Kryedemokrati Lulzim Basha nuk ka lënë pa përmendur sot në mesazhin e tij në 30-vjetorin e themelimit të PD as vrasjen tragjike të 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv policie.
Teksa i shprehu dhe njëherë ngushëllime familjes për humbjen e madhe, Basha theksoi se ajo që i revoltoi më së shumti shqiptarët ishte përpjekja mizore dhe e paskrupullt e propagandës qeveritare për të fshehur e manipuluar këtë krim shtetëror.
Ai tha më tej se Rama heshti për tre ditë dhe u detyrua të bëjë mish për top ministrin e brendshëm për të shpëtuar veten e tij.
Për Bashën nuk është faji i policëve të thjeshtë familjarë që me siguri ndihen po aq të lënduar e solidarë sa edhe gjithë qytetarët e tjerë, por është rezultat i frymës së papërgjegjshmërisë, arrogancës dhe kulturës së pandëshkueshmërisë që vjen nga shefi i qeverisë.
“Të gjithë ne pamë një shembull tragjik të mungesës së ndjeshmërisë dhe përgjegjësisë së kësaj qeverie për qytetarët e saj para pak ditësh.
Pamë ngjarjen tragjike kur Klodian Rasha u vra pak hapa larg pragut të shtëpisë së tij.
Fjalët e babait të Klodianit më prekën thellë e më kanë lënë gjurmë të pashlyeshme.
Lotët e familjarëve të 25-vjeçarit lënduan në zemër të gjithë shqiptarët anembanë ku jetojnë.
Por ajo që i revoltoi më së shumti shqiptarët ishte përpjekja mizore dhe e paskrupullt e propagandës qeveritare për të fshehur e manipuluar këtë krim shtetëror.
Ne jemi mësuar që ta shohim kryeministrin e papërgjegjshëm të Shqipërisë të gozhduar para internetit, tërë kohën duke u marrë me thashetheme, duke reaguar menjëherë madje edhe ndaj komentatorëve të rrjeteve sociale, mirëpo për këtë ngjarje kaq të rëndë heshti për 3 ditë radhazi.
Fillimisht heshti sepse shpresoi se do ta kalonte lumin me mashtrime e manipulimet e propagandës shtetërore. Në kohën e kësaj ngjarje pikëlluese, ngjarje për të cilën ai është bashkëpërgjegjës, Rama ishte i zënë me shëtitje nëpër galeri artesh e blerje në dyqanet luksoze në New York.
Vetëm 3 ditë më pas, kur e pa që qytetarët u hodhën në revoltë sepse nuk i gëlltisin dot gënjeshtrat e tij, nuk mund të pranojnë as krimin dhe as cinizmin dhe pandjeshmërinë me jetën e një të riu, atëherë ai u detyrua ta bëjë ministrin e brendshëm mish për top për të shpëtuar veten e tij.
Për këtë ngjarje të dhimbshme faji nuk është i policëve të thjeshtë familjarë që me siguri ndihen po aq të lënduar e solidarë sa edhe gjithë qytetarët e tjerë të këtij vendi.
Është rezultat i frymës së papërgjegjshmërisë, arrogancës dhe kulturës së pandëshkueshmërisë që vjen nga shefi i qeverisë sepse populli ynë e di mirë që ‘peshku qelbet nga koka’.
Është rezultat i punësimeve politike të njerëzve joprofesionistë me të kaluar të errët kriminale. Është përgjegjësi e atyre krerëve të policisë të emëruar nga partia që i shërbejnë pushtetit e jo qytetarëve
Është rezultat i sabotimit dhe i defunksionalizimit të gjithë sistemit të drejtësisë për vite me radhë duke bërë të pamundur vënien para përgjegjësisë ligjore të zyrtarëve shtetëror abuzues.
Në këto ditë të rënda unë shpreh edhe njëherë ngushëllimet më të thella familjes dhe shpresoj që të gjejnë forcën për të përballur një ngjarje kaq dëshpëruese.
Edhe pse e di që s’ka fjalë që të mund të ngushëllojë zemrat e plagosura nga një humbje kaq e madhe sikurse vrasja e një djali në lulen e moshës së rinisë”, deklaroi kreu i PD.