Reforma zgjedhore identifikoi hajdutin, tani ka ardhur koha të distancohemi prej tij

Hënë, 08 June 2020 13:31

Nga Ilir NIKOLLA

Këto ditë është kthyer në një sport kombëtar të së majtës analizat si kaposhë majë plehut se sa të pamundur do ta ketë opozita t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme, pasi ajo s’arriti tek marrëveshja për Kodin Zgjedhor të merrte të gjithë objektivat që i kishte vënë vetes. Në mes të këtij imoraliteti spikat bindja se kryeministri mbetet ende në pozita force dhe ai do të mundet që me “lidhjet” që ende ruajti, t’i marrë edhe zgjedhjet e ardhshme, bile, disa tyryfylë mbërrijnë aq larg sa të thonë se ishte akaparuar edhe një mandat i katërt qeverisës. Ky sport kombëtar i së majtës ka gjithmonë si kontorno edhe korin e kukuvajkave në të djathtë, të cilët bëjnë be e rrufe se tani erdhi rasti e se menjëherë pas humbjes elektorale, do t’i turren selisë së PD-së për ta zaptuar.

Kaq sa për pamjen me vija të trasha. 
E vërteta është se në 2020-n asnjëherë s’është e thjeshtë të bëhen zullumet dy herë njësoj, me të njëjtën lehtësi e me të njëjtin shakllabanllëk. Edhe kryeministrit në detyrë s’mund t’i dalë kaq e thjeshtë detyra e përsëritjes së skemave të Dibrës, Durrësit apo maksi-skemës klienteliste të Tiranës. Të bën përshtypje rreshtimi i fortë në krah të imoralitetit dhe reshtja e përpjekjeve për t’jua kthyer sadopak shqiptarëve nderin e votës, shenjtërinë e dhënies së saj pa presion dhe me garanci të plotë të fshehtësisë së saj. Kjo reshtje është lajmi më i keq në këtë panoramë, por duhet kujtuar se s’jemi ende në vigjilje të përballjes elektorale dhe ndërmjetësit ndërkombëtarë s’i kanë drejtuar ende prozhektorët e vëmendjes drejt Tiranës politike. Ilaçi për këtë reshtje fatale mund të gjendet tek frymëzimi që mund të prodhojë alternativa e pushtetit.

Nëse paradhënie, kjo bota imorale që paralajmëron fitoren në tavolinë të kryeministrit e ka dhënë mendimin për dështimin e opozitës, duhen vlerësuar gjasat se si do ta rishpikë alternativën e vet Edi Rama, pas 8 vitesh në qeveri. Premtime mbi premtimet s’kanë asnjë besueshmëri, edhe loja e kazinosë e vitit 2017 me timonin e drejtimit s’pi më ujë. Tentativat për të ricikluar ofertat reformatore të ish-kryeministrit Berisha me riorganizimin e sektorit energjetik, përmes ndërtimit të Skavicës, janë shembulli më i qartë se si një rishpikje e alternativës pas 8 vitesh dështime në qeveri është një operacion i pamundur. 
Sa më shumë kalon koha, aq më e vjetër do të ngjajë fytyra e alternativës së Edi Ramës. Ajo fytyrë do të jetë gjithmonë e më pak tërheqëse, bile do shndërrohet në një kosto, të cilës mirë është t’i qendrohet larg. 
E dinë tregtarët e vegjël dhe fasoneritë ç’do të thotë “puthja e vdekjes” me qeverinë. E dinë edhe linjat e prodhimit që me shumë mund janë ngritur në bujqësi e në industrinë agro-përpunuese, për të cilat tregjet rajonale kanë ardhur gjithmonë e më në mbyllje. E dinë mbi të gjitha bota universitare dhe rinia se si është të gjallosh nën një administrim që rrënon çfarëdo përpjekje për konkurrencë.

Pamundësia e Edi Ramës për t’i marrë votat veç me vullnetin e shqiptarëve është premisa më e mirë mbi të cilën mund të ngrihet analiza mbi çka prodhoi reforma elektorale e këtij viti. Kjo është një gjasë më e sigurtë sesa shpresa se Edi Ramës do t’i funksionojë fjollë skema e grabitjes së votave si në Dibër në 2016-n apo në Durrës e në Tiranë më 2017-n. Se pse kjo qasje nuk gjendet në analizat e ditës është tregues i derexhesë ku ka rënë bota e medias, të cilës i duhet në të ardhmen një katarsis i madh, nëse s’do që të mbytet njëherë e mirë nën thundrën e demokracisë kaotike të rrjeteve sociale.

Pas reformës zgjedhore, reflektorët duhen drejtuar nga qeveria. I takon asaj të thotë ofertën e para. Jam kureshtar të shoh se sa bajate mund të jetë një gënjeshtër e broçkullitur për herë të tretë. Historia tregon se këtyre premtimeve-kalbësira u vjen aq shumë era, sa ka rrezik që për shqiptuesin e tyre të vihet një karantinim e një distancim social, shumë përpara sesa të kemi nevojë të shkojmë në kutitë e votimit. Dhe përballë këtij subjekti ndaj të cilit një shoqëri me cipë vendos distancimin social, fitorja është një objektiv gati i detyrueshëm. Reforma zgjedhore na e ka identifikuar hajdutin, tani është detyrimi ynë shoqëror të distancohemi prej tij, nëse s’duam të na infektojnë njëherë e mirë pleshtat e hajnisë.

Modifikuar më Hënë, 08 June 2020 17:33
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...