Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka bashkëbiseduar me gra të Burrelit për problemet që përballen sot në qytetin e tyre.
Kryefjala e shqetësimeve që ngritën, ishte emigracioni i fëmijëve dhe e rinisë së Burrelit, ku papunësia, pamundësia për të ndërtuar të ardhmen aty, ka bërë që të kthehet në fenomen madhor edhe në këtë qytet.
“Zoti Basha, unë desha t’ju falënderoj dhe t’ju komplimentoj për gjuhën që ju përdorni. Një gjuhë të pastër, të qartë, të zgjedhur dhe pikërisht një oratori të shkëlqyer do të thoja. Që këtu unë do të thoja fillon ndryshimi. Fillon ndryshimi juaj me atë kryeministrin gojëprishur, banal, arrogantë. Edhe sot po e dëgjoja në televizion dhe më bëri shumë përshtypje mënyra se si komunikon, mënyra se si gjoja po bën batuta, por i fyen njerëzit totalisht. Për këtë, unë them që sot më shumë se kurrë, populli shqiptar duhet t’i vërë gishtin kokës dhe të mendojë: cili duhet të jetë kryeministri i këtij vendi? Një arrogant fyes, denigrues, apo një njeri vizionar me një kulturë europiane, me një horizont dhe me ide të qarta për këtë vend dhe për zhvillimin e ekonomisë dhe të arsimit. Në fakt Mati është i vogël por hallet dhe problemet i ka shumë të mëdha. Unë ku ta zë e ku ta kap, siç thotë populli. Kape tek shëndetësia, shëndetësia njeriu duhet të mbajë radhë, të sëmuret të hënën ose të enjten kur mund të vij mjeku, ta llogaris mirë sëmundjen që ditën e enjte do vij filan mjek sepse këtu mungojnë mjekët e fushave të ndryshme. Kape tek arsimi, sinqerisht unë kam 35 vite që punoj por të jesh në këtë moshë me një karrierë të tillë, domethënë të gjithë më njohin dhe sot nesër përsëri të diskutohet emri do të ikësh nga puna do të shkosh, do të lëvizësh dhe fakti që këtu po ngushtohen klasat. Pse? Sepse njerëzit kanë marrë arratinë nga sytë këmbët, nuk kanë asnjë lloj të ardhmeje. Edhe fëmijët po largohen, po largohen familje të tëra nga Mati. Unë kam qenë mësuese në gjimnaz, 7 vite të para me nga 52 nxënës, sot shtatë klasa nuk i ka gjithsej një shkollë, pra, kjo është fatkeqësi. Me ju kryeministër shpresoj dhe besoj se këtij populli do ti kthehet mirëqenia, këtij populli do t’i kthehet shpresa, besimi dhe do të kthehet rinia mbi të gjitha. Rinisë ti kthehet besimi dhe meritokracia” – u shpreh nja nga zonjat.
Basha tha se emigracioni shkakton plagë të madhe një herë tek nënat dhe gratë, pastaj për Shqipërinë. Për këtë ai shpjegoi planin e Partisë Demokratike që parashikon përmirësimin e kushteve gratë dhe për rininë në veçanti. Trajnimet profesionale, paga të barabarta me burrat janë vetëm disa nga pikat që synojnë të kthejnë dinjitetin e munguar të gruas shqiptare