Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka prezantuar sot programin për arsimin. Kryedemokrati renditi pikat kryesore, ku e para sipas tij është sigurimi i teksteve shkollore te reja falas për 350 mijë nxënës. Ndërsa garantoi edhe mbështetje për famijët që vijnë nga familjet në nevojë.
“Angazhohem se do të siguroj tekste shkollore të reja falas, për 350 000 nxënës. Po kështu fëmijët e të gjitha familjeve në nevojë do të përfitojnë paket shkollore dhe tekste falas gjatë gjithë arsimit parauniversitar. Nuk do të lëmë asnjë fëmijë pa ndihmuar. Angazhohem se do të hartojmë një program arsimor modern, përmes të cilit do t’u japim mundësinë të rinjve të Shqipërisë që duan një profesion, ta marrin atë gjatë periudhës së arsimit të tyre”, tha ndër të tjera kryedemokrati Basha.
Kreu i demokratëve premtoi rritje të pagave për mësuesit në masën 60%, duke garantuar se nuk do të ketë mësues me pagën më të ulët se 700 euro.
“Nëse fëmijët janë e ardhmja jonë, atëherë përgjegjësit për këtë të ardhme janë mësuesit e fëmijëve tanë. Ata meritojnë më shumë. Po ama vërtet më shumë. Dhe unë angazhohem që t’u jap më shumë. Ne do të rrisim me 60% pagat e mësuesve dhe as edhe një mësues nuk do të marrë më pak se 700 Euro në muaj rrogë. Kështu ne do sjellim më shumë të ardhura dhe mirëqenie për 35 000 familjet e mësuesve tanë të arsimit parauniversitar”, u shpreh kreu i PD.