Biberaj:Shanset dhe mundësitë e Edit dhe të bandës së tij për 74 mandate janë zero

Hënë, 14 September 2020 11:38

 

Shanset dhe mundësitë e Edit dhe të bandës së tij për 74 mandate janë zero. Është kjo deklarata që vjen nga ish-deputeti dhe anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj në një intervistë dhënë dje për “Koha Jonë”. Teksa shprehet se procesi i përzgjedhjes nuk do të ketë asnjë ndikim negativ në radhët e Partisë Demokratike, Biberaj shprehet se ka një mision shumë të rëndësishëm që ka të bëjë me sfidën madhore për largimin e kësaj qeverisje të paaftë, të inkriminuar, të korruptuar, anti-popullore dhe antikombëtare; mision që prevalon mbi çdo interes tjetër personal apo të karrierës. “Kështu që nuk ka vend as për ftohje dhe as për hatërmbetje, gjithçka për përmbysjen e klikës kriminale që rri në pushtet me votat e vjedhura të vitit 2017, me paratë e pista të krimit dhe mafies”, shprehet Biberaj. E në këtë kontekst, duke e cilësuar si një mision historik, Aleksandër Biberaj shprehet se 25 Prilli i vitit të ardhshëm do të jetë referendum mbarëpopullor kundër sektit të rilindjes. Ndërkaq, lidhur me vizitën e nesërme të kryeministrit shqiptar në Athinë, Biberaj shprehet se vizita e Z. Rama në Greqi ka mundësi të jetë e urdhëruar nga kryeministri grek Micotaqis për çështjen e detit.

Z. Biberaj, si komentoni vizitën e kryeministrit Rama në Greqi, që është parashikuar me datën 15 dhe deklaratat e tij të fundit për çështjen e detit? Kam parasysh këtu që kjo vizitë vjen pak ditë pasi ai zhvilloi një tjetër takim në Turqi me presidentin Erdogan. apo nuk kanë lidhje këto ngjarje me njëra-tjetrën?

Vizita e Z. Rama në Greqi ka mundësi të jetë e urdhëruar nga kryeministri grek Micotaqis për çështjen e detit, pasi Greqia dhe media greke e kanë përshëndetur me entuziazëm prononcimin e papërgjegjshëm të Edi Ramës që i jep të drejtë Greqisë për pretendimin e saj prej 12 miljesh, ndërkohë që sipas të drejtës ndërkombëtare, ajo zbatohet në rrethana të caktuara dhe kur e lejojnë kushtet. Në kushtet e Shqipërisë, sipas ekspertëve, distanca prej 12 miljesh nuk mund të zbatohet, pasi i bie që Greqia të futet në territorin shqiptar. Lidhur me vizitën e Edi Ramës në Turqi dhe takimin e tij me Presidentin turk Erdogan do të gjykoja se nuk ka asnjë lidhje me ndarjen e kufirit me Greqinë, pasi ne nuk jemi faktor as lojtar kaq i madh saqë të zhvillojmë një politikë të tille, aq më tepër Edi Rama që mbetet një amator, një profan në diplomaci dhe politikën ndërkombëtare.

Në fjalimin e tij në seancën e parë plenare të sesionit të ri parlamentar ato që tërhoqën vëmendjen ishin dy nismat e kryeministrit Rama, miratimin e një ligji të ri për mediat që ai e cilëson si “Anti-shpifje”, dhe ligji për Presidentin. Pse këto nisma vetëm pak muaj para mbajtjes së zgjedhjeve?

Ka disa kohë që Edi Rama është “doën” komplet, pasi është i tmerruar nga ideja e humbjes së pushtetit gjë që është e sigurtë, dhe ka frikë se do të përfundojë para drejtësisë, aty ku edhe e ka vendin, për të gjithë gjëmat qe i ka bërë Shqipërisë dhe shqiptarëve gjatë këtyre 8 viteve. E para dhe më e rëndësishmja është se ai ka marrë mesazhe të qarta nga ndërkombëtarët që do të dalë në opozitë; dhe e dyta, të gjitha sondazhet e nxjerrin humbës, në humnerë me një rezultat katastrofik. Në këto kushte kapet si i mbyturi pas fijes së barit, se kujton se fajin ia kanë mediat, apo Presidenti, prandaj përpiqet që t’i shantazhojë me ndryshime ligjore, por jo vetëm që s’do të arrijë asgjë, por do t’i bëhet bumerang nëse i ndërmerr këto ndryshime ligjore shumë regresive. As media dhe as Presidenti nuk do t’i nënshtrohen vullnetit të tij pervers për nënshtrimin e shoqërisë shqiptare dhe marrjen e një mandati të tretë. Me Presidentin ka dy vite që e provon dhe ka dështuar në mënyrë spektakolare, ndonëse Ilir Meta është ndër ata që e ka mbështetur, promovuar dhe bërë kryeministër Edi Ramën, gjë për të cilën akoma s’iu ka kërkuar falje shqiptarëve. Gjithsesi, që të dyja betejat e Edit, si me median ashtu edhe me Presidentin, nëse i provon, do të jenë të humbura.

