“Bashkë për ndryshim”, Basha kërkon ndihmën e shqiptarëve: Pa ju, planet më serioze shndërrohen në pluhur. Detyra e parë si kryeministër…

E Enjte, 25 Mars 2021 19:55

 

Kryedemokrati Lulzim Basha, në çeljen zyrtare të fushatës së Partisë Demokratike në zgjedhjet e prillit, i bëri thirrje qytetarëve për mbështetje.

Ai tha, se kudo që ka shkuar e ka ndjerë nevojën për ndryshim, ndaj ajo sipas Bashës, arrihet vetëm me PD në krye. Ai gjithashtu, tha se misioni i tij hyjnor, është anëtarësimi i Shqipërisë në BE.

“Kam shkuar në çdo qytet, cep, kënd të Shqipërisë, kam ndjerë etjen për ndryshim. Kam marrë përqafime të ngrohta, nga Jugu në Veri. Kam folur, shpjeguar, që gjërat mund të shkojnë më mirë. Ndryshimi po vjen, do e sjellim, Shqipëria do të ndryshojë. Kam lexuar në sytë tuaj një forcë të madhe, një frymëzim për të ecur përpara, që një popull i vuajtur por i vendosur për t’i dhënë fund saj mund ta tregojë. Më kanë thënë qytetarët e të gjithë shqipërisë që jemi gati për një ndryshim të madh. Këta qeveritarë që vetëm na zhvasin, nuk na zgjedhin asgjë, aty që duan të na vrasin shpresën dhe ndryshimin, të gjithë së bashku më 25 prill, do të çlirojmë oksigjen dhe energji pozitive për çdo shqiptar. Pse s’mund të jetojmë më mirë, përse fëmijët tanë duhet të jetojnë në shtete të tjera, për të shkëlqyer, punësuar.

 

Pse të mos marrin pagat që martojnë në vendin tonë. Shqiptarët meritojnë më shumë, vendi duhet të ndryshojnë. Duhen më shumë vende pune dhe Shqipëria mund t’ia japë. Kanë nevojë për një qeveri që do të punojë për ta. Ti që ikën me kamion jashtë vendit, mos shko, qëndro, lufto me ne dhe qëndro. Thirrja është për ty motër, që mezi ushqen fëmijët, mos ik, ditë më të mira do të vijnë. Thirrja është për ty fermer, mos u dorëzo, djersa dhe mundi yt nuk do të shkojë më dëm. Thirrja është për ju familjarë, që pandemia ju ka futur në borxhe, mos u mërzit, ndryshimi po vjen, ne do t’ju mbështesim. Thirrja juaj është për ty sipërmarrës, mos u dorëzo, shpejt do të mbështetesh maksimalisht. Nesër do të kujdesemi bashkë për të gjithë. Thirrja është për gjyshet dhe gjyshërit, nënat dhe baballarët që me pensionet nuk paguajnë dot ilaçet. Nesër do të jetë ndryshe, ndryshimi po afron dhe ju do të keni vendin që meritoni. Shqipëria i ka mundësitë, resurset dhe ne do i vëmë në shëlbimin tuaj.

Miqtë e mi, të rinj dhe të reja, studentë dhe studente, lulja e kombit tonë, energjia, shpirti i këtij vendi, bijtë e bijat, mbusheni shpirtin me shpresë dhe bashkoheni për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa. Rini shqiptare, gjithçka që ka ndryshuar për mirë në këtë vend mban vulën tuaj, ndaj dhe kësaj here vendi ka nevojë për ju. Ndryshimi ka nevojë për ju. Tetë vitet e fundit, Shqipëria i është larguar BE për faj të qeverisjes së kryeministrit në ikje, tregtia jonë, arsimi, shëndetësia, gjithçka është në krizë nga fakti që Shqipëria është larg pranimit në BE. Jetët tona do të jenë shumë më të mira, kur Shqipëria të plotësojë ëndrrën e saj dhe Shqipëria të jetë në BE. Unë e di si arrihet kjo. Mbani mend kur thonit që sa e vështirë është të futemi në NATO, sot Shqipëria është aty falë nesh. Mbani mend kur thonit që shqiptarët e kishin të vështirë të lëviznin pa viza, por ne vendosëm një qëllim dhe ia dolëm. Sot vij para jush me një tjetër synim, kur të më zgjidhni kryeministër, misioni ynë hyjnor është futja e Shqipërisë në BE.

