Intervista/Genc Pollo:Amendamntet anti meme janë një moment humori; dëftejnë mentalitet të Babaqemos.

Premte, 01 Janar 2021 16:45

Pse duhet hetim nga qeveria e re për keqtrajtimin policor të katër aktivistëve; tezat e Vjosa Osmanit për coptimin e Kosovës, Minishengenin e traun e rrugës se Kombit gjejnë konsensus në Prishtinë e Tiranë. Patozi e Topalli i marrin të keqen PDR-së


Gazeta Shqiptare: Zoti Pollo ju keni kritikuar shpesh ligjet anti shpifje të mazhorancës? Po për amendamentet që penalizojnë memet çfarë do të thoni?
Genc Pollo: Penalizimi i memeve na jep një moment humori, kur kundrojmë bilancin e zymtë qeveritar përsa i përket lirisë së shprehjes. Humor i zi mbase? Por mua më ka bërë më shumë përshtypje diçka tjetër në amendamentet e Kodit Penal të publikuara nga qeveria; diçka që mendoj se nuk është komentuar aq sa lipset. Amendimi parashikon që kur viktimë e shpifjes është një ofiqar i shtetit atëhere dënimi ështe gati dyfish, sesa kur viktimë është një qytetar i thjeshtë.
Më duket si disa norma penale të ngjashme që kanë ekzsituar në Europën parademokratike deri në gjysmën e parë të shekullit 19. Në fillim të shekullit 20 kudo në kontinent legjislacioni i përmbahej parimit të barazisë para ligjit. Edhe në Shqipërinë e varfër e krahasimisht të prapambetur të viteve 20. Në shekullin tonë konsiderohet se ofiqari shtetëror, për vetë funksionin që ka, do të jetë më i ekspozuar se të tjerët ndaj kritikës së ekzagjeruar e të padrejtë; dhe këtë duhet t'a përballojë.
Jo se do të kemi pabarazi në ligj; sa më lart është vetëm një normë politiko-kulturore që dikton një sjellje më të përmbajtur. Pra një qytetar i thjeshtë mund të padisë për shpifje sa herë të dojë; ndërsa një politikan, si rregull, kufizohet me përgënjeshtrimin. Prandaj nëse e merr seriozisht ky amendament duhet të të ngjethë mishin, sepse pasqyron mënyrën e të menduarit të qeveritarëve që mbetet akoma në kohën e Baba Qemos.

Gazeta Shqiptare: Qeveria thotë janë mendime ekspertësh!
Genc Pollo: Nuk është thjesht një lajthitje eksperti. Grupet e ekspertëve punojnë mbi letër-politika të miratuara nga ministri në mos po ndjekin udhezime direkte nga ai. Në këtë rast normalisht do të duhej të kishte dhënë dorëheqjen ministri. Sepse mban përgjegjësi direkte; shumë më tepër sesa Sandër Lleshaj për vrasjen në Laprakë. Por është gjynah të kërkosh gjëra të tilla nga Etilda Gjonaj sepse mbase ajo vërtet nuk di gjë fare. Më ligjet e dënimit të gazetarëve e të kritikëve gjithmonë është marrë personalisht Edi Rama.

Gazeta Shqiptare: Por ju çfarë do të bëni për këtë?
Genc Pollo: Ne si PD kemi thënë gjëja e parë që do të bëjmë mbas rotacionit është anullimi i ligjit për Arsimin e Lartë. Unë do të shtoja këtu edhe ligjet antifjalë të dhjetorit 2019.
Por le të shohim edhe anën pozitive të gjësë: ligjet antifjalë shërbyen së pari për gjallërimin e organizimin e zejes së gazetarëve për të kundështuar këtë thagmë por edhe për t'ju përgjegjur me konstruktivizëm sfidës së etikës në websitet online. Duke ngritur mekanizma vetërregullues; së dyti edhe tek ata ndërkombëtarë që ndiqinin me gjysëmpërgjumje problemet e Shqipërisë ligji antifjalë shkeli në nerv; aq sa u kthye në kushtin e 15 për çeljen e negociatave; pra pati një ndërgjegjesim për natyrën e vërtetë të regjimit.

Gazeta shqiptare: Gjatë protestave pas vrasjes së Klodian Rashës pati kritika për mungesën e opozitës në krye të tyre. Ju si mendoni?
Genc Pollo: I kam dëgjuar edhe unë e mendoj se një pjesë e kritikëve ishin të sinqertë; pjesa tjetër ishte kori permanent i atyre që në çdo paudhësi qeveritare shohin vetëm përgjegjësitë e opozitës. Por qendrojmë tek pjesa e parë: më duket se shpjegohet me frustrimin me gjendjen dhe me padurimin për rotacionin. Opozita organizon tubimet e protestat e veta. Opozita përkrah publikisht dhe me forma të ndryshme edhe lëvizje qytetare si p.sh. ato të Teatrit e të Astirit; Opozita përkrahu protestat e të rinjve si absolutisht legjitime e të drejta; si dhe dënoi dhunën policore e gjuhën e urrejtjes të Edi Ramës ndaj protesuesve. Besoj se ishte qendrimi I duhur si dhe i mjaftueshëm.