Në cilësinë e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama në takimin me drejtuesit vendorë shprehu dëshirën e tij për 74 mandate? Sa mundësi ka të ndodhë kjo, dhe si duhet të mobilizohet Opozita e Bashkuar për të mos e lejuar një rezultat të tillë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare?

Shanset dhe mundësitë e Edit dhe të bandës së tij për 74 mandate janë zero. Të gjitha përpjekjet e tij janë presion dhe klithma prej të mbyturi, prej të frikësuari, prej të tmerruari deri në palcë nga uragani popullor i votës kundër tij dhe klikës së tij. Edhe udhëzimi i fundit i rilindjes ku i kërkojnë çdo specialisti të administratës publike 50 votues, çdo drejtori 100 dhe çdo drejtori të përgjithshëm apo korporate 300, janë grahmat e fundit të klikës kriminale, dhe gjithçka që po bëjnë është në kundërshtim me Statusin e Nëpunësit Civil. Rilindja në këto zgjedhje do të pësojë një disfatë dërrmuese dhe të gjithë pushtetarët e saj të lidhur me krimin dhe korrupsionin galopant do të përfundojnë përpara drejtësisë.

A mund të shkaktojë përzgjedhja e kandidatëve probleme për PD-në?

Jo nuk do të ketë përçarje dhe jam i sigurtë që përzgjedhja dhe selektimi i kandidatëve në PD nuk do të shkaktojë probleme, pasi gjithçka po zhvillohet me shumë profesionalizëm dhe transparencë, dhe nga ky proces nuk ka të humbur. Edhe ata që nuk do të jenë në listat përfundimtare për deputetë do të jenë të respektuar dhe pjesë e rëndësishme e administratës dhe vendimmarrjes publike të PD-së. Ka një mision shumë të rëndësishëm që ka të bëjë me sfidën madhore për largimin e kësaj qeverisje të paaftë, të inkriminuar, të korruptuar, anti-popullore dhe antikombëtare; mision që prevalon mbi çdo interes tjetër personal apo të karrierës. Kështu që nuk ka vend as për ftohje dhe as për hatërmbetje, gjithçka për përmbysjen e klikës kriminale që rri në pushtet me votat e vjedhura të vitit 2017, me paratë e pista të krimit dhe mafies.
Po pjesëmarrja në zgjedhje pa koalicione, a mund të jetë problem për rezultatin final të Opozitës?

Me apo pa koalicione, Opozita do të fitojë thellë në zgjedhjet e 25 prillit 2021, nëse s’do të kemi zgjedhje të tjera përpara këtij afati. 25 Prilli do të jetë referendum mbarëkombëtar për të ndryshuar këtë qeverisje të tmerrshme. Ne do të shfrytëzojmë çdo hapësirë ligjore për të dalë bashkë në zgjedhje si Opozitë e Bashkuar me qëllim që të mos humbasim asnjë votë të vetme që do të shkonte në favor të rilindjes. Ka një urrejtje mbarëpopullore për këtë kastë te korruptuarish, sikurse një padurueshmëri për të shkuar në zgjedhje dhe për ta mundur këtë bandë, këtë grup të strukturuar kriminal që po shkatërron të tashmen dhe të ardhmen e vendit për çdo ditë të qëndrimit të tij të pamerituar në pushtet. Fitorja është tek populli, i cili është disa hapa përpara opozitës, opozita thjesht duhet të realizojë misionin dhe qëllimin e saj për të menaxhuar këtë pakënaqësi popullore, duke punuar 24 orë me qytetarët për të realizuar këtë mision historik.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...