 

Që Shqipëria të jetë e fortë, na duhet urgjentisht ta lëmë pas tetë vite larg Evropës dhe të nisim marshimin tonë të pandalshëm deri në anëtarësimin e plotë të kombit të shqipeve në familjen Evropiane. Qytetar dhe qytetare, për të arritur këtë ndryshim, aspiratë, ne, ky ekip që shihni dhe unë, kam nevojë për ndihmën tuaj. Pa ju, ëndrrat më të bukura, planet më serioze kthehen në pluhur. Pa ju, ndihmën tuaj, qëllimet tona për ndryshimin e madh që na pret mbeten thjesht ide. Në javët e ardhshme të qëndrojmë bashkë sa më afër, të bindim këdo që është në kërkim të shpresës. Jeni vetëm ju. Unë jam këtu në mesin tuaj si një lajmëtar, për shtegun e duhur. Kam nevojë për ju, për ndihmën tuaj. Për forcën tuaj. Ju kërkoj të më bashkoheni në këtë rrugëtim për t’i sjell ndryshimin Shqipërisë. Ndihem i nderuar për misionin e lartë. E di që bashkë mund të kapërcejmë çdo pengesë. Ndryshimi që ka nisur, e ka zbritur sot në këtë shesh, siç ka zbritur në mendjet e zemrat e shqiptarëve. Bashkë për ndryshimin. Zoti e bekoftë Shqipërinë.”, tha Basha.

 

Fjala e plotë:
Përshëndetje ju motra dhe vëllezër që keni mbushur këtë shesh. Ju motra dhe vëllezër shqiptar kudo që ndodheni në këtë mbrëmje hyjnore të bashkimit tonë për ndryshim me të cilin do të fitojë Shqipëria dhe çdo shqiptar.

Mirëmbrëma kandidatëve të Partisë Demokratike të Shqipërisë, aleatëve tanë të koalicioni, ekipit tonë të fitores dhe ndryshimit për çdo shqiptar. Edhe 31 ditë. Vetëm 31 ditë për të nisur së bashku rrugën e ndryshimit të Shqipërisë, rrugën e zhvillimit, të punësimit, të mirëqenies dhe të integrimit të saj në familjen tonë europiane.

Jemi këtu të gjithë bashkë dhe jam mes jush sepse ju keni marrë një vendim shumë të rëndësishëm ti japim së bashku fund tranzicionit shqiptar dhe të hapim një faqe të re të historisë moderne dhe europiane të Shqipërisë. Të mundësojmë që më të mirët, më të ndershmit të drejtojnë fatet e vendit sepse familja jonë e madhe Shqipëria ka nevojë sot më shumë se kurrë për punë, nder dhe ndryshim rrënjësorë. Sepse ne sot më shumë se kurrë duhet të mbrojmë e të vendosim në vendin e duhur krenarinë tonë të kahershme kombëtare si shqiptarë, sepse duhet të ndalojmë një orë e më parë këtë varfërim dhe këtë zbrazje që po i ndodh so Shqipërisë, sepse nënat dhe motrat tona nuk duhet të kursen më nga dhimbja që shkakton braktisja e vatrave të familjes, që si pasojë sjell braktisjen e madhe që ka pllakosur sot mbarë vendin, sepse Shqipëria gjithmonë ka qenë kryelartë në shekujt e trazuar të historisë së vet. Dhe ne jemi sot këtu si përgjigje e thirrjes së saj për të ndalur dorën që zhvat pasuritë e kombit, dorën që vret shpresën e shqiptarëve dhe mendjen e errët që kërkon të mbjellë frikën dhe dyshimin në zemrat e bashkatdhetarëve tanë.

