Meta: Boll me përralla për takime informale me Ramën. Asnjë tërheqje nga mbrojtja e Kushtetutës dhe zgjedhjeve të lira.

Hënë, 04 May 2020 19:39

Gazetari: Zoti President, unë ju kam ndjekur edhe herë të tjera dhe ju keni qenë për mua, i qartë në këtë që ju argumentoni. Megjithatë opinioni publik ka disa paqartësi, dhe një nga këto është ajo që mendojnë, t’jua drejtoj si pyetje: A keni kontaktuar vetë, personalisht, me kryeministrin Rama në gjithë ato që ju thatë se mazhoranca më ka kërkuar mua, që gjatë gjithë kësaj periudhe që ne jemi duke kaluar situatën pandemike, të kemi, domethënë të mos bëjmë luftë politike?

Presidenti Meta: Kështu e interpretuat ju! Ajo që unë ju thashë ishte pikërisht sjellja ime në situatën e pandemisë, duhet kuptuar si një situatë e përgjegjshme në rrethana të reja, ku problemi kryesor për vendin, për qytetarët, është mbrojtja e shëndetit të tyre nga një rrezik i madh, ose i panjohur, i paidentifikuar mirë për fat të keq, që rrezikon shëndetin e të gjithëve, jo vetëm të njërës palë apo të palës tjetër, dhe mbi të gjitha kërcënonte që në qoftë se nuk do të menaxhohej mirë, do të çonte në një kolaps të vetë sistemit shëndetësor. Që do të ishte pastaj një fatalitet siç ndodhi në disa rajone të Italisë fqinje.

Kështu që nuk ishte pikërisht ajo që ju e formuluat në këtë mënyrë, por ishte pikërisht kjo: Që sjellja ime ka qenë totalisht e përgjegjshme dhe korrekte, esktremisht, me qeverinë, me Kuvendin, me opozitën, me të gjithë aktorët e tjerë, dhe gjithmonë kam bërë thirrje për bashkëpunim, për konvergim, në interes të përbashkët.

Kjo nuk do të thotë që të shuhen dallimet midis qeverisë apo mazhorancës, dhe opozitës, por që bashkëpunimi të dominojë dhe kritikat t’i shërbejnë përmirësimit të këtij menaxhimi.

Gazetari: Ku ka qenë hera e fundit që keni komunikuar me kryeministrin Rama?

Presidenti Meta: Unë komunikoj vazhdimisht përmes shkresave zyrtare, dhe ky është një komunikim institucional, për të mos thënë i përditshëm. Pavarësisht se shumë prej tyre nuk bëhen publike dhe nuk ka arsye, mendoj unë që të bëhen të tilla. Ndërsa si një komunikim institucional, ka qenë mbledhja e dytë e Këshillit Sigurisë Kombëtare për çështjen e pandemisë.

Gazetari: A keni pasur ndonjë komunikim jo zyrtar me kryeministrin Rama? Personal?

Presidenti Meta: Jo! Nuk kam pasur ndonjë komunikim jo zyrtar. Këto janë përralla dhe legjenda. Jo dreka, jo darka...

Gazetari: Sepse jemi në kohën e distancimit?

Presidenti Meta: Jo! ...Fizik, kështu që...

Gazetari: Po a ju kujtohet hera e fundit që jeni takuar me zotin Rama tet-a-tet (kokë më kokë / veç e veç)?

Presidenti Meta: Po, besoj se ka qenë në ditën e Progres Raportit për Shqipërinë në qershor të vitit të kaluar kur unë e kisha ftuar për një drekë në rezidencën e Presidentit, në Pallatin e Brigadave, për të diskutuar, para zgjedhjeve vendore, për atë krizë që ishte krijuar, përpara se unë të nxirrja dekretin për shfuqizimin e 30 qershorit. Kjo besoj se ishte hera e fundit, vetëm për vetëm. Besoj se mund të kemi qenë në ambiente me të tjerë, por vetëm për vetëm kjo është.

Madje edhe atëherë nuk kemi qenë vetëm për vetëm, ka qenë edhe një eksponent i rëndësishëm i qeverisë.

Gazetari: Kush? Na e thuaj?

Presidenti Meta: Në nivel drejtori, por nuk ka rëndësi.

Gazetari: Na e thuaj, ju lutem!

Presidenti Meta: Jo, se nuk është e rëndësishme për publikun.

Gazetari: Në rregull! Dhe me zotin Rama keni bërë shumë beteja. Madje në një intervistë që kemi pasur bashkë, më keni thënë: “Pse me kë do të bëja unë koalicion? Me ty?!” Kam parasysh një historik shumë interesant, që kur ishte ministër i Kulturës që e keni mbështetur; që kur ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës kur ju përsëri e keni mbështetur; ishit kryeministër, sidomos në atë aksionin e famshëm në “Parkun Rinia”, më pas me ato ulje-ngritjet, kur mbështeti Rama Nanon...

Presidenti Meta: Filozofia ime ka qenë që të mbështes të gjithë ata, të cilët dëshirojnë të sjellin energji të reja, ide të reja, që duan të bëjnë përpjekje për përparim dhe nuk mund të mos ju them sot që zoti Rama më dukej i tillë! Për një periudhë të rëndësishme, pra ishte për demokraci, ishte për një anëtar, një votë, për legalizimin e fraksioneve, dhe për kritikë ndaj qeverisë, ishte për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ishte në përkrahjen tuaj, të gazetarëve sa herë që dhunoheshit nga qeveria, ishte për pavarësi të gjyqësorit, ishte shumë progresiv në shumë tema, dhe në këtë drejtim unë asnjëherë nuk pendohem për atë që bëj, sepse në çdo gjë dhe me bindje të plotë, në varësi me kushtet dhe me rrethanat, në të cilat ndodhin.

Gazetari: Ju më kujtuat, më ngacmuat me atë “një anëtar, një votë”, keni thënë edhe një batutë: “një mandat, një votë”?

Presidenti Meta: Edhe këtë gjë e kam thënë. Por po them se ka qenë një partizan i demokracisë direkte. I zgjedhjeve të lira, të ndershme. Ka kërkuar hapjen e kutive për një rezultat, ku di unë, në Berat, pra ka qenë një partizan i çështjeve të mëdha, për demokraci të plotë në parti, kundër koncensioneve, ka qenë për gjëra shumë pozitive, në interes të publikut.

Gazetari: Po si mund të kalohet, nga kuota kaq të larta, pastaj direkt, i lidhur me krimin, një pallat-një votë, domethënë ka shumë “ups and doën”?

Presidenti Meta: Tani të gjitha këto që unë thashë i takojnë një periudhe të caktuar. Çështjet e tjera i takojnë një periudhe tjetër. Ky lloj tranformimi nuk duhet kërkuar te unë. Unë vazhdoj, kam bindje te zgjedhjet e lira.

Gazetari: Ju jeni duke thënë se ai është transformuar?

Presidenti Meta: Kam bindje te pavarësia e drejtësisë dhe unë i qëndroj asaj reforme që votuam me 140 vota më 20-22 korrik të vitit 2016! Unë vazhdoj dhe besoj te gjithëpërfshirja, vazhdoj e besoj te liria e medias, vazhdoj të besoj te “një anëtar - një votë”, vazhdoj të besoj edhe te e drejta e kujdo për të bërë edhe një fraksion brenda një force politike, sepse këto zhvillojnë demokracinë dhe këto rrisin garancitë e një shoqërie gjithëpërfshirëse e të shëndetshme.

Modifikuar më Hënë, 04 May 2020 19:42
Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...