Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka akuzuar sot drejtpërdrejt Serbinë se po synon të shpopullojë Medvegjën në një lojë të pandershme të korrigjimeve të pabarabarta territoriale duke bërë thirrje për të ndalur shpopullimin e trojeve shqiptare.
Këto deklarata Kreu i Shtetit i bëri gjatë një ceremonie solemne, ku çmoi sot me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, veprimtarin e shquar të diasporës sonë kombëtare dhe atdhetarin nga Lugina e Preshevës, z.Muharrem Salihu.
Ky vlerësim i lartë, ju bë me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për veprimtarinë frymëzuese, nxitëse, mobilizuese dhe përkrahëse, në mbrojtje të lirive e të drejtave themelore individuale dhe kolektive të shqiptarëve në Luginën e Preshevës në përgjithësi, dhe në Medvegjë, në veçanti. Me mirënjohje për investimet largpamëse në favor të zhvillimit ekonomik, social dhe punësimit të shqiptarëve dhe komunitetit, si rrugë për të ndalur shpopullimin e trojeve amtare si dhe për të nxitur normalizimin e jetës dhe bashkëjetesës ndëretnike. Për mbështetjen e fuqishme të aktiviteteve kulturore dhe artistike të shqiptarëve, që dëshmojnë gjurmët e hershme të autoktonisë së tyre në viset ku ata banojnë, kudo në Republikën e Serbisë”.
Në fjalën përshëndetëse drejtuar familjarëve, deputetëve, diplomatëve, ish-ministrave, intelektualëve dhe personaliteteve të pranishme, Kreu i Shtetit e cilësoi z. Saliu një figurë emblematike të diasporës sonë.