 

U bënë më shumë se një vit që filluam këtë marshim, këtë rrugëtim për të ndryshuar vendin tonë. Është një rrugëtim i vështirë por të cilin ne e kryejmë me përgjegjësi dhe me një gëzim të brendshëm sepse ne jemi të vetëdijshëm se puna jonë është një përkushtim dhe sakrificë për vendin, për shqiptarët, për Shqipërinë, për kombin sepse po shkulim dhe çrrënjosim nga damarët e tokës tonë një kast, një grusht, një të keqe që ka vendosur të shterojë dhe të përvetësojë për interesat e veta të gjitha pasuritë dhe burimet që Zoti kaq bujarisht ia ka falur Shqipërisë. Dhe po luftojmë kundër një grushti njerëzish që janë gati të bëjnë gjithçka vetëm për të mbajtur karriget e tyre por në të vërtetë ata nuk na qeverisin por ju shërbejnë vetes dhe ortakëve të tyre që po rrëmbejnë përmes akteve grabitqare gjithçka që ky vend ka, pasuritë tuaj, pasuritë e kombit. Por vëllezër dhe motra ne po zhvillojmë edhe një betejë tjetër, një betejë brenda vetes.

Unë e di se pas 8 vitesh zhgënjime, mashtrime shumëkujt i ka humbur besimi e shumëkush mendon se ky vend nuk ndryshon. Për të gjithë ata që kështu mendojnë unë kam një pyetje për ju. A është kjo ajo që ne meritojmë? A janë varfëria dhe kostoja e jetës që rritet çdo ditë e më shumë ajo që ne meritojmë? A është mungesa e vendeve të punës, papunësia dhe mjerimi ajo që meritojmë? A është largimi nga sytë këmbët i rinisë, i këtij populli të talentuar, ajo që meritojmë? A është ky fati i shkruar për secilin prej nesh? Jo, nuk ka gënjeshtër më të madhe se kjo. Ky vend meriton më shumë, shqiptarët meritojnë më shumë dhe prandaj ne jemi sot këtu para jush që tua bëjmë të qartë të gjithëve, ne shqiptarët meritojmë më shumë dhe mundemi të bëjmë më shumë dhe do të bëjmë më shumë.

Miqtë e mi, të rinj dhe të reja studentë dhe studente, lulja e kombit tonë, energjia shpirti dhe forca e këtij vendi, bij dhe bija të Shqipërisë mbushini zemrat me shpresë, bashkohuni me ne për të ndryshuar këtë vend dhe për ta bërë atë si gjithë Europa.

Rini shqiptare, çdo gjë e mirë që i ka ndodhur këtij vendi, gjithçka që ka ndryshuar për mirë në këtë vend mban vulën tuaj, ka fytyrën tuaj. Ndaj edhe kësaj herë vendi ka nevojë ju, ndryshimi kërkon mbështetjen tuaj që e keni derdhur në këtë shesh e anembanë Shqipërisë. Për 8 vitet e fundit Shqipëria i është larguar Bashkimit Europian për faj të qeverisjes dhe kryeministrit në ikje. Shëndetësia jonë tregtia jonë, arsimi ynë, shëndetësia, gjithçka vazhdojnë të jenë në krizë, të preken, të varfërohen thellësisht nga fakti që Shqipëria është larg pranimit në Bashkimin Europian.

