2 marsi i të gjithëve

Diel, 23 February 2020 14:13
Nga Çim Peka 
  

Presidenti i Republikës ka thirrur popullin në Bulevard në mbrojtje të Kushtetutës. Unë nuk e di çfarë do bëjë Lulzim Basha, apo edhe pjesa e tij e opozitës, por di që ai, e gjithë opozita, e në fakt çdo shpiptar duhet t’i përgjigjet thirrjes së Presidentit të Republikës. Ilir Metën mund ta duash, ta urresh, ta kesh kundërshtar, të kesh çfarëdo mendimi për të, por kjo nuk ka të bëjë vetëm me të. Qeveria e Edi Ramës është kthyer në një Koronavirus, i cili vetëm Gjykatën Kushtetuese nuk e ka pushtuar akoma. Ilir Meta ka fajet, mëkatet e përgjegjësitë e veta bash për këtë situatë. Por ai nuk është vetëm. Përgjegjës është edhe Sali Berisha, edhe Lulzim Basha dhe kushdo tjetër që në një moment të caktuar e ndihmoi Edi Ramën të shndërrohet në monstren që është sot.

Thirrja e Presidentit të Reublikës nuk është e lidhur me Ilir Metën, anipse është e pandarë nga institucioni i Presidencës.  Shikoni çfarë ka ndodhur në harkun kohor të një viti. Opozita ka dorëzuar mandatet, dhe Edi Rama i ka zëvendësuar ata në mënyrë anti-kushtetuese (pa kaluar nëpërmjet Komisionit të Mandateve). Me gjithë zevendësimin, Parlamenti nuk ka dhe nuk mund të plotësojë numrin kushtetues prej 140 deputetësh, e, si rrjedhojë është në antikushtetueshmëri. Pushteti lokal është në dorë të një partie (madje një individi të vetëm). Institucionet e drejtesisë janë tashmë jo vetëm në dorën e Edi Ramës, por vegël politike e tij. Duke parandjerë disfatën e pritshme në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut në lidhje me procesin e vetingut, dhe bllokimin eventual të tij, ai nxitoi që së bashku me paketën me emrin idiot KÇK, të fillojë shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve pa pritur procesin e vetingut. Një kryeministër që zotëron parlamentin më monist në historinë e demokracisë, pushtetin lokal më monist të demokracisë, Prokurori e Gjykata, polici me kompetenca antikushtetuese, institucione të pavaruara sipas Kushtetutës, por tashmë të kapura prej tij, një trupë parlamentare banditësh e sharlatanësh që nuk lënë pisllëk të Edi Ramës pa votuar, një proces po aq idiot për shkarkimin e Presidentit, i vetmi institucion që i ka mbetur pa kapur është Gjykata Kushtetuese. Këtu nuk bëhet fjalë për disa emra individësh që një forcë do t’i caktojë sipas preferencave të saj, dhe një forcë tjetër nuk do ta lejojë. As se Presidenti do të ketë njerëzit e tij në Gjykatën Kushtetuese. Këtu behet fjalë për përpjekjen finale për ta zhbërë Shqipërinë, apo hapin e parë të kthesës nga gremina.

Gjykata Kushtetuese së shpejti do të marrë në shqyrtim dekretet e Presidentit të Republikës për anullimin e zgjdhjeve lokale të vitit 2019. Në varësi të fatit të Gjykatës, përcaktohet edhe fati i pushtetit vendor. Fati i pushtetit vendor, përcakton edhe fatin e pushtetit qendror.

Gjykata Kushtetuese do të marrë në shqyrtim një sërë ligjesh që e zhbëjnë ose e ruajnë këtë shtet. Do të vendosë mbi fatin e paketës ligjore që ka kthyer Shqipërinë në një shtet policor të Edi Ramës. Do marrë në shqyrtim ligjin për pronat, e pronarëve u ka dalë për zot Lulzim Basha. Do të marrë në shqyrtim ligjin korruptiv për Teatrin, e, Teatrit i ka dalë për zot Lulzim Basha. Do të marrë në shqyrtim disa koncensione e PPP, e, zhbërjes së tyrë u ka dalë për zot Lulzim Basha. Herët a vonë do t’i duhet të merret me ndarjen administrative, e, me këtë ndarje, Lulzim Bashës i bëhet fitorja në kufinjtë e të pamundurës. Edi Rama sot mund të bëjë ç’të dojë, dhe nuk do të mund të ndalet më, nëse nuk ndalet tani.

Unë e dua opozitën në pushtet, e, Lulzim Bashën kryeministër të vendit. Kam mbështetur iniciativa të forta politike nga ana e tij, e kam kundërshtuar po aq fort kur ka qenë vendi. Lulzim Basha dhe opozita që ai drejton ka tre alternative përpara tij: a) t’i paraprijë popullit, b) të ecë krah për krah me të, c) të ecë prapa popullit të vet. Është zgjedhja e tij, por populli nuk pret në pafundësi për lidership. As këtu e askund në botë.

Lulzim Basha e ka vendin në bulevard me datë 2 mars në krye të popullit opozitar. Ilir Meta është President i Republikës, por Lulzim Basha është lideri i opozitës. Nëse do t’i dalë për zot, më datë 2 mars ai duhet të pushtojë sheshet e bulevardet në krye të popullit. Edi Rama ose ndalet tani, ose nuk ndalet më kurrë.  Nëse jo tani, më vonë Edi Rama do të marrë Bashën, Berishën, Meten, me ç’kanë nga pas, e do të fshijë bulevardin me ta!

Modifikuar më Diel, 23 February 2020 14:27
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...