Videot që tronditën Turqinë: Mafiozë e ekstremistë, minat në rrugën e Erdoganit

Saturday, 05 June 2021 12:35

 

Mjaftuan tetë video në Youtube për ta kthyer Turqinë tridhjetë vjet prapa, në një të kaluar që mendonte se e kishte arkivuar përgjithmonë dhe që sigurisht nuk dëshironte ta përjetonte sërish.

Vite korrupsioni, paqëndrueshmërie ekonomike dhe një klasë politike e lidhur me qarqet më të këqija mafioze, shpesh me orientim ultra-nacionalist. Organizata subversive, që ndikonin në axhendën politike dhe kishin në shënjestër pakicat fetare dhe etnike që jetonin në territorin turk.

 
Ardhja e Recep Tayyip Erdoganit dhe e partisë së tij AKP, rritja ekonomike, perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duket se i dha fund mënyrës së vjetër të të bërit politikë që ndikonte drejtpërdrejt në jetën civile të vendit. Por, me kalimin e kohës, premtimi i Erdoganit për më tepër demokraci më të madhe u shndërrua në autoritarizëm. Dhe nuk mbaron me kaq.

 

Tani populli turk është i vetëdijshëm që lidhja midis politikës dhe organizatave të prapaskenës, që veprojnë në hije, jo thjesht është kthyer, por ndoshta nuk u zhduk kurrë.Image

 

E konfirmon Sedat Peker, një nga kapot mafiozë më të fuqishëm të vendit, sot në arrati, ndoshta në Dubai, për t’u shpëtuar dy dënimeve për krim të organizuar.

Nga fillimi i majit, Peker ka postuar në kanalin e tij në Youtube video ku flet për marrëdhëniet me protagonistët kryesorë të politikës turke të viteve të fundit, midis tyre ministri i brendshëm, Suleyman Soylu, dhe Berat Albayrak, ish-ministër i financave, më mirë i njohur si dhëndri i Erdoganit.

Akuzat e bëra nga Peker janë shumë të rënda. Personat e përmendur prej tij janë të përfshirë direkt ose indirekt në krime si vrasje, korrupsion, pastrim parash, shantazhe në nivele të ndryshëm. Pra, të gjitha ato gjëra që Turqia shpresonte t’i kishte lënë pas krahëve. Jo vetëm kaq.

Në video Peker tregon edhe për luftën e brendshme në AKP, ku Soylu, shumë i fuqishëm dhe i konsideruar si i vetmi që mund të pasojë Erdoganin, portretizohet si person i etur për pushtet, i zoti të vërë njërin kundër tjetrit në parti, dhe që mendon së pari për përfitime personale.

Ministri ka reaguar me një intervistë të gjatë në një kanal filo-qeveritar, ku jep një version që tashmë turqit e kanë mësuar përmendësh: fjalët e Pekerit janë pjesë e një operacioni ndërkombëtar kundër Turqisë dhe influencës së saj në rritje në rajon. Një makinë përbaltjeje, thotë Soylu, duke ndjekur traditën e teorive komplotiste, të cilën turqit e pëlqejnë aq shumë.

Sigurisht, personi në fjalë ndihmon së tepërmi për ta ushqyer teorinë.

Një miks bosi mafioz, sipërmarrës dhe 007, për Sedat Peker dihet vetëm që është jashtëzakonisht i pasur, por se si i ka bërë paratë nuk e di askush. Nuk dihet në cilat fusha operon, çfarë lloj biznesi bën, cilat janë asetet e tij.

Dihet vetëm që bën shumë bamirësi përmes shoqatave bamirëse islamike, motiv për të cilin më 2017 mori edhe një çmim, dhe që më 2016 tha fjalë të forta kundër akademikëve që firmosën një apel për paqe pas puçit, duke i cilësuar terroristë.

Në Turqi është shumë i njohur, edhe për shkak se për shumë vjet ka qenë i pranishëm fiks në të gjitha eventet më të rëndësishme, edhe ato institucionale, ku është parë me drejtuesit më të lartë të shtetit, përfshirë presidentin Erdogan, i vetmi që nuk e ka sulmuar direkt në videot e tij.

Videot janë ekspozime të mirëfillta, të studiuara në detajet më të vogla. Zgjasin thuajse një orë, gjatë së cilës Peker e mbush tregimin e tij me anektoda personale, frut i viteve të tëra frekuentimi të politikës turke. Mbi skrivani janë objekte që në çdo video ndryshojnë pozicion, detaje që ka bërë të mendosh se mund të ketë vlerë simbolike.

Bosi, i arratisur nga Turqia më 2019 e që pas një serie pelegrinazhi në Ballkan duket se është vendosur në Dubai, pohon disa herë se vendosi të tregojë gjithçka pasi ndihet i tradhtuar nga AKP.

Përgjegjësi kryesor për shkatërrimin e tij duket se është Soylu, fajtor që i prishi marrëdhëniet e shkëlqyera me Berat Albayrak. Ndonëse bëhet fjalë për akuza që janë të vështira për t’u vërtetuar, videot kanë pasur sukses të paprecedent, të para nga miliona njerëz.

Në kontributin e fundit, Peker zbulon se ka dërguar armë për al-Nusra (formacioni terrorist sirian) për llogari të qeverisë turke. Opozita turke në parlament ka kërkuar hapjen e një hetimi për të zbuluar se çfarë ka të vërtetë në deklaratat e mafiozit.

Njerëzit më të afërt të Erdoganit përpiqen t’i hedhin ujë zjarrit, duke u fokusuar te besueshmëria e dobët e Pekerit. Megjithatë, dëmi për imazhin është i madh. Soylu ndoshta do t’ia dalë të ruajë postin, por videot e bosit mafioz tingëllojnë si paralajmërim për presidentin e republikës.

Ndonëse Erdogan ka pushtet absolut, duhet të llogaritë shumë faktorë, në radhë të parë partinë nacionaliste MHP, të cilën e ka aleate dhe me të cilën Peker është i afërt, përkrahëse e politikës jotolerante karshi pakicave etnike dhe fetare.

Një nga hipotezat është që nacionalistët me këto video po përpiqen ta kalojnë konsensusin e presidentit në favor të tyre. Por ka edhe një implikim shqetësues në lidhje me sigurinë kombëtare. Këtij rrjeti të errët i përgjigjen edhe organizata me kapacitetet paramilitare që mund të ndezin dhunë të brendshme në vend e që, sipas disa analistëve, e kanë në dorë Erdoganin, aq sa kanë ndikuar edhe në zgjedhjet e tij gjatë konfliktit në Nagorni-Karabak në shtator 2020.

Një forcë e errët, të cilën presidenti i republikës mund ta kontrollojë deri në një farë mase dhe që rrezikon ta tërheqë Turqinë në një spirale terrori

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...