Berisha:“Takimet sekrete Thaçi – Vuçiç kanë ndodhur; u bënë për ndarjen e Kosovës”.

Saturday, 06 June 2020 10:32

Intervistë ekskluzive e ish-presidentit shqiptar për Nacionale, në lidhje me tranzicionin demokratik në Shqipëri, zhvillimet politike atje dhe bisedimet Kosovë-Serbi.

Ish-presidenti dhe ish-kryeministri Berisha dhe lideri historik i të djathës në Shqipëri, një nga protagonistët kryesorë të politikës së tranzicionit përgjigjet në një sërë pyetjesh që kanë të bëjnë me gjendjen në Shqipëri, Kosovë dhe raportet mes këtyre dy shteteve.

 

Nacionale: Ju keni qenë një nga protagonistët kryesore të politikës dhe tranzicionit demokratik në Shqipëri, përgjatë 30 viteve të fundit. Edhe pse ka përparim e ndryshime të mëdha, krahasuar me pikën e nisjes, pra shembjen e sistemit komunist, Shqipëria megjithatë ende nuk e ka përmbyllur fazën e tranzicionit, siç ka ndodhur me shumicën e vendeve të Evropës Lindore dhe Juglindore. Madje vitet e fundit duket se ka rënie të demokracisë. Si shpjegohet ky tranzicion i gjatë, cilat janë pengesat kryesore?

 

Sali Berisha: Shqipëria ishte vite drite larg vendeve të lira. Por shtoj se ajo u rrit me 21 herë deri në vitin 2013. Nisi udhën e saj në vitin 1992 me GDP për frymë vetëm 204 dollarë dhe në vitin 2008 arriti të futet në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta. Në vitin 2013 rroga mesatare e shqiptarëve ishte me e lartë se sa e Bullgarisë, Serbisë, Rumanisë, Maqedonisë, Kosovës dhe Malit te Zi. Ajo u anëtarësua në NATO, luajti rol të pazëvendësueshëm në mbështetjen e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, mori rekomandimin e Komisionit Evropian për statusin e vendit kandidat me kusht që të votoheshin tre ligjet të dakortësuara në çdo fjalë por që Edi Rama i bllokoi ato. Historia tregon se demokracia është një proces i ri kthyeshëm dhe kjo ka ndodhur me Shqipërinë pas ardhjes së Edi Ramës në pushtet. Pas ardhjes në pushtet, Edi Rama me lidhjet e tij me krimin dhe drogën: Shqipëria u shndërrua në Kolumbinë e Evropës, Narkoshtetin e vetëm në Evropë. Në qendrën operacionale sipas DASH të organizatave kriminale të Rajonit, Evropës, Lidhjes së Mesme, Amerikës së Veriut dhe asaj të Jugut. Shteti ligjor u zëvendësua me narkoshtetin. Në 7 vite në Shqipëri nuk ka ardhur për investime asnjë kompani e huaj serioze. Të gjitha janë kontrata të qeverisë së mëparshme. Kështu rrogat dhe pensionet nuk u rritën. Shqipëria tani ka rrogat më të ulta në rajon dhe koston e jetesës më të shtrejtën në rajon! Nga Shqipëria janë larguar mbi 410 mijë shqiptar në katër vitet e fundit. Edi Rama u angazhua me Beogradin në një agjendë kundër Kosovës dhe Kombit shqiptar. Edi Rama shkatërroi në Shqipëri procesin zgjedhor, zhvilloi për herë të parë në Evropë pas rënies së perdes së hekurt zgjedhje moniste. Ai mbushi parlamentin dhe qeveritë vendore me vrasës, trafikante, hajdute dhe përdhunues. Me një fjalë krimi, korrupsioni dhe droga e lidhur me qeverinë shkatërruan dhe shkatërrojnë demokracinë në Shqipëri dhe mbyllen që nga 2015 dyert e Bashkimit Evropian për Shqipërinë.

 

Nacionale: Në Shqipëri ka një klimë shumë të ashpër politike, ku partitë kryesore nuk arrijnë të gjejnë gjuhën e përbashkët për asgjë. Demokracia tashmë duket se ka degjeneruar, pasi kemi një tërheqje të PD-së nga institucionet, dhe vetëm një parti që drejton të gjitha shtyllat e pushtetit. A mendoni se veproi drejt PD me daljen nga parlamenti, dhe si rrjedhojë humbi edhe komunat, pasi nuk mori pjesë në zgjedhje? A do të ishte më mirë që betejat të zhvilloheshin brenda në institucione?

