe të shpërndarjes së valëve radio-televizive.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...