Maxhoranca nuk tërhiqet nga koncesionet, madje dje në Parlament rrëzoi dekretin e Presidentit, i cili i kërkonte Parlamentit të rishikonte ligjin “Për Metrologjinë”, që, në thelb, lejon drejtorin e Metrologjisë të japë koncesione vetëm me firmën e tij. Kundër dekretit të Presidentit votuan dje 87 deputetë, ndërsa 12 votuan pro.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ktheu për rishqyrtim parlamentar ligjin që lejon drejtorin e Metrologjisë të privatizojë pa garë procedurën e verifikimit të saktësisë së instrumenteve matëse, duke e shpallur atë antikushtetues.
Sipas Metës, synimi i vërtetë i projektligjit, i cili u miratua së fundmi në Parlament pa debate, është që të lejojë drejtorin e Metrologjisë të “lëshojë autorizime” për kompani private, në mënyrë që këto të fundit të verifikojnë saktësinë e instrumenteve matëse në sektorit privat, të tilla si pikat e karburantit apo shërbime të tjera.
Ligji në fjalë “është një ndër ligjet me përmbajtje më të lartë antikushtetutshmërie, në shkelje flagrante të parimeve themelore kushtetuese të funksionimit të tregut të lirë dhe konkurrues, duke përbërë dhe shembullin tipik dhe të përsëritur, të fenomenit të “korrupsionit legjislativ”, shkroi Meta në dekretin për rikthimin e tij për rishqyrtim parlamentar. Sipas ligjit, shërbimet e verifikimit të instrumenteve matëse mundet që Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë t’ua kalojë subjekteve juridike private, gjë për të cilën Meta thotë se është antikushtetuese.
”Mbikëqyrja e tregut dhe inspektimi metrologjik janë funksione shtetërore që garantojnë saktësinë e instrumenteve matës. Lënia në dorë të subjekteve private, në mënyrë të pakontrolluar, siç përcaktohet në dispozitat e tjera të ligjit të poshtevidentuara, cenon direkt këtë funksion publik, i cili në mënyrë të pashmangshme do të sjellë hapësira për abuzime që sjellin si pasojë dëmtimin e interesave të qytetarëve dhe të interesit publik”, rendiste kreu i shtetit në arsyetimet e kthimit të ligjit. Por këto arsyetime nuk e bindën Parlamentin, i cili e rrëzoi dje.