Jetët tona do të jenë shumë më të mira në çdo drejtim ku Shqipëria të plotësojë ëndrrën e saj dhe të bëhet pjesë e Bashkimit europian dhe unë e di se si arrihet kjo. E mbani mend si thonin ishte e pamundur që Shqipëria të hynte në NATO por ne caktuam një pikësynim, punuam fort dhe ia dolëm, sot Shqipëria është falë nesh anëtare e NATO-s. Mbani mend si të gjithë thonin se nuk mund të arrihej marrëveshja për lëvizjen e lirë pa viza, se ishte e pamundur, se s’kishte asnjë shpresë që shqiptarët të lëviznin të lirë, pa viza, me pashaportat e tyre. Por ne caktuam një pikë synim . Ne punuam fort dhe ia dolëm. Sot vij para jush për të shpallur një tjetër synim, një detyrë, një mision që i përgjigjet dëshirës së çdo shqiptari ndaj të cilit dhe ndaj të cilës angazhohem: Kur të më zgjidhni kryeministër detyra e parë madhore, misioni im hyjnor, misioni ynë hyjnor është futja e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Që Shqipëria të jetë e fortë, e përparuar, e mirë për të gjithë, na duhet urgjentisht t’i lëmë pas 8 vite ngecje, 8 vite hapa prapa, 8 vite larg Europës dhe të nisim marshimin tonë të pandalshëm deri në anëtarësimin e plotë të kombit të shqipeve, në familjen tonë europiane! Vëllezër dhe motra, qytetarë dhe qytetare për të arritur këtë çlirim dhe këtë ndryshim, për të arritur këtë aspiratë që sapo ju fola ne, ky ekip që shihni sot dhe unë kam nevojë për ndihmën tuaj sepse pa ju ëndrrat më të bukura, planet më serioze shndërrohen në përralla dhe në pluhur.
Pa ju, pa ndihmën e mbështetjen tuaj qëllimet tona për ndryshimin e madh që na pret mbeten thjeshtë ide dhe jo një udhëzues drejt një jete më të mirë. Në javët e ardhme le të qëndrojmë bashkë sa më afër, të bisedojmë dit për dit me njeri tjetrin, të bindim këdo që është në kërkim të shpresës se po punoj për një qëllim të lartë, se po punojmë për një qëllim fisnik, po punojmë për të garantuar një ndryshim të thellë, të vërtet e të pakthyeshëm për bijtë e shqipes. E që ky ndryshim të bëhet realitet secili nga ne duhet ti bashkohet kësaj përpjekjet.
Bashkë për ndryshim Shqipëria fiton. Sepse nuk mund tua fsheh forca e vërtetë e ndryshimit jeni vetëm ju. Unë jam këtu në mesin tuaj si lajmëtarë, si një udhërrëfyes për të marrë rrugën dhe shtegun e duhur. Kam pra nevojë për ju, për ndihmën tuaj, për forcën tuaj ndaj ju kërkoj sot të më bashkoheni në përpjekjet e fundit e fundit të këtij rrugëtimi për t’i sjellë ndryshim Shqipërisë. Unë besoj tek ju, unë jam krenar për ju bashkëqytetarët e mi dhe ndjehem i nderuar për misionin e lartë që më keni besuar. E di që së bashku dhe vetëm së bashku ne do të kapërcejmë çdo pengesë dhe do të përmbushim çdo ëndërr. Dashuria për fëmijët, për familjet, për njeri-tjetrin, dashuria për Shqipërinë është forca që na mbush zemrat dhe na ushqen mendjen. Dhe dua që këtë dashuri të mos e përflasë në erë, por t’jua dëshmoj duke u shërbyer drejt rrugës së ndryshimit. Ndryshimi që ka filluar që ka zbritur sonte në këtë shesh siç ka zbritur në mendjet dhe zemrat e shqiptarëve kudo ku janë. Bashkë për ndryshimin, bashkë për Shqipërinë i sigurt që së bashku do të fitojmë, Shqipëria do të fitojë. Ju faleminderit shumë! Zoti e bekoftë Shqipërinë

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...