Komisioni i Venecias zbuloi se kush po bën pazare me reformën në drejtësi

Saturday, 30 May 2020 21:40

Komisioni i Venecias i ka dhënë fund dilemës se kush ka të drejtë për emërimet në Gjykatën Kushtetuese. Opinioni përfundimtar që pritet të zyrtarizohet në muajin qershor e thotë qartë se: Presidenti i Republikës nuk ka bërë asnjë shkelje me emërimin e Marsida Xhaferrllarit si anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Jo vetëm kaq, por ekspertët e Venecias arrijnë në përfundimin kushtetues se vendimet e Parlamentit dhe Këshillit të Emërimeve të drejtuar nga Ardian Dvorani, janë në shkelje të hapur Kushtetuese dhe ligjore. Në këtë mënyrë, qeveria, Parlamenti dhe levat e saj në institucionet e reja të drejtësisë janë kapur sërish në krim kushtetues duke tentuar të uzurpojnë Gjykatën Kushtetuese.

Kjo është hera e dytë që Komisioni i Venecias godet hapur dhe me argumente ligjore qeverinë e Edi Ramës. Hera e parë ishte kërkesa e PS-së për shkarkimin e kreut të shtetit lidhur me anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit të vitit 2019. Ekspertët e Venecias edhe në këtë rast nxorën PS-në dhe qeverinë si një strukturë shtetërore që vepron me modele mafioze për të minuar institucionet e shtetit dhe i dhanë të drejtë Presidentit Meta.

Në të dyja rastet, PS është nisur drejt Venecias me idenë se do të marrë mbështetje ligjore për të shkarkuar Presidentin e Republikës. Janë nisur për të dëmtuar kreun e shtetit, por në mënyrë të qartë janë fundosur vetë si Rilindje. Qëndrimet e Venecias jo vetëm i kanë dhënë të drejtë Presidentit në aktet e tij dhe kanë quajtur kushtetues çdo veprim të ri, por kanë dërrmuar juridikisht mazhorancën dhe gjithë argumentet bajate të Partisë Socialiste.

Në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, Komisioni i Venecias ka mbetur i vetmi institucion që vlerëson përplasjet e forta politike dhe juridike në Shqipëri. Si rregull, vendimet e Venecias janë opinione që u jepen palëve, por për sa kohë ne nuk kemi Gjykatë Kushtetuese, atëhere këto qëndrime janë njëlloj si të ketë folur Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Dhe Venecia ka folur hapur duke treguar se paligjshmëria, sjellja anti kushtetuese dhe arroganca institucionale e qeverisë “Rama” ka kaluar çdo limit.

Këto qëndrime të Venecias kanë dhe një vlerë tjetër në debatin e nxehtë në Tiranë për reformën në drejtësi. Kreu i shtetit është akuzuar nga PS dhe Edi Rama për bllokimin e reformës në drejtësi. Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim disa ditë më parë foli për pazare me reformën dhe sabotim të saj, pa përmendur emra. Në këtë rrëmujë deklaratash, Komisioni i Venecias, me opinionin për Gjykatën Kushtetuese ka vendosur pikat mbi “I” dhe ka dhënë emrin dhe adresat e atyre që realisht po bëjnë pazare, po sabotojnë dhe shkatërrojnë reformën në drejtësi. Venecia e thotë qartë se Parlamenti, KED, Ardian Dvorani kanë shkelur ligjin dhe aktet e tyre kanë ndikuar në ecurinë e reformës në drejtësi, pjesë e së cilës është dhe ngritja e Gjykatës Kushtetuese. Pas KED, Kuvendit, Qeverisë dihet se qëndron Edi Rama dhe Venecia në raportin e saj po u tregon të gjithëve se kush janë pazarxhinjtë dhe sabotatorët e reformës.
Çdo deklaratë tjetër, politike, diplomatike mbi sabotimin e reformës në drejtësi nuk ka më vlerë. Qëndrimi i Komisionit të Venecias tregon skemën, emrat e zyrtarëve dhe të gjithë ata që po çojnë drejt dështimit reformën në drejtësi. Që të gjithë janë në kampin e Edi Ramës dhe janë njerëzit që nuk veprojnë pa lejen e tij.

Venecia i dha përgjigje direkte edhe ndonjë ndërkombëtari që hesht apo këndon me zërin e Rilindjes për Reformën në Drejtësi.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...