 

Sali Berisha: Në Shqipëri rezultatin e zgjedhjeve siç u dokumentua qartë e përcaktuan bandat, vrasësit, trafikantët e lidhur me Edi Ramën. Krimi elektoral jo vetëm që nuk u ndëshkua por u shpërblye. Shqipëria nuk ka parlament legjitim, nuk zhvillon zgjedhje. Kjo ka përcaktuar qëndrimet e PD.

 

Nacionale: Vijmë te situata në Kosovë. Ju jeni përfshirë në debate të ashpra me presidentin e Kosovës, për idetë e tij, apo projektet për ndarje të Kosovës. Duke qenë se keni mbajtur poste të larta shtetërore si kryeministër dhe president, a keni pasur kontakte me personalitete të larta evropiane e amerikane, në lidhje me çështjen e Kosovës? Çfarë thonë dhe pse presidenti Thaçi ka hyrë në këtë lojë?

 

Sali Berisha:Ndarja e Kosovës apo dhe shkëmbimi i territoreve nuk është ide e Hashim Thaçit por është ide e Serbisë së Madhe e Beogradit që nga vitet 1990 deri sot. Këtë ide argati i Beogradit, Miladini shqipfolës pas ardhjes së Edi Ramës në pushtet u bë copa ta paraqiste si ide te tij. Ai damkosi veten si një vasal i Beogradit dhe habiti botën e dëmtoi thellësisht Kosovën. E gjitha kjo sepse Beogradi ka dosjet e tij të krimeve, të cilat i publikoi senatori Dick Marti. Personalisht nuk kam dijeni për krimet e tij dhe kam kundërshtuar publikisht madje edhe në OKB raportin e Dick Martit. Kurse Miladini shqipfolës ndonëse u zotua se do padiste senatorin ai nuk ngriti ndonjëherë padi penale apo civile ndaj tij.

 

Nacionale: Është publikuar drafti i një marrëveshjeje, në mënyrë jo zyrtare, i cili praktikisht bënë ndarjen e Kosovës, e vendos kufirin në lumin Ibër dhe madje parasheh edhe eksterritorialitet për kishat e manastiret serbe, si dhe një nivle të tretë të pushtetit për asociacionin e Komunave. Po kështu shkëmbim të disa fshatrave në veri të Kosovës me disa fshatra në Luginën e Preshevës. Çfarë mendoni për këtë plan? Çfarë do të sillte ky për Kosovën dhe shqiptarët?

 

Sali Berisha:Ai është plani i Serbisë së Madhe, i cili synon aneksimin e territoreve të Kosovës, sakatimin përfundimtar dhe për rrjedhojë ndarjen e Kosovës midis Serbisë dhe Shqipërise, fshirjen e saj nga harta e Ballkanit..

Nacionale: Është folur edhe për zhvillimin e takimeve sekrete mes presidentit te Kosovës dhe atij të Serbisë, nëpër disa kryeqytete evropiane. Madje ish-ministri i jashtëm i Serbisë Jeremic, ka denoncuar publikisht se me 4 nëntor 2018 Thaçi është takuar në Romë me Vuçiçin. Është fakt se pak ditë më vonë, presidenti i Kosovës largoi ambasadoren tonë në Itali nga detyra, pa ndonjë arsye, gjë që shtoi dyshimet se këtë veprim e ndërmori pikërisht për shkak të takimit të fshehtë me Vuçiçin, për të cilin ambasadorja nuk kishte pasur dijeni. Çfarë peshe kanë këto takime të fshehta mes përfaqësuesve të dy vendeve në konflikt? A duhet të zhvillohen në këtë format dhe çfarë dëmesh i kanë sjellë Kosovës?

 

Sali Berisha: Takimet e fshehta janë reale. Ato kanë ndodhur dhe kanë pasur vetëm një qëllim; planin për ndarjen e Kosovës. Në këto takime padroni ka patur dikë, qoftë dhe për shënime,a kurse argatin e ka thirrur vetëm, si dëshmi e një akti varësie totale. Takimet e fshehta për integritetin territorial të Kosovës, sovranitetin e saj janë akte antikushtetuese të tradhtisë së lartë kombëtare.

 

Nacionale: Aktualisht administrata Trump-it kërkon një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, por duket e paqartë në lidhje me përmbajtjen e saj. Sa i përgatitur është ky proces sipas jush, nga ana e diplomatëve amerikanë?

