Presidenti Ilir Meta thirrje Qeverisë: Shpallni urgjentisht “Gjendjen e Fatkeqësisë Natyrore” në zonat e përmbytura!

E Enjte, 11 February 2021 17:59

 

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka kërkuar shpalljen e Gjendjes së Fatkeqësisë Natyrore, në Shkodër, për shkak të përmbytjeve, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut.

“Situata e përmbytjeve në Qarkun e Shkodrës, si pasojë e reshjeve intensive dhe shkrirjes së dëborës në basenet e lumnjëve Drin dhe Buna, po shkon drejt ekstremeve të paparashikuara.

Liqeni i Shkodrës, që ka shkuar në kuota maksimale ka përmbytur tashmë lagjet periferike të qytetit të Shkodrës, ku niveli i ujit raportohet të jetë 40-50 cm.

Në pak ditë, sipërfaqja e tokës nën ujë nga 1540 hektar është rritur në rreth 4000 ha dhe sipas paralajmërimeve të sotme të Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit pritet zgjerim i zonave të përmbytura, veçanërisht në NënShkodër dhe afër Liqenit të Shkodrës.

Alarmi i dhënë dhe situata në terren është shumë serioze dhe kërkon vëmendjen e veçantë të Qeverisë dhe pushtetit vendor, që pa vonesa të mëtejshme duhet të marrin të gjitha masat efektive për evakuimin e familjeve të rrezikuara nga uji, si dhe të bagëtive, që priten të izolohen”, shkruan Presidenti Meta.

Po ashtu Kreu i Shtetit bën me dije se sot ka biseduar edhe me Kryetaren e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, e cila e ka informuar në detaje për gjendjen e rënduar dhe shqetësimin e saj për përkeqësimin e mundshëm të situatës, që kërkon një ndërhyrje të menjëhershme nga ana e autoriteteve shtetërore përgjegjëse.

Meta i ka bërë thirrje qeverisë që të shpallë urgjentisht “Gjendjen e Fatkeqësisë Natyrore” në zonat e përmbytura, me qëllim menaxhimin më të mirë të situatës operacionale, për t’u ardhur në ndihmë të gjitha familjeve në nevojë.

“Duke i garantuar të gjithë mbështetjen institucionale, kërkova prej saj, që Bashkia e Shkodrës të jetë në lartësinë e përmbushjes me përgjegjshmëri të detyrave në këtë situatë tepër të rënduar dhe të ketë në fokus kryesor shëndetin dhe jetën e banorëve.

Duke vlerësuar me përgjegjësi maksimale gjendjen e raportuar i bëj thirrje Qeverisë të shpallë urgjentisht “Gjendjen e Fatkeqësisë Natyrore” në zonat e përmbytura, me qëllim menaxhimin më të mirë të situatës operacionale, për t’u ardhur në ndihmë të gjitha familjeve në nevojë dhe për të patur prioritet absolut mbrojtjen e jetës së çdo qytetari dhe minimizimin e pasojave në pronat dhe pasuritë e tyre.

Përsëris thirrjen drejtuar Qeverisë për të vlerësuar me shumë përgjegjësi paralajmërimet e IGJEUM dhe për të mos i lënë në mëshirë të fatit banorët e Shkodrës, të cilët meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe të kenë të gjithë vëmendjen dhe ndihmën e shtetit, veçanërisht në këtë periudhë tepër të vështirë, të rënduar edhe për shkak të pandemisë COVID-19”, shkruan Meta

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...