“’Anashkalim’ i kuadrit kushtetues të vendit”, Shoqëria civile kërkon rrëzimin e “Anti-KÇK” në parlament

E mërkurë, 04 Mars 2020 15:33

Duke e konsideruar Aktin Normativ Nr. 1 të ndërmarrë nga Këshilli i Ministrave më 31 Janar si kundërproduktiv në luftën kundër krimit të organizuar dhe në tërësi antikushtetues,  një grup organizatash të shoqërisë civile i dërguan një letër të hapur Kuvendit të Shqipërisë të Mërkurën më 4 Mars duke i kërkuar rrëzimin e tij.

Akti normativ, i prezantuar nga kryeministri Edi Rama si nisma anti-kap-çfarë-të-kapësh, synon sipas këtij të fundit të luftojë krimin e organizuar dhe duhet të ketë efekt nga 1 shkurti i këtij viti deri më 31 dhjetor. Policia e Shtetit ka nisur në emër të këtij akti normativ një fushatë kundër personave me të shkuar penale, nga të cilët duket se dy zgjidhen çdo ditë për t’i dërguar një formular për deklarimin e pasurisë.

Organizatat e shoqërisë civile thonë se në fakt, ky akt normativ shkel në mënyrë të shumëfishtë kushtetutën dhe deformon parimet themelore të shtetit të së drejtës, duke prodhuar akte administrative, të cilat, duke qenë se janë antikushtetuese, mund të rrëzohen nga subjektet e prekura përmes proceseve gjyqësore, duke dhënë për rrjedhojë efekte të kundërta me synimin e deklaruar të qeverisë, atë të luftës kundër krimit të organizuar.

“Me shqetësim, tërheqim vëmendjen e Kuvendit të Shqipërisë, se Akti Normativ anashkalon kuadrin kushtetues të vendit, cënon parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, cënon të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, përfshirë lirinë e lëvizjes dhe të drejtën për proces të rregullt gjyqësor, dobëson pavarësinë ligjore dhe efektive të Prokurorisë dhe mund të dëmtojë luftën kundër krimit të organizuar, për shkak se veprimet e ndërmarra nga Operacioni Forca e Ligjit (OFL) si strukturë e ekzekutivit, në disa raste edhe me efekt të menjëhershëm sipas këtij akti, mund të rrëzohen më vonë nga gjykatat si veprime jo në përputhje me standartet kushtetuese dhe të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut,” thuhet në deklaratë, e cila është publikuar në faqen e internetit të Komitetit Shqiptar të Helsinkit dhe është firmosur nga 23 organizata.

Themelet e shtetit të së drejtës

Organizatat thonë se qeveria ka tejkaluar të drejtat e veta kushtetuese për të propozuar përmes një akti normativ ndryshime në shtetin e së drejtës, të cilat kushtetuta i ka caktuar si të tilla që nuk mund të bëhen me akt normativ. Duke iu referuar Nenit 7 të Kushtetutës, ku sanksionohet se sistemi qeverisës në Shqipëri “bazohet në ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor,” organizatat vërejnë se akti normativ në fakt kufizon pushtetin gjyqësor për llogari të atij ekzekutiv, duke dobësuar pavarësinë efektive të prokurorisë, fuqizimi i së cilës ishte në fakt edhe një nga kolonat kryesore të Reformës në Drejtësi.

Po kështu, organizatat vërejnë se Akti Normativ sanksionon detyra për institucionin e prokurorisë, detyra të cilat dalin përtej pushtetit që kushtetuta i ka dhënë prokurorisë.

“Zgjerimi i kompetencës lëndore të Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit nuk mund të bëhet as me akt normativ me fuqinë e ligjit, por gjithashtu as me ligj me shumicë të cilësuar, por kjo do të kërkonte ndryshime në Kushtetutën e vendit tonë,” shkruhet në deklaratë.

Shqetësim për organizatat përbën edhe një aspekt tjetër, ai i shkeljes së parimit të hierarkisë së ligjeve. Akti normativ përcakton masa dhe afate të cilat i mbivendosen kodit të procedurës penale dhe kodit penal, dy ligje të cilat kushtetuta i ka caktuar si të tilla që duhet të ndryshohen vetëm me proces të rregullt ligjor jo në kushtet e emergjencës civile dhe me shumicë të cilësuar parlamentare.

“Gjykata Kushtetuese është shprehur në mënyrë të vazhdueshme se ligjet e zakonshme nuk mund të trajtojnë çështje që janë parashikuar të trajtohen nga kodet apo ligjet organike,” shkruhet në deklaratë.

Qeveria ndërmorri Aktin Normativ Anti-KÇK nën sugjerimin se dëshiron të luftojë krimin e organizuar. Në fakt aktet normative janë mjete ligjore që kushtetuta ia ka dhënë qeverisë për t’u përdorur vetëm në kushtet e një emergjence, fjala vjen, një katastrofë natyrore. Vetë qeveria nuk ka shpjeguar se në çfarë emergjence gjendet aktualisht vendi që të sjellë si domosdoshmëri ndërmarrjen e një akti normativ emergjent.

Modifikuar më E mërkurë, 04 Mars 2020 15:48
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...