-Deklarata zyrtare nga selia blu: “Me fitoren e zgjedhjeve në 25 Prill, afera 110 milionë euro që humbi Shqipëria kundrejt biznesmenit italian, do të jetë një nga çështjet kryesore që qeveria e re do të hetojë. Kush ka përgjegjësi për faturën 110 milionë euro, që nga Edi Rama, Engjëll Agaçi, Avokatura e Shtetit dhe kushdo qoftë, jo vetëm do të shkojnë para drejtësisë, por do të paguajnë me pasurinë e tyre dëmin 110 milionë euro”.
Partia Demokratike ka reaguar dje zyrtarisht për gjobën 110 milionë euro që Shqipëria mori në Gjykatën e Arbitrazhit në SHBA, për mbylljen e televizionit “Agon Channel”. Ish-deputetja e PD, Jorida Tabaku deklaroi se faktet skandaloze që kanë dalë nga ky vendim duhet të hetohen në Shqipëri. Duke i bërë thirrje SPAK të nisë hetimet, në emër të PD, Jorida Tabaku deklaroi se 110 milionë eurot nuk do të paguhen nga buxheti i shtetit dhe lekët e shqiptarëve, por nga pasuria e kryeministrit Edi Rama, Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçi dhe çdo zyrtari tjetër që është përfshirë në këtë aferë. “Me fitoren e zgjedhjeve në 25 Prill, afera 110 milionë euro do të jetë një nga çështjet kryesore që qeveria e Partisë Demokratike do të hetojë. Kush ka përgjegjësi për faturën 110 milionë euro, që nga Edi Rama, E Engjëll Agaçi, Avokatura e Shtetit dhe kushdo qoftë, jo vetëm do të shkojnë para drejtësisë, por do të paguajnë me pasurinë e tyre dëmin 110 milionë euro”,- deklaroi zyrtarja e PD, Jordia Tabaku. Po kështu edhe LSI kritikoi fort kryeministrin që për hakmarrjen e tij ndaj një media do ti duhet buxhetit të shtetit të paguajë 110 milionë euro dëmshpërblim biznesmenit italian. Gjyqi në SHBA për “Agon Channel” është një nga skandalet më të mëdha në Shqipëri në 30 vite pluralizëm. Vendimi gjykatës thotë në mënyrë të qartë se qeveria “Rama” dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kryeminitrisë kanë ndikuar në vendimet e institucioneve për të mbyllur një media kritike. Nga një pjesë e dosjes që është publikuar rezulton se Sekretari i përgjithshëm i Kryeministrisë ka kontaktuar pronarin e medias, italianin Francesko Beccheti dhe i ka deklaruar se nuk duhet të bënte opozitë ndaj qeverisë, si dhe se sulmi ndaj televizionit të tij vinte edhe nga rivalët. Ky komunikim është vetëm një pjesë e shantazheve dhe presioneve që qeveria ka bërë ndaj biznesmenit italian. Ish-deputeti i PD, Eduard Halimi i cili në funksionin aktual si përfaqësues i një studio ligjore është njohur me detaje të vendimit, në një shkrim të dy ditëve më parë deklaronte se në dosje janë 70 biseda, mesazhe dhe telefonata që tregojnë se zyrtarë të lartë të qeverisë “Rama” kanë ndërhyrë për të mbyllur një media kritike. Dosja nuk është publikuar nga Avokatura e Shtetit dhe ende detajet nuk janë zyrtare. Por këto prova, 70 bisedat, janë pjesë e vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit në SHBA dhe mbi përmbajtjen e tyre është bazuar vendosja e gjobës për Shqipërinë. Por këto do të publikohen me fitoren e qeverisë së re pas 25 prillit. Ajo që e bën më flgarante situatën është se provat që ka paraqitur biznesmeni italian në gjykatë nuk janë kundërshtuar nga ana e palës shqiptare. Avokatura e Shtetit ka heshtur dhe kjo ka ndikuar në vendimin final. Mos kundërshtimi i provave nënkupton se bisedat janë reale dhe shkeljet ligjore në këtë rast i ngarkojnë zyrtarët e qeverisë me përgjegjësi të rënda penale, ku më e pakta është shpërdorim detyre. Kryeministri Edi Rama deklaroi pak ditë më parë se procesi gjyqësor nuk ka përfunduar, ndërkohë që Avokatura e Shtetit nuk ka dhënë asnjë detaj apo deklaratë për këtë proces. Procesi gjyqësor në SHBA jo vetëm gjobiti shtetin tonë me 110 milionë euro, por ka treguar e emra, duke nisur nga Kryeministri se cilët janë zyrtarët përgjegjës për këtë skandal. Shuma prej 110 milionë euro është gjoba më e majme që ka marrë shtetit shqiptar në një gjykatë ndërkombëtare. Mesatarisht çdo shqiptar do të paguajë nga xhepi i tij 50 mijë lekë për të shlyer këtë gjobë. Shumë është aq e madhe, sa mjafton të kujtojmë se dhe për pandeminë qeveria ka shpenzuar shumë më pak se detyrimi që ka ndaj biznesmenit.
Ky është rast flagrant që ka nevojë për penalitet edhe me votë me 25 prill