Gazeta shqiptare: Por ama opozita nuk dënoi dhunën e protestuesve?
Genc Pollo: Opozita përkrahu protestën legjitime dhe jo aktet e dhunës apo dëmtimit të pronës. Rama duke dashur të fokusohej tek dhuna përdori të njëjtin fjalor si Ramiz Alia fiks 30 vjet më parë, në dhjetor 1990 kur pati edhe raste teprimesh gjatë protestave antikomuniste. Ironike apo jo?
Tashti seriozisht: e kam thënë sa herë kam mundur këto vite se më shqetëson mungesa e reagimit shoqëror ndaj problemeve që shkakton sidomos pushteti. Ka shumë shkaqe e duhet një intervistë më vete. Prandaj gëzohem sa herë që ka mobilizim shoqëror e tubime publike si në rastet që përmënda. Marshimet e opozitës janë të pazëvendësueshme por jo të mjaftueshme.

Gazeta Shqiptare: A mos e politizoi opozita vrasjen e 25 vjeçarit Rasha?
Genc Pollo: Hulumtimet mediatike dëftuan se Nevaldo Hajdaraj ishte një i ri problematik e me prirje delinkuenti, të cilin asnjë polici normale nuk e pranon në rradhët e saj. Por ai priste ardhjen e PS në pushtet që të vishej polic. Saimir Tahirir ka punësuar me kritere partiake afro tre mijë policë; shumë syresh me profilin e Hajdarajt. Vrasja e Klodianit nuk është "vdekje aksidentale" por erdhi si pasojë e kulturës së dhunës arbitrare të injektuar e të inkurajuar nga lart. Po ashtu përfshirja në kanabis nuk është një rastësi policore por pjesë e një projekti ku Tahiri duket si një zv.komandant operativ. Këto e të tjera shpjegohen në sfondin e politizimit të policisë e që mundëson keqpërdormin e saj.

Gazeta Shqiptare: Por ndoshta me Bledi Çuçin jokonfliktual si ministër të brendshëm mund të rindërtohet besimi i publikut apo edhe i opozitës tek policia?
Genc Pollo: Sa kohë isha kryetar i Komisionit për Integrimin Europian me Bledi Çuçin nënkryetar kemi bashkëpunuar mirë për një frymë pozitive në punimet e komisionit. Nga një ministër me sens shteti e ligjshmërie, do të kisha pritur që të prononcohej për tejkalimet e dhunës policore; sidomos do të kisha pritur që të dënonte dhunën ndaj katër aktivistëve të Lëvizjes për Teatrin që u arrestuan pa shkak e pa provokuar dhe duarlidhur u keqtrajtuan brenda në komisariat. Për herë të parë në publik Çuçi prezantoi butaforikisht një sondazh opinioni dhe fatkeqsisht nuk tha asnjë fjalë për ta. U desh një tweet nga një diplomate e huaj pas takimit me Çuçin që të marr vesh se ministria paska hapur hetim për dhunimin e aktivistëve. Hetim jo premtues në këto rrethana. Dhe konkluzioni del se ministri mund të jetë konfliktual ose jo, por kjo gjë nuk ka shumë rëndësi sepse gjërat përcaktohen nga Rama. Në këto rrethana duket pa vend të ëndërrosh për "rindërtim besimi".

Gazeta Shqiptare: Pse sondazhi i Çuçit është butaforik?
Genc Pollo: Sepse e paraqitit sikur policia nga 2013 gëzonte besim publik më të lartë se në disa shtete të Europës Qendrore e Veriore. Rama e trashi më tej duke e shpallur sondazh të qeverisë suedeze kur në fakt Suedia vetëm kishte financuar sondazhin; të cilin e realizoi një firmë kliente permanente e Ramës kryebashkiak. Ndoshta kjo është arsyeja që ambasada suedeze reagoi duke saktësuar rolin e saj lidhur me sondazhin dhe duke theksuar se duhet shumë punë që policia të arrijë mesataren e BE. Por ju të medias këtë detaj nuk e keni vënë re me sa duket.
Gazeta Shqiptare: Është e vërtetë që nuk ndjekim dot çdo postim në rrjetet sociale. Mbase na duhet ndihmë nga politikanët
Genc Pollo: Po, po! Këtë shërbim e merrni falas e me bollëk (qesh).

Gazeta Shqiptare: Të kthehemi tek katër aktivistë e arrestuar. Ju keni sugjeruar një komision hetimor për këtë rast. Por komisionet hetimore nuk para kanë qenë histori suksesi apo jo?
Genc Pollo: Ju flisni për komisionet parlamentare. Unë sugjeroj një komision hetimi qeveritar mbas 25 prillit. Në rastin që hetimi Çuçi, siç pritet, të arkivohet pa pasoja. Një hetim që identifikon shkelësit e merr masa administrative kundër tyre si dhe i dorëzohet prokurorisë për ndjekje penale. Shikoni! Besueshmëria ndërtohet me mirë me masa të vogla, efektive e të verifikueshme se sa me deklarata gjenerale.

