Andi Bushati: Inceneratorët që po djegin propagandistët e PS-së

Premte, 23 October 2020 16:17

 

Nga Andi Bushati –
Ka një pyetje që po e dëgjoj gjithnjë e më shpesh këto ditë: “Si është e mundur që këta të rilindjes dalin në TV për të sqaruar akuzat për inceneratorët dhe bëjnë çdo gjë tjetër përveç kësaj”? Kjo dilemë është një e drejtë automatike, e kujtdo që mëton të sqarohet nëse denoncimi që ka dëgjuar është i vërtetë apo i gënjeshtërt. Por, në këtë rast nevoja për të kuptuar po rezulton të jetë një mision i pamundur.
Edi Rama shkoi në “Opinion” përballë gazetarëve dhe në vend të hidhte poshtë me shifra dhe me fakte akuzat, mjaftohej vetëm me tregimin e dy forografive (si ka qenë dhe si është sot). Ai predikonte se rëndësi kanë vizionet dhe jo detajet, duke anashkaluar dhënien e 72 milonë eurove pa garë, krijimin e monopolit të plehrave për një njeri të vetëm, PPP-të e paguara jo me eurot e privatit por me ato të buxhetit dhe bujarinë me paratë e dhuruara për punën e pakryer. Përpos spektaklit të shëmtuar me bashkëbiseduesit, ai nuk tentoi të sqaronte asnjë gjë, veç njollosjes personale të atyre që ngrinin pyetje.
Pak ditë më pas, ish ministri i mjedisit Lefter Koka, që formalisht ka nënshkrimin kryesor në këtë mega aferë, u soll në “Open” sikur e kishin katapultuar nga një planet tjetër. Pyetjeve se si kishte përzgjedhur një kompani pa asnjë lloj përvoje, se si qe vendosur ti jepeshin asaj aq miliona sa kërkonte, kur ne s’kemi specialistë për vlerësimin e inceneratorëve, se si i gjithë shteti qe vënë në lëvizje brenda një dite, ai u përgjigjej me justifikime se nuk e mbante mend dhe se ishte lajmëruar vetëm dy orë përpara për emisionin (kur skandali ka katër vite që zjen në mjedisin politik). E vetmja taktikë që i kishin sugjeruar, qe të përplasjej me Jorida Tabakun. Së fundi, ish ministri i Financave, Arben Ahmetaj, kur pyetej për lidhjen miqësore me bashkëjetuesin e zonjës, emri i të cilës del si pronare e koncesionit, rrekej të shpjegonte se mes dy vetave që ndajnë të njëjtin shtrat, nuk ka asnjë lidhje. Ai zgjidhte kakofoninë e përballjes me gazetarët, para qëllimit primar, sqarimit të publikut.
Në të njëjtën linjë, prej gati dy javësh edhe mediat pro qeveritare anashkalojnë thelbin e problemit, pra atë nëse tre koncesionet e Elbasanit, Fierit dhe Durrësit, janë apo jo një histori korrupsioni, por rendin të kapen me detaje, si lapsuset e gazetarëve, fotot e vjetra të Sharrës, apo me faktin nëse u lanë përfaqësuesit e opozitës të hynin në territorin e inceneratorit të Tiranës. Po të bësh një bilanc, të kësaj mënyre sjelljeje në mbrojtje të investimit për djegien e mbetjeve, ai është tepër i dukshëm: asnjë argument se ku kanë shkuar paratë, por trajtimi si plehra i atyre që ngrenë këtë problem. Dhe këtu lind një pyetje: përse rilindja që shquhet për propagandë të sofistikuar ka zgjedhur këtë strategji? A nuk e kuptojnë kaq gjë, se duke u futur në një debat dhe duke u shmangur nga thelbi i tij, del i humbur në sytë e spektatorëve? Se duke mos dhënë përgjigje për akuzat, e shton edhe më shumë dyshimin kolektiv për to? Se duke u marrë personalisht me artikuluesit e tyre ke bërë të kundërtën e qëllimit për të cilin ke dalë në debat?
Natyrisht, spin doctors-at e Ramës e dinë këtë. Ata mund të akuzohen se kanë dorë, por jo se s’kanë tru. Ata janë të ndërgjegjshëm se betejën me argumente e kanë të humbur. Dhe pikërisht për këtë ata kanë vendosur të mos luajnë me arsyen dhe me logjikën, por me pasionet dhe emocionet. Prandaj ata kanë vendosur të mos merren me çfarë thuhet, por me faktin se kush e thotë. Kjo mënyrë sjellje, tipike për minorancat që duan të mbajnë shtrënguar radhët që mund t’ju shpërbëhen, ka një rrezik. Sepse heqja dorë nga faktet dhe argumentet, përpjekja për varrosjen e tyre, mund të bëhet alibi për çdo krim të nesërm, nga vjedhjet e ardhshme me PPP e deri tek grabitja e zgjedhjeve. Dhe kjo me sa duket është strategjia e re e rilindjes: heqja dorë nga bindja e një shumice që kërkon prova për të besuar dhe radikalizimi përmes emocioneve i një pakice kamikazësh të cilët janë në të aftë të të vijnë nga pas në çdo mëkat. Në këtë kuptim, afera e inceneratorëve është paralajmërimi më i mirë i asaj që do të shohim deri në 25 prill. Me sa duket rilindja ka vendosur ti djegë propagandistët që rreken të ngrenë një teori bindëse, qoftë edhe duke bërë një amalgamë të pavërtetash.
Lapsi.al

Ajo thjesht do të përçajë dhe të radikalizojë, që të sundojë. Ajo ka vendosur të sillet si një minorancë që kërkon të imponohet jo përmes arsyes, por përmes dhunës.

©Lapsi.al

Login to post comments

Lajmet e fundit

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Politikë

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Nga Gezim Sadikaj: Si perfaqsues i banorve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.Shebull tipik i kesaj masakre eshte dhe familja Billa prej 20 antaresh!Mervet Billa dhe Izet...

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

Globi

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

NATO sulmoi trupat serbe në vitin 1999 për të parandaluar një “katastrofë humanitare” në Kosovë. Krahasimi me Ukrainën është i gabuar.   Pas disa muaj negociatash, të cilat nuk dhanë rezultate, më...

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

Ekonomi

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

    Rritja e kostove, frenimi i konsumit, ulja e fitimeve ka bërë që bizneset të reduktojnë investimet në makineri e pajisje. Ulja e konkurrueshmërisë nga bizneset vendase po i lëshon gjithnjë e...