 

Sali Berisha: Eshtë e vërtet që administrata e presidentit Trump ka dëshmuar interes të veçantë për një marrëveshje Kosovë – Serbi. Kjo dëshmohet edhe nga caktimi i njërit prej diplomateve dhe bashkëpunëtorëve më të besuar të Presidentit Trump, ambasadorit Richard Grenell. Mendoj se roli i SHBA-së është jetik për arritjen e kësaj marrëveshje dhe se administrata e SHBA-së ka përcaktuar qartë parimet e marrëveshjes e cila duhet të jetë e pranueshme nga të dy palët. Pavarësisht nga përpjekjet dhe mashtrimet e Miladinit shqipfolës dhe Baton Stanishiqit për të shitur projektin e ndarjes së Kosovës si projekt amerikan ose së paku të miratuar nga SHBA, përfaqësuesit e SHBA-së më parë por edhe tani së fundi me deklaratën e përbashkët Grenell-Palmer-Kosnnet kanë bërë të qartë se qeveria e SHBA nuk ka projekt për ndryshimin e kufijve apo ndarjen e Kosovës.

Nacionale: A mendoni se është moment i përshtatshëm për një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë tani, kur SHBA dhe BE kanë përplasje, ndërsa Rusia ka forcuar rolin e saj në arenën ndërkombëtare dhe ka bërë shumë përpjekje për të shtrirë influencën edhe në Ballkan?

 

Sali Berisha: Mendoj se mbështetja që Miladini shqipfolësi i dha projektit të Serbisë së Madhe, në një kohë kur ky ishte një projekt që në Kosovë ku përveç Baton Stanishiqit nuk e përkrahte njeri, është shkaku më kryesor i bllokimit të marrëveshjes Kosovë – Serbi. Argati i Beogradit bëri dhe bën gjithçka për lëkurën e tij për t’i shpëtuar gjykimit nga Haga. Në këtë kontekst ai është pengesa me serioze për arritjen e marrëveshjes. Është e vërtetë që sot ka kundështira transatlantike por në tërësi përsëri predominon bashkëpunimi transatlantik dhe shpresoj se ky bashkëpunim do konkretizohet edhe me një marrëveshje të drejtë Kosovë-Serbi.

 

Nacionale: Cilat do të duhej të ishin vijat e kuqe të Kosovës në raport me nënshkrimin e një marrëveshje? Cilat do të duhej të ishin kërkesat e saj në raport me Serbinë dhe bashkësinë ndërkombëtare?

 

Sali Berisha: Kosova është një vend i pavarur. Vijat e kuqe të Kosovës dhe të çdo shteti të pavarur në negociata dhe marrëveshje me një shtet tjetër janë respektimi i integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së vendit. Kosova pak vite më parë ishte viktimë e gjenocidit, krimeve monstruoze të kryera nga Beogradi me operacionin famëzi gjakatar “Patkoi”. Ajo nuk i ka asnjë borxh të asnjë natyre Serbisë. E kundërta është e vërtetë.

 

Nacionale: Cili do të duhej të ishte qëndrimi i Shqipërisë në raport me marrëveshjen dhe çfarë roli mund të luante shteti shqiptar në të gjithë këtë proces?

 

Sali Berisha: Edvin Kristaq Rama apo Zografi bis me qëndrimet e tij, rreshtimin e tij me presidentin ultra nacionalist serb Vuçiç përbën në vete një rrezik të madh për Kosovën dhe marrëveshjen e saj me Serbinë. Ai për shkak të lidhjeve të tij me Beogradin ka sulmuar haptas të gjithë udhëheqjen politike të Kosovës përveç Miladinit shqipfolës. Shkaku i luftës së tij të ftohtë ndaj Kosovës dhe udhëheqjes së saj politike qëndron në kundërshtimin nga ana e udhëheqësve të Kosovës të projektit të Serbisë së Madhe. Qëndrimin e tij armiqësor të hapur ndaj Kosovës dhe Kombit shqiptar ky Esat Toptan i ri e faktoi edhe me mbështetjen e projektit të Mini Jugosllavisë, de fakto të Serbisë së Madhe me një emër evropian.

https://nacionale.info/interviste-ekskluzive-me-z-sali-berisha-takimet-sekrete-thaci-vucic-kane-ndodhur-u-bene-per-ndarjen-e-kosoves/

Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...