Gazeta Shqiptare: Të ndalemi tek vizita në Tiranë e Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani. Një analist shkruante se ajo në Shqipëri u duartrokit nga partitë e djathta ndërsa në Kosovë nga të majtat. A bini ju dakord me këtë?
Genc Pollo: Pa u ndalur tek orientimet partiake që janë komplekse, unë do të thoja se tezat për çështjet kryesore që dëgjova nga znj. Osmani në Tiranë gjejnë konsensus si në Prishtinë po ashtu edhe në Tiranë, përjashto këtu partinë në qeveri. E kam fjalën për dënimin e orvatjes për coptimin e Kosovës, për konsiderimin e padobishëm, madje edhe të dëmshëm të Minishengenit ballkanik si dhe për insistimin e heqjes së traut e të tarifës (taksës Rama) në rrugën e Kombit.

Gazeta Shqiptare: Por Minishengeni përkrahet nga Marrëveshja e Normalizimit Ekonomik e nënshkruar nga Hoti e Vuçiç në Shtëpinë e Bardhë.
Genc Pollo: Ishte një sheqerkë për Vuçiçin ndërsa ky pranonte kërkesën e diplomatëve amerikanë për pavarësi energjitike nga Rusia. Dhe kryeministrit Hoti, iu kërkua ky lëshim siç e ka sqaruar vetë ai. Por kjo nuk e bën Minishengenin të favorshëm për Shqipërinë e aq më pak për Kosovën.
Nga ana tjetër përkrahja europiane për këtë nismë thjesht nuk ekziston. Sepse me të dublohen më kot nisma të BE për bashkëpunim ekonomik rajonal si CEFTA. E kanë thënë disa herë zyrtarët e Komisionit Europian. Shihni së fundmi edhe projekt rezolutën për Shqipërinë në Parlamentin Europian të prezantuar nga raporterja socialiste Santos: asnjë llaf për Minishengenin e plot përkrahje për CEFTA-n.

Gazeta Shqiptare: Por qeveria, mbas deklaratave të znj. Osmani, tha sërish se trau e pagesa në Kalimash janë të domosdoshëm për mirëmbajtjen e rrugës!
Genc Pollo: Shqetësimi i parë është se pagesa vajtje-ardhje 11 Euro për veturë e 16 Euro për kamjon pengon integrimin e ekonomive të dy vendeve tona. Gjithashtu e bëjnë Rrugën e Kombit jokonkurruese kundrejt rrugëve të tjera në rajon. Ky duhet të jetë shqetësim i madh për Tiranën e Prishtinën. Ndërsa shqetësimi i dytë (çështje vetëm e Tiranës) është paligjshmëria e korrupsioni madhor i PPP-së në fjalë: duke filluar nga prokurimi, tek ndryshimi i pronësisë të konçesionarit deri tek fitimi marramendës pa bërë ende ndonjë investim. Shpresoj shumë që ky problem të marrë zgjidhje mbas 25 prillit. Tok me problemet e tjera si ai.

Gazeta Shqiptare: Meqë përmendët 25 prillin a mos mendoni se mos PD është pak mbrapa me caktimin e drejtuesve të qarqeve dhe me kandidatët.
Genc Pollo: Besoj do të veprohet shpejt në vijim.

Gazeta Shqiptare: Disa ish drejtues të PD si Topalli e Patozi kanë formuar parti dhe po shkojnë drejt zgjedhjeve pa bashkëpunim, madje në konflikt me PD. A mos po veprojnë si dikur PDR juaj?
Genc Pollo: Nuk shoh fare ngjashmëri! Në zgjedhjet e vitit 2001, në apelin përmbyllës të fushatës unë bëra thirrje për rotacion të pushtetit e për largimin e Nanos e të socialistëve nga qeveria. Megjithëse PD në ato zgjedhje nuk dukej se besonte në fitore përderisa nxori Ridvan Boden kandidat për kryeministër. Në zgjedhjet e vitit 2005, në vitin e tetë të qeverisë Nano, ne ishim në koalicion zyrtar me PD. Të tjerat janë thjesht histori. Nuk është ky rasti i atyre që ju përmendni.

Gazeta Shqiptare: Por Patozi e Topalli mundet që pas zgjedhjeve të bashkojnë votat me ju në parlament.
Genc Pollo: Nuk di kush tjetër mendon se mund të nxjerrin deputetë partitë që marrin më pak vota se ato të pavlefshme.
Gjithësesi ata janë në të drejtën e tyre të formojnë parti politike
Po, por me kaq nuk merr përgjigje pyetja se kujt i shërbejnë. Ata anatemojnë më shumë opozitën dhe partinë që e molën për shumë vjet se sa qeverinë. Dhe sillen sikur do e arrijnë vetë mazhorancën, pa nevojën e koalicioneve; si dhe nuk para shqetësohen se mos kjo tingëllon qesharake. A doni më për belulët?

Gazeta Shqiptare: Diçka për alternativën e PD në fushatë?
Genc Pollo: Në fushatë besoj do të kemi ballancën e duhur mes propozimeve alternative dhe kritikës ndaj kundërshtarit. Të tjerat më vonë.

30 dhjetor 2020
Gazeta Shqiptare

Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...