Presidenti Meta vlerëson me titullin “Mjeshtër i Madh” 6 gazetarë sportivë

Saturday, 03 July 2021 20:00

 

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ka vlerësuar me titullin ”Mjeshtër i madh” gazetarë të shquar sportivë shqiptarë.

Në Presidencë të ftuar ishin Bashkim Tufa, Moisi Dalipaj, Ymer Striniqi, Frederik Fico, Xhevdet Zekaj dhe Sotir Seferaj.

 

Meta në fjalën e tij përshëndetëse kujton kohët kur në vitet 80-90 si student ishte pjesë e emisionit ‘Nga njëra ndeshje në tjetrën’.

Ai thotë se pjesërisht e ndjen veten pjesë të komunitetit të gazetarëve sportivë pasi ka qenë dhe vetë një i tillë 30 vite më parë.

NJOFTIMI NGA PRESIDENCA

Presidenti Meta vlerëson me Titullin “Mjeshtër i Madh” gazetarë të shquar sportivë shqiptarë

3 korrik 2021

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gazetarëve Sportivë, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta vlerësoi me anë të një ceremonie solemne disa gazetarë të spikatur sportivë për kontributet dhe meritat e tyre profesionale në pasqyrimin e garave dhe ndeshjeve sportive.

Presidenti Meta dekoroi z.Bashkim Tufa “Në vlerësim të kontributeve dhe punës së palodhur prej gazetari profesionist dhe si kryeredaktor i gazetës ‘Sporti Shqiptar’, duke botuar denjësisht veprimtaritë sportive dhe duke promovuar sukseset e sportit shqiptar.”;

Z.Moisi Dalipaj “Me mirënjohje ndaj kontributit dhe vlerave të spikatura në pasqyrimin e veprimtarive sportive, si dhe për promovimin e figurave të shquara të sportit vlonjat dhe atij kombëtar, duke u dalluar si komentator sportiv i rrallë në ‘Radio Tirana.’”;

Z.Ymer Striniqi (pas vdekjes) me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për kontributin e shquar si gazetar, komentator i shkëlqyer i ndeshjeve të futbollit nga qyteti i Shkodrës duke shërbyer si një arkivë e pasur historike e futbollit shqiptar.”;

Z.Frederik Fico (pas vdekjes)“Me mirënjohje për kontributin e shquar si komentator i spikatur dhe profesionist në pasqyrimin e ndeshjeve kombëtare dhe ndërkombëtare të futbollit në vendin tonë.”;

Z.Xhevdet Zekaj “Në shenjë vlerësimi për kontributin e spikatur si pedagog, gazetar dhe analist sportiv, me një karrierë të suksesshme në pasqyrimin me vërtetësi të problematikave në sport, duke ndikuar në rritjen pozitive të debatit profesional dhe duke promovuar vlerat edukuese dhe qytetare.”;

Si dhe z.Sotir Seferaj “Me mirënjohje shtetërore për kontributet e dhëna në sportin e futbollit, si sportist, trajner dhe publicist dhe si autor i disa librave me karakter historik e monografik, duke ri sjellë në kujtesën e sportdashësve, personalitete të çmuara dhe legjenda të paharruara të futbollit shqiptar.”

Në fjalën e Tij përshëndetëse, Presidenti i Republikës u shpreh:

“Është kënaqësi e veçantë, me rastin e Ditës Botërore të Gazetarëve Sportivë, t’ju përcjell urimin dhe mirënjohjen time më të sinqertë, për të gjithë ju dhe për gjithë komunitetin e gazetarëve sportivë në vendin tonë, kudo ku ata janë.

Jam shumë i vetëdijshëm për rolin që gazetarët sportivë kanë për zhvillimin dhe promovimin e sportit dhe të vlerave të tij.

Prandaj dhe dua t’ju falënderoj për punën tuaj të palodhur edhe në këtë situatë të jashtëzakonshme pandemie, duke vazhduar për të promovuar fort vlerat e mirëfillta të gazetarisë sportive.

Analizat, opinionet dhe komentet në shtypin sportiv, kanë kontribuar dhe do të kontribuojnë në zhvillimin e një sporti të ndershëm, të shëndetshëm, të suksesshëm dhe dinjitoz.

Vlerësoj përkushtimin tuaj, për ngritjen e zërit me forcë kundër shfaqjeve antisportive, po kështu ju falënderoj për sfidat tuaja në pasqyrimin e sukseseve të sportit tonë dhe me idetë që jepni vazhdimisht.

Gazetaria sportive është një shkollë e madhe miqësie, vendosmërie, besnikërie, kurajoje, por edhe vëllazërie universale.

Gazetarët sportivë, janë ata që angazhohen në kërkimin e shkaqeve reale të rezultateve të dobëta, të konflikteve, por edhe njëkohësisht që propozojnë rrugët për përmirësim dhe zgjidhjen e tyre.

Puna dhe përkushtimi juaj është një vlerë e çmuar, jo vetëm në edukimin dhe promovimin e sukseseve të sportit të gjeneratës së sotme, por njëkohësisht edhe në rivlerësimin e legjendave të dikurshme dhe të historisë sonë të mirë, si një frymëzim për gjeneratat aktuale dhe ato të së ardhmes.

Prandaj jam shumë i lumtur që të jem sot së bashku me ju, pjesërisht e konsideroj veten pjesë të këtij komuniteti të gazetarëve sportivë, për arsye se si student në vitet 89-90’, kam qenë edhe unë pjesë e emisionit ‘Nga njëra ndeshje në tjetrën’, me shumë emocion e kujtoj atë kohë, pasi ai ka qenë emisioni më i ndjekur në Shqipëri.

Në çdo familje që kishte një radio “Iliria” dhe kudo ku kishte njerëz si në autobusë apo rrugë, do e ndiqte ekipin e zemrës, por edhe gjithë kampionatin sportiv, pasi kjo ishte një nga kënaqësitë e veçanta të asaj kohe.

Për këtë arsye, jam i lumtur sot që të vlerësoj disa nga ikonat e gazetarisë sonë sportive. Kënaqësi e veçantë që të vlerësojmë sot, zotin Bashkim Tufa, që vazhdon me gjenerata të reja për të kontribuar për sportin.

Një gazetar mjaft i mirënjohur dhe i dashur për të gjithë dhe kryeredaktor i gazetës mjaft të famshme dhe të dashur ‘Sporti Popullor’.

Moisi Dalipaj komentatorin e palodhur dhe promovuesin e vlerave të sportit vlonjat dhe kombëtar.

Zotin Xhevdet Zeka, pedagogun, gazetarin dhe analistin e shquar sportiv, si dhe zotin Sotir Seferaj, publicistin, futbollistin e palodhur dhe autorin e shumë librave për legjendat e sportit shqiptar.

Është një kënaqësi e veçantë që të vlerësojmë sot, dy personalitete të cilët për fat të keq nuk i kemi midis nesh, por që me punën, kontributin, trashëgiminë që ata kanë lënë pas, mbeten ikona të përjetshme të mikrofonit dhe gazetarisë sportive.

Zotin Ymer Striniqi, komentatorin e famshëm dhe arkivin e sportit shkodran dhe zotin Frederik Fico, njeriun e mrekullueshëm dhe komentatorin e talentuar të futbollit nga Gjirokastra.

Ju falënderoj të gjithëve dhe ju uroj suksese dhe mbarësi në familjet tuaja. Le të punojmë për të promovuar sa më shumë sportin, vlerat sportive sepse kemi nevojë për fëmijë dhe të rinj që merren me sport, që të bëjnë një jetë aktive fizike dhe të shëndetshme, pasi e dimë që fëmijët, të rinjtë janë të ekspozuar shumë ndaj veseve, ndaj probleme të ndryshme, të cilat cenojnë shëndetin dhe mirëqenien e tyre, por dhe të familjeve tona dhe të vetë shoqërisë sonë.

Puna juaj është shumë e rëndësishme dhe unë besoj që ju do të shumëfishoni përpjekjet tuaj si komunitet dhe në ardhmen në këtë drejtim!”

Login to post comments

Lajmet